Aplikacion
Deri në fund të vitit 2022 janë krijuar 12 shoqëri UK Rajonale nga 15 të parashikuara sipas
reformës dhe që përfshijnë 50 bashki.
Shoqëritë e reja Rajonale të krijuara janë UK Korçë, UK Pogradec, UK Durrës, UK Lezhë, UK Dibër, UK Kukës, UK Berat, UK Elbasan, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Lushnje dhe UK Sarandë.
Mbeten akoma 11 bashki të cilat sipas parashikimeve të reformës në sektor do të jenë pjesë e 3 shoqërive UK Rajonale, përkatësisht: UK Shkodër (bashkitë Shkodër, Vau Dejës, Malësi e Madhe, Fushë Arrëz, Pukë) UK Tiranë (bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë) dhe UK Vlorë (bashkitë Vlorë, Selenicë, Himarë).
Rritja e çmimit të ujit për konsumatorët
Por si pasojë e reformës së ndërmarrë nga Balluku, çmimi i ujit për konsumatorët po shkon drejt rritjes. Një shqetësim të tillë e ngre edhe Enti Rregullator i Ujit në raportin e performancës për shoqëritë e ujësjellës kanalizime për vitin 2022.
Enti Rregullator i Ujit përmend termin Unifikim Tarifor, çka do të thotë se bashkimi i shoqërive Ujësjellës Kanalizime, që deri vjet menaxhoheshin nga bashki të ndryshme dhe kishin edhe çmime të ndryshme për konsumatorët, do të sjellë një çmim të unifikuar për të gjithë. Nëse marrim një shembull, çmimi i ujit për UK Tirana që do të krijohet do të duhet të mbajë brenda çmimin e ujit që deri dje ishte përcaktuar nga Bashkia Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
“Për një pjesë të shoqërive të formuara rajonale tarifat janë të përafërta nga zona në zonë, si rrjedhojë unifikimi tarifor është I mundshëm për to në të gjithë zonën e shërbimit, prandaj ERRU do ta nxisë dhe do ta asistojë këtë proces për t’a lehtësuar drejt arritjes sa më parë të rezultateve pozitive të performancës financiare dhe rritjes së cilësisë së shërbimit.
Për disa shoqëri rajonale unifikimi tarifor paraqet problematika duke qenë se diferencat e tarifave aktuale ndërmjet zonave janë të mëdha, për shkak të kostove mjaft të ndryshme të operimit dhe të cilësisë së shërbimit në njësitë përbërëse të tyre. Unifikimi i tarifave për to mund të realizohet në bashkërendim të ngushtë në nivel strategjik me qeverinë qendrore dhe ERRU-në për të parashikuar një politikë të përshtatshme subvencionimi në vlerë dhe kohë, në mënyrë që unifikimi të bëhet gradualisht dhe i pranueshëm për konsumatorët.
Një unifikim i sforcuar i tarifave në të gjithë zonën e shërbimit që sjell një rritje të menjëhershme të tyre në njësitë me tarifa relativisht të ulta, mund të sjellë reaksione të forta nga konsumatorët me pasojë ulje të normës së arkëtimit dhe ulje të aftësive likuiduese financiare të shoqërisë. Duke qenë se metodologjia ofron mundësinë e planifikimit tarifor me rritje graduale nga viti në vit, unifikimi i tyre rekomandohet të realizohet në dy faza, së pari unifikimin për ato njësi që kanë tarifë të përafërt dhe më pas gradualisht deri në unifikimin e plotë të tyre”, thuhet në raportin e Entit Rregullator të Ujit.
Rasti i Elbasanit
Gjatë vitit 2022, Enti Rregullator i Ujit, ka shqyrtuar dhe ka marrë vendimet përfundimtare për tarifa të reja për 5 shoqëri UK ekzistuese (të parajonalizuara), përkatësisht UK Kukës, UK Konispol, UK Bulqizë, UK Durrës dhe UK Elbasan.
Kjo e fundit, pra UK Elbasan, ka aplikuar për të miratuar tarifa të unifikuara për të gjithë zonën, pasi është bashkuar me Elbasanin fshat që më parë ka qenë shoqëri më vete duke synuar mbulimin e kostove të energjisë elektrike edhe pas rritjes së çmimit nga Enti Rregullator i Energjisë.
Paralajmërimimin për rritjen e mundshme të çmimit të ujit për konsumatorët ERRU e dha edhe në raportin e hartuar për veprimtarinë vjetore.
“Ndryshimet në kostot e energjisë elektrike të shoqërive UK, nuk kanë ndikuar në rritjen e kërkesave për aplikim tarifor, për shkak edhe të procesit të riorganizimit të sektorit, por pritet që pas përfundimit të procedurave të ketë një fluks të aplikimeve për tarifa të rregulluara për shoqëritë rajonale të reja të formuara”, thuhej në raportin e Entit Rregullator të Ujit.
Zakonisht dokumentacioni lidhur me aplikimet e reja duhet të paraqitej brenda fundit të qershorit, por me situatën e re Enti Rregullator i Ujit ka vendosur që t’ju japë më shumë kohë ndërmarrjeve duke u lënë një afat tjetër deri me 31 gusht./ Zoom.al
Rrëmbehet në Brazil modelja e “Victoria’s Secret”, banda kriminale kërkoi 31 mijë euro për lirimin