zoom

Aktualitet

Momenti i arrestimit të Dibran Hoxhaj, vrau 31-vjeçarin nga Kukësi për një faturë 400 euro

Ngjarja ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm në lokalin “Kobra City” dhe dyshohet se autor i vrasjes të ketë qenë pronari i klabit, Dibran Hoxhaj, i quajtur edhe si “King Kobra”.

Sipas burimeve nga mediat e Kosovës, tre të rinjtë nga Kukësi nuk kanë qenë të armatosur, ndërsa pas sherrit janë qëlluar me armë nga Hoxhaj teksa kanë qenë duke u larguar me makinë.

Si pasojë e plagëve të marra 31 vjeçari Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit, ndërsa 27-vjeçari Rufgen Shehu, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Policia bastisi dhe pezulloi punën në këtë lokal nate, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nazan Shero, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po merret me rastin e vrasjes dhe plagosjes së dy të rinjve nga Kukësi, ka deklaruar se dëshmitarët e marrë në pyetje kanë treguar se shkak për këtë ngjarje tragjike është bërë fatura prej 400 eurosh e tavolinës ku ishin ulur viktima dhe miku i tij.

Prokurorja Shero tha se pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxhaj nuk ka pranuar të japë dëshmi gjatë marrjes në pyetje, ndërkohë që sipas saj, ngjarja po vijon të hetohet.

“Sa janë të sakta nuk mundemi me ditë se jemi në hetim e sipër dhe për momentin jam duke ndërmarrë veprime hetimore. Janë deklaratat e dëshmitarëve që flitet për 400 euro mirëpo ai (Dibran Hoxhaj) është mbrojtë në heshtje”, tha Shero.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të krimit.