Aplikacion
Pasi i quajti bedelë, kastraveca dhe gjela deti, Rama i pagëzoi deputetët e opozitës si “tradhtarë të pashoq kombi”. Kështu, kryeministri i dha dum muhabetit dhe vajti gjeti gjithë arsyen qëndrore se përse gjërat shkojnë keq në këtë vend; pikërisht sepse ata, opozitarët, janë “të pafe”, “pa din e iman” dhe se janë paguar me rubla ruse për të rrëzuar qeverinë.
Ndaj doemos, Ramës i rri mbi supe një detyrë e vështirë. Të mbrojë ditë e natë atdheun nga të shiturit.
Por le te shohim si e mbron kryeministri ynë atdheun tonë.
Hapësirën ajrore na e mbron Greqia. Dy avionë grekë F-16 mbikqyrin cep më cep vendin nga aktivitetet armiqësore.
Kufirin tokësor nga e mbron FRONTEX.
Nga kanabisi e droga na mbrojnë italianët e Guardia di Finanza që monitorojnë parcelat me avionë specialë nga ajri. Dronët tonë i kemi për gjoba shoferësh.
Nga zjarret nga mbrojnë holandezët e çekët që na dërgojnë çdo verë avionët dhe helikopterët e tyre.
Nga shkatërrimet e tërmetit nga ndihmon Kosova, se ne i dërgojnë policët mbi rrënoja jo me kazma e lopata, por me pistoleta në brez.
Siç e shihni, është meritë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij gjithë kjo mbrojtje.
Dhe ngaqë ndihen të mbrojtur kaq shumë, shqiptarët po ia mbathin nga të katër anët sa më parë nga atdheu ynë i mbrojtur.
Për shembull, 22 mijë të rinj u larguan vetëm nga Tirana këtë vit kur Tirana mban flamurin e Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Në kanalin e La Manshit, për të kaluar në Angli, shqiptarët janë të parët që ikin nga atdheu i mbrojtur.
Në Gjermani po ikin mjekë, infermierë, inxhinierë, artizanë, profesionistë e gjithkush mundet.
Nga mbrojtja e madhe që kemi nga qeveria, varfëria ka prekur 65 % të shqiptarëve.
Policët po braktisin përditë detyrën dhe po ikin nga atdheu i mbrojtur. Bashkë me ta edhe punonjës të Shërbimeve Sekrete, prokurorë, gjyqtarë, avokatë.
Ngaqë e kemi atdheun e mbrojtur kaq shumë, nafta futet lumë kontrabandë.
Si pasojë e mbrojtjes që u bën shqiptarëve dhe atdheut qeveria, shqiptarët janë të vetmit që nuk përfituan ulje taksash nga çmimi i naftës.
Edhe në pandemi, morën më pak ndihma se fqinjët e tyre në rajon.
Duke parë gjithë këto pasoja që vijnë nga “mbrojtja e atdheut” nga Rama, shqiptarët do t’i luteshin kryeministrit të mos i mbronte më.
Me këto pasoja, siç mbron atdheun ai më mirë të mbrojë Taulant Ballën, Elisa Spiropalin, Erion Veliajn, Belinda Ballukun, Damian Gjiknurin e ndonjë klient biznesi. Mbase duke i mbrojtur ikin edhe këta. Se vetëm nëse largohen këta Shqipëria mund të mbushet sërish me shqiptarë. Ne do t’i luteshim të mos na e mbronte më atdheun kështu, por të mbronte vetëm njerëzit e tij. /Zoom.al
VIDEO/ Plarent Ndreca shkon në SPAK, po hetohet për tenderat në Ministrinë e Brendshme