Aplikacion
Njeriu që konsiderohet si një bos droge në disa vende të Evropës dhe njëherësh është një biznesmen i sukseshëm në Shqipëri, ka lënë qelinë qysh prej ditës së premte, duke iu bashkuar biznesit familjar në Laprakë.
Vendimi për lirimin e Anton Gjinaj, është marrë 7 ditë para Vitit të Ri nga gjyqtari i Kavajës Sokol Marra, i cili mësohet të ketë njohur periudhën e qëndrimit në paraburgim të Anton Gjinajt në Malin e Zi, shtet ku fillimisht u arrestua për akuzën e trafikut të drogës. Ndërsa SPAK, përmes prokurorit Vladimir Mara vijon të mbajë nën hetim pasuror Gjinaj dhe 23 pasuritë e tij.
Njëherësh gjyqtari i Kavajës, Sokol Marra ka njohur dhe periudhën disamujore të vuajtjes së dënimit në 3 burgjet shqiptare. Dhe për pasojë, ka dalë në konkluzjonin se personi me 4 emra si Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi alias Pashuk Gjini dhe Pashuk Maloku, ka tejkaluar dënimin prej 8 vite e 9 muaj burgim, të dhënë nga Drejtësia Spanjolle.
Nisur nga kjo situatë, gjykata ka vendosur shuarjen e vuajtjes së dënimit për të burgosurin Anton Gjinaj, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të biznesmenin, nëse nuk kishte dënim tjetër shtesë. Ekzekutimin e këtij vendimi, e ka kryer juristi i burgut të Rrogozhinës së bashku me prokurorin e çështjes, duke bërë që prej ditës së Premte, Gjinaj të lirohet.
Nga ana tjetër autoritetet Spanjolle, në dosjen e trasferimit të këtij të dënuari në Shqipëri, kanë lënë porosi dhe u thonë palës Shqiptare se Pashk Rrapi alias Anton Gjinaj, duhet të vuajë në Shqipëri një dënim të mbetur, prej 3 mijë e 190 ditë burgim dhe përcaktojnë datën 24 qershor 2025, për lirimin nga burgu tij.
Por para se biznesmeni i ndërtimit të lirohej nga qelia, në muajin shtator 2022, Gjinaj ka paraqitur 5 kërkesa të njëjta në gjykatën e Kavajës, duke kërkuar përllogaritjen e kohës së paraburgimit në Malin e Zi. Këto kërkesa janë bashkuar në një çështje të vetme, tek gjyqtari Sokol Marra.
Por ky i fundit në datën 7 nëntor 2022, ka vendosur të shpallë moskopetencën dhe t’ia kalojë për interpretim juridik Gjykatës së Lartë, me qëllim ndarjen e koopetencës gjykuese. Pra nëse çështja duhet të gjykohej nga gjyqtar Sokol Marra apo nga gjyqtare Anjeza Buzo, e cila kishte të njëjtën kërkesë të depozituar nga Gjinaj.
Në 24 nëntor 2022, një trupë e kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, kanë vendosur që kompetenca për të gjykuar 5 kërkesa e Anton Gjinaj,i takonin gjyqtarit Sokol Marra. Ky i fundit ditën e premte, ka shqyrtuar rastin duke bërë përllogaritjen e ditëve të qëndrimit në burg të Gjinaj në Malin e Zi dhe në Shqipëri. Dhe më pas ka urdhëruar lirimin e tij nga qelia.
Nga materiali i dërguar nga Spanjollët, rezulton se njeriu me katër emra, është dënuar fillimisht në vitin 2010 nga Gjykata e Provincës Alicante me 12 vite burgim. Ky dënim është lënë në fuqi në muajin Maj 2011, duke ulur vetëm masën e dënimit, nga 12 vjet, në 8 vjet e 9 muaj burgim.
Sipas dosjes hetimore, qartësisht Pashuk Gjini, del i implikuar në një episod të trafikut të 50 kg heroinë nga Hollanda në Spanjë. Në dosje thuhet se biznesmeni i ndërtimit Pashuk Gjini, në vitin 2006 ka lidhur një marëveshje bashkëpunimi me trafikantin tjetër, Sulejman Shkalla, i cili rezulton të jetë vëllai i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha dhe pronar i kompleksit “Mai-Tai” në Lundër të Tiranës.
Ndër të tjera në dosje thuhet se:
”…në fillim të vitit 2006 grupi Greco Levante”, ka përqëndruar hetimet në futjen në provincat “Alikante” dhe “Murcia”, të sasive të konsiderueshme të heroinës të ardhur nga Europa Lindore, duke vënë në ndjekje disa shtetas shqiptarë ndër të tjerë edhe Pashuk Gjini alias Maloku…”.
“…gjatë hetimeve u vërtetua se këta shtetas kishin dakordësuar futjen në Spanjë, të një sasie të konsiderueshme heroine si dhe realizimin e shpërndarjes së saj në Torrevieja (Alicante), me disa të preceduar të tjerë…”.
Në fillim të qershorit 2006 në marreveshjen e bërë midis Sulejman Shkallës, i cili qëndronte në Spanjë dhe Pashuku që qëndronte jashtë Spanjës, ata së bashku po organizonin dërgimin në Spanjë, të një sasie të konisderueshe të heroinës, për të cilën Pashuku dhe të proceduar të tjerë më datë 20 qershor 2006, kanë udhëtuar me avion për të realizuar koordinimin e operacionit dhe shpërndarjen më pas të perfitimeve të drogës.
Nga bisedimet e përgjuara të datës 21 dhe 22 qershor 2006, u vërtetua se droga vinte nga Hollanda dhe për këtë, rreth orës 13:30, të datës 22 qershor 2006, janë takuar së bashku me Pashukun dhe të dënuar të tjerë, të cilët koordinojnë veprimet për të pritur drogën që do të arrinte atë pasdite në Spanjë.
Transporti i droges ishte realizuar duke e futur në rrotat e makinave, e cila në tentativë për ta nxjerre nga rrotat, jane kapur nga policia duke i gjetur me duar të ndotura nga droga, gjatë nxjerrjes së pakove. U gjet dhe peshua sasia e drogës e llojit heroinë, e cila ishte 50 kilogram e 610 gram e 88 miligram, me një pastërti mesatare prej 48.4% dhe me një vlerq tregu 1.941.623,20 Euro. Në këtë grup kriminal nuk ka qënë vetëm Pashk Rrapi dhe Sulejman Shkalla alias Fusha, por dhe Shqiptarë të tjerë, ku ndër më kryesor janë Julian Deblini alias Julian Gjoka, Arjan Ndoci dhe Dritan Gradica./ORANEWS
VIDEO/ Plarent Ndreca shkon në SPAK, po hetohet për tenderat në Ministrinë e Brendshme