zoom

Aktualitet

Vrasja e Visar Cengut te “Kobra City”, flet xhaxhai i viktimës: U qëllua nga pas, plumbi e kapi …

Në orët e para të së martës një konflikt në lokalin “Kobra City” në Prizren rezultoi me një person të vrarë dhe një të plagosur. Viktimë e kësaj ngjarje ishte Visar Cengu, nga Kukësi.

Lidhur me ngjarjen tragjike ka folur xhaxhai i viktimës, Besim Cengu, i cili tha se nipi i tij ishte qëlluar në makinë nga prapa.

“Ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit. Makina ku ishte djali nuk ka pasur armë. Pasi janë zënë aty, ka pasur goditje nga pas, pasi është nisur makina. Nipi im ka vdekur ndërsa tjetri është plagosur.

Nipi im është gjuajtur brenda veturës nga pas, sepse edhe predha ka qenë në shpinë dhe e ka kapur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës dhe djali ka vdekur në vend”, tha Cengu në një prononcim për Klan Kosova.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, shkak dyshohet të jetë një faturë prej 400 eurosh, fakt të cilin nuk e mohon as xhaxhai i viktimës.

“Ndoshta, sepse ka pasur ngatërresë që brenda mesa mora vesh unë. Por unë i njoh të tre dhe kam bindjen e plotë se këta nuk kishin lidhje me konsumim të një ushqimi dhe të mos paguajnë. Ata kanë qenë çuna të sjellshëm. Fakti që në makinë nuk kanë pasur asnjë mjet luftarak, ata kanë qenë paqësore dhe kanë shkuar për të konsumuar diçka. Djali ka qenë në Francë dhe u kthye tani”, u shpreh xhaxhai.

Ai i bëri apel drejtësisë që të veprojë në këtë rast dhe mos ketë indiferencë.

“Është mirë që drejtësia të merret dhe mos e nxitë vëllain me indiferencë. Organet në Kosovë dhe Shqipëri ta shqyrtojnë këtë rast. Nëse do ketë indiference atëherë nuk duhet të ketë indiferencë nga krahu jonë”

Për ngjarjen janë arrestuar gjashtë persona, në mesin e tyre si i dyshuar kryesor edhe pronari i lokalit, Dibran Hoxhaj.