zoom

Blog

Mos e gjykoni Diolën…!

Mos e gjykoni Diolën…!

Mbrëmjen e së martës, teksa ndiqja me një sy televizorin ndërsa punoja si çdo ditë në kompjuter (e zakonshme tashmë prej vitesh për mua puna deri në orët e vona), pashë një skenë që më përloti dhe më emocionoi. Takimi i një prej konkurrenteve të Big Brother Vip, Diola me 3 vajzat e saj. E qara e vajzës së vogël më dhembi në zemër, por në rrjet menjëherë pas këtij takimi shpërthyen komentet, siç ndodh gjithmonë në të tilla raste.

Nisën gjykimet të tipit “Pse rri ajo brenda?! Pse nuk kthehet tek vajzat?! Pse kërcen me Xhonatanin?! etj etj.Dhe mu rikthye papritur si në film, jeta ime në moshën e Diolës, 36-vjeç. Si ajo, dhe unë isha e jam një grua e divorcuar herët me një djalë. E vetme, pa përkrahjen e askujt, veç familjes, nisa nga 0 jetën time pas divorcit. Rinisa universitetin, bëra të dytin , rrita djalin por edhe jetova.

E dini çfarë dëgjoja atëherë nën zë për veten? Po kjo është pa burrë, si ja del? Kush e mban? Po pse duhet kjo të dashurojë?! Pse duhet të lidhet?! Kjo duhet të rrisë djalin!
E pra, gratë e vetme, të divorcuara, edhe në 2023 vijojnë të gjykohen.

Nëse një grua e martuar bën çdo gjë, brenda limiteve ose jashtë, mos u merrni, ja lejon burri! Nëse një grua e vetme, e divorcuar, pa mbështetje jeton brenda limiteve ose jo, merruni me të, s’ka ombrellën, gjykojeni!

Kështu po ndodh me Diolën. Ajo po gjykohet pse vendosi të hyjë në Big Brother dhe nuk është sot tek vajzat e saj. Por pak kush ja di sakrificat deri natën e mbrëmshme që rrëfeu një pjesë të historisë së saj.

Sepse ne si shoqëri paragjykuese, priremi të shohim anën e errët të historisë së dikujt dhe jo suksesin.Nëse një grua e martuar, në karrierë, ja del të jetë nënë e mirë, grua e mirë dhe profesioniste, është histori suksesi.Nëse një grua e divorcuar, ja del të jetë nënë e mirë dhe profesioniste, dikush duhet ta ketë ndihmuar. Nuk ka mundësi, si ja doli??

Një shprehje që më pëlqen shpesh ta citoj është: Nëse do të më gjykosh mua, vish këpucët e mia dhe bëj rrugën time.

Ndaj një këshillë miqësore për cilindo që merr përsipër ti tregojë Diolës apo dikujt tjetër si duhet të prindërojë: Nëse doni ta ndihmoni, bëjeni në heshtje, por mos e gjykoni! Sepse prindërimi s’ka recetë. Të gjithë mësojmë nga gabimet tona, jeta është leksion për të gjithë. Por dashurinë për fëmijën mos ja tregoni një nëne të divorcuar. Sepse nuk jeni ju që ja fshini asaj lotët çdo natë kur bie të fle, pas një dite të lodhshme, pa asnjë mbështetje…

Nga Blerina Moka