zoom

Ide & Blog

Tabelat financiare të Portit të Durrësit, si ato të inceneratorëve

Nga Ola Xama

Projekti “Durrës Yacht Marina” mori në parim votat për miratim nga komisionet parlamentare. Edhe në këtë rast Komisioni për Ekonominë dhe Financat nuk zhgënjeu. Asnjë nga deputetët nuk kërkoi korrigjimin aritmetik të planit financiar që ka dorëzuar kompania “Eagle Hills Real Estate Development”.

Njësoj si komisioni, të mirëqena i kanë marrë tabelat e dorëzuara nga partneri privat edhe grupi negociator, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Këshilli i Ministrave dhe stafi i tyre.

Në planin financiar, kompania premton të angazhojë se do të investojë para të vetat 79.7 milion euro dhe 79.7 milion kredi nga bankat, por rezultati aritmetik i mbledhjes së këtyre dy shifrave ka rezultuar 159.3 milion euro dhe jo 159.4.

Një tjetër gabim shihet te kosto mesatare në vit e të ardhurave nga marina turistike. Në biznes-plan thuhet se mesatarja është 1.7 milion euro në vit për 20 vjet, por po ashtu në një faqe tjetër të ardhurat nga marina parashikohet të jenë 34.9 milion euro dhe mbledhja e tyre projektohet të nisë në fazën e dytë, pra do të jetë e shtrirë në 13 vjet e jo 20. Mesatarja në vit e 13 vjetëve është 2.68 milion euro dhe jo 1.7 sa del në tabela.

Diferenca më e madhe shihet te tabela e flukseve të parasë. Grafiku që shpjegon rrjedhën e parasë në Planin e Biznesit të Shtojcës 1, llogarit që në 7 vitet e para të vijnë 697 milion euro të ardhura dhe po e njëjta tabelë në Shtojcën 4 që është Masterplani – Plani i Biznesit tregon se të ardhurat në 7 vitet e para do të jenë 645 milion euro, pra 52 milion euro mospërputhje.

Gabimet në Masterplanin e dorëzuar, i cili së shpejti do të jetë pjesë e kontratës që do të marrë edhe bekimin e Kuvendit janë edhe të tipit konceptual. P.sh. në tekst thuhet se kompania do të arkëtojë të ardhura para taksave, në një kohë që në termat e kontabilitetit në Shqipëri nuk ka të ardhura para taksave, por fitim para taksave.

Po ashtu rëndom shihen edhe fjali të marra copy-paste nga strategjitë e turizmit të qeverisë se “Zhvillimi i Shqipërisë si destinacion turistik kërkon bashkërendimin e punës të të gjithë aktorëve, publikë, privatë në të gjithë nivelet”. Ndërsa në një paragraf tjetër thuhet se projekti do të ketë efekte të mira sociale pasi “Vendasit në bashkëpunim me turistët, duke u përzier me prejardhjen e tyre krijojnë kulturë kozmopolite në zonë”.

Për të certifikuar këtë bilanc si nga ana financiare dhe nga ajo juridike, qeveria ka paguar edhe 300 mijë euro për konsulentin e jashtëm!