zoom

Ekonomi

Një tjetër arbitrazh për Shqipërinë, 15 mln dollarë nga kompania australiane e naftës

GBC Oil, kompania e regjiistruar në ishujt Kayman, me pronarë shqiptarët Naim Kasa, Kreshnik Grezda dhe amerikanin Mark Crawford ka hapur gjyq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ekzekutuar gjobën 15 milionë dollarë kundër Shqipërisë.

Dokumentat nga Gjykata e Uashingtonit tregojnë se GBC Oil ka autorizuar kompaninë australiane Omni Bridgeway, për të ekzekutuar vendimin ndaj Ministrisë shqiptare të Energjisë, Agjencisë së Burimeve Natyrore dhe kompanisë publike të nxjerrjes së naftës, Albpetrol.

Konflikti

Historia e konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil nis në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha një kompanie të quajtur Stream Oil and Gas, licencën për shfrytëzimin e 4 vendburimeve të naftës.

Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë. Stream Oil ishte dhe kjo një kompani e regjistruar në ishujt Kayman, por pas të cilës qëndronte Arian Tartari, një biznesmen afër ish qeverisë së Partisë Demokratike.

Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10 për qind rentën minerare që paguanin kompanitë e naftës. Stream Oil pretendoi kompesim, por qeveria nuk pranoi. Si rezultat kompania nisi të akumulonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arritën deri në 27 milionë dollarë.

Me rrotacionin e pushtetit në vitin 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum. Ky i fundit, pasi e bleu kuptoi që kompania kishte dhe borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj Tatimeve. Malonë e mbajti dy vjet kompaninë TransAtlantic Albania dhe e shiti atë tek kompania GBC Oil e Naim Kasës, Kreshnik Grezës dhe Mark Crawford, ky i fundit, ish kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte njeriu që negocioi transaksionin.

Arbitrazhi

Në viti 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, që tani ishin nën pronësinë e GBC Oil me argumentin se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e marrëveshjes koncesionare si dhe kishte miliona dollarë borxhe të papaguara në shtet.

Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih duke kërkuar 110 milionë dollarë kompesim nga qeveria shqiptare.

Në Korrik të vitit 2020, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të GBC Oil, por e gjobiti Shqipërinë me 12.7 milionë dollarë, para të cilat qeveria duhet t’ia paguante GBC Oil si kompesim për të neutralizuar rritjen e taksave pas marrëveshjes koncesionare.

Fillimisht qeveria e raportoi çështjen si të fituar, por lajmi për gjobën u zbulua dy vjet më parë kur GBC Oil kontraktoi një kompani australiane për procedurat e ekzekutimit. Tashmë në fillim të këtij muaji, australiania Omni Bridgeway ka hapur çështjen në Gjykatën e Uashingtonin, ku kërkon ekzekutimin e aseteve që Shqipëria zotëron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë gjobën e cila tashmë me gjithë interesat sipas padisë ka shkuar në 15 milionë dollarë.

Një “Becchett” i dytë, ku asetet dhe llogaritë e Shqipërisë nëpër botë po ndiqen nga përmbaruesit e arbitrazheve./Oligarkia.al