Aplikacion
Prokurorët e SPAK po kërkojnë për dokumente që mund të kenë lidhje me agjentin e FBI Charles McGonigal, për të cilin Rama ka deklaruar se e ka pasur dhe do të vazhdojë ta ketë mik.
Nuk është e qartë se çfarë kanë gjetur hetuesit, por Zoom.al mëson se ata kanë çarë edhe topat e basketbollit që kryeministri mban në zyrë, në përpjekje për të gjetur pajisjen sekrete të FBI që McGonigal ka deklaruar vetë se ia ka dhënë Ramës.
Duke qenë se përmasa e pajisjes nuk dihet dhe mendohet se ajo është shumë e vogël, prokurorët e SPAK kanë sekuestruar edhe markerat me ngjyra që mban kryeministri mbi tavolinë, pasi pajisja mund jetë edhe sa një majë lapsi.
Kontrolle janë ushtruar njëkohësisht edhe në shtëpinë e kryeministrit në Surrel. Rama nuk ka qenë present, pasi po merrej me agjendën e udhëtimit të radhës jashtë vendit me çarterin personal, por ka ofruar bashkëpunimin e plotë për hetimin e SPAK. Ai madje i ka udhëzuar vetë prokurorët se ku të kërkojnë, që t’ua lehtësonte punën.
Një prokuror i SPAK, pas kontrolleve, bëri këtë deklaratë për mediat:
“Prokurori: Ne jemi të trajnuar nga FBI dhe përpiqemi ta imitojmë atë në çdo veprim. Duke qenë se FBI ka kontrolluar shtëpinë e Presidentit Joe Biden, ku ka gjetur dokumente sekrete, edhe ne menduam të kontrollojmë shtëpinë e Kryeministrit.
Pyetje e gazetarit: Po përse nuk kontrolluat shtëpinë e presidentit Bajram Begaj?
Prokurori: Ne kemi indicie se edhe dokumentet e presidencës prodhohen në zyrën e Kryeministrit.
Pyetje e gazetarit: Kur do t’i bëni publike konkluzionet e kontrolleve?
Prokurori: Sapo të zgjohemi nga gjumi, sepse me këtë lloj ëndrre ke frikë edhe të hapësh sytë. /Zoom.al (Ky material është pjesë e rubrikës satirë)