Aplikacion
Pas vendimit, pa një deklaratë zyrtare nga vetë Bello, dekani i fakultetit të bujqësisë Gjergj Mero tha se dorëheqja e rektorit është vetëm emocionale dhe jo zyrtare.
Pak minuta më vonë, senati i universitetit të Korçës “Fan.S.Noli”, ka kthyer vendimin për shkrirjen me Universitetin e Tiranës, me pretendimin se “senati nuk kishte dijeni për çka kishte firmosur.”
Pas njoftimit të rektorit, i pari që ka reaguar ishte Niko Peleshi, ministër i mbrojtjes dhe drejtuesi politik i qarkut të Korçës duke thënë se universiteti “Fan Noli” duhet të jetë një institucion prestigjoz i arsimit të lartë, pa e humbur identitetin dhe emrin e nderuar që mban.
Ndonëse arsyetimi për shkrirjen ishte ai i mungesës së studentëve, tërheqja e senatit e vë në dyshim këtë fakt.
Shpenzimet e çmendura të universiteti të Korçës
Shpenzimet e universitetit të Korçës nuk ngjasojnë fare më ato të një universiteti pa studentë. Sipas raportit të Qëndresës Qytetare për vitin 2022, universiteti “Fan.S.Noli” ka shpenzuar 244 milionë lekë (të reja) vetëm për shpenzime personeli. Në këtë zë përfshihen pagat e stafit dhe honoraret. Vlera nuk është aspak e pranueshme, sidomos kur krahasohet me të universitetit të Tiranës. Sipas të njëjtit raport, shpenzimet për personel në UT janë vetëm 80 mln lekë, rreth 3 herë më pak se ai i Korçës.
Në të njëjtin raport tregohet se ky universiteti ka qenë i treti më i shtrenjti për buxhetin e shtetit, me shpenzime totale 3.4 mln euro për vitin 2022. Sipas kategorive, QQ shënon me flamur të kuq (tregues negativ) shpenzimet e pamatura për orendi zyre në vlerën e 150 mijë eurove, dieta dhe udhëtime rreth 80 mijë dhe 0 para dedikuar studimeve dhe kërkimeve, detyrim ligjor dhe burim financimi për universitetet në vend.
Reforma e arsimit të lartë?
Kryeministri Edi Rama vazhdon ende të përmendë reformimin e arsimit të lartë, nismë e qeverisë që në mandatin e parë të saj, ashtu siç ka pranuar dhe stanjacionin e kësaj reforme. Të vetmet ndryshime që kanë ndodhur përgjatë këtyre 10 viteve janë mbyllja e shumë degëve në universitetet jashtë Tiranës dhe një rritje e pajustifikuar e fondeve dedikuar tyre. Gjithsesi, ndonëse miliarda lekë në dispozicion, pak muaj më parë pedagogët e universiteteve shqiptare protestuan dhe mbajtën pezull nisjen e vitit arsimor sepse pagat e tyre nuk ishin të mjaftueshme.
Fati i universitetit të Korçës ashtu si edhe destinacioni i miliarda lekëve janë ende të paqarta!/Zoom.al