zoom

Slider

Skënderbeu së shpejti si serial i animuar, aktori i famshëm jep detajet

“Ne donim që fëmijët tanë dhe të gjithë fëmijët shqiptarë kudo në botë, të krenohen me heronjtë e tyre dhe mbi të gjitha, të njohin e të dashurojnë lashtësinë dhe mitologjinë iliro-arbërore, e cila dita-ditës zë pluhur dhe nuk mbahet gjalle e nuk trashëgohet brez pas brezi,” u shpreh Florjan Binaj.

Duke “ringjallur” krijesat legjendare dhe figurat e rëndësishme historike, si Skënderbeu, mbretëresha Teuta apo emra të tjerë, filmi i animuar synon të nxisë një interes te fëmijët dhe audienca shqiptare në mbarë botën, duke mundësuar një mënyrë më dinamike dhe më të këndshme për t’u lidhur me rrënjët e tyre.

Në zemër të këtij projekti qëndron dëshira për të rrënjosur një ndjenjë krenarie te fëmijët shqiptarë, të cilët tani mund të kenë të preferuar një superhero shqiptar në vend të, po themi, Spiderman-it.

Përsa kohë që përmban tema me mesazhe universale, “Skanderbeg” me gjasë do të përqafohet edhe nga audienca ndërkombëtare.

Teksa prezantonin projektin e tyre në rrjete sociale, Daniel Kordhoni dhe Florjan Binaj theksuan se “tashmë ky projekt është më i madh se ne dhe duam ta zhvillojmë së bashku me ju të dashur vëllezër e motra anembanë botës.”