zoom

Aktualitet

Shifrat/ Qeveria nuk kurseu lejet e ndërtimit para zgjedhjeve të 14 majit

Në tre muajt e parë të vitit 2023, qeveria miratoi 429 leje ndërtimi, shumica e të cilave ishte për shtëpi private 1-2 kate, shifra jo shumë të zakonta për këtë kategori ndërtesash.

Ndonëse numri i lejeve është më i lartë, sipërfaqja e dhënë për to është më e vogël se një vit më parë, 415 mijë m2 nga mbi 1 mln m2, rreth 60% më pak. Në rënie është edhe vlera, rreth 18 md lekë më pak. Gjithsesi ato janë shifra që përkojnë me ndërtimin e banesave private, të cilat kërkojnë më pak hapësirë dhe para se pallatet apo hotelet që zakonisht qeveria miraton.

Periudha janar-mars 2023 ishin muajt kur subjektet politike, zyrtarisht ose jo po bënin fushatë për zgjedhjet që u zhvilluan më 14 maj dhe një ndër denoncimet më të shpeshta për qeverinë gjatë kësaj periudhe, lidhej pikërisht me sektorin e ndërtimit, dhënien e lejeve apo Rindërtimin.

Fillimisht, në fund të vitit 2022, qeveria rialokoi miliarda lekë në bashkitë e prekura nga tërmeti, kryesisht Durrës dhe Tiranë, për të vazhduar me procesin e Rindërtimit, i cili u zvarrit për 3 vite dhe u përshpejtua përkohësisht para zgjedhjeve lokale.

Nga ana tjetër, pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit, mediat vendase zbuluan se si Drejtoria e Kadastrës po telefononte qytetarët të cilit kishin pezull procese në banesat e tyre, pas shumë kohësh pritje dhe rryshfetesh.

Shumë qytetarë pranonin entuziastë se më në fund po merrnin legalizimet që kishin vite që i prisnin.

Shfrytëzimi i lejeve të ndërtimit dhe të ngjashme prag zgjedhjesh si një mekanizëm i marrjes së votës ka qenë praktikë e preferuar e socialistëve, (Instat raporton se në periudhat parazgjedhore, lejet e ndërtimit intensifikohen), të cilës së fundmi i është shtuar edhe fondi i Rindërtimit.

Bashkia Durrës u denoncua për shpërndarjen e fondeve të tërmetit edhe në vitin 2019, një muaj para zgjedhjeve parlamentare. Këtë herë, pothuajse gjysma e lejeve të dhëna për ndërtim i përkiste pikërisht kësaj bashkie. Më 14 maj, PS-ja fitoi bindshëm në qytetin bregdetar dhe riemëroi në krye të bashkisë Emiriana Sakon./Zoom.al