Aplikacion
Të rinjtë shqiptarë po e braktisin vendin si të munden, me apo pa leje qëndrimi. Qeveria nuk ka asnjë rol, përveç përgjegjësisë që nuk ua siguron dot të ardhmen dhe u ka vrarë shpresën. Po kaq absurde sa llogaria që i kërkohet BE-së për dështimet në garantimin e të ardhmes së të rinjve, është edhe kërcënimi për mosdhënien e diplomave.
Punësimi i detyruar në shtet do të kishte kuptim nëse maturantët do të merreshin në Universitetin e Mjekësisë apo me kontratë dhe pa konkurs. Në një kohë kur shteti s’ka asnjë rol në shkollimin e tyre, detyrimi për të punuar “ku të ketë nevojë atdheu” është një rikthim në mekanizmat e të kaluarës së errët komuniste.
Kërcënimi është i rrezikshëm, pasi do të kufizonte të drejtën e të rinjve për të zgjedhur. Shumë prej tyre, që do të refuzonin “punën e detyruar, do të kërkonin mundësi punësimi në fusha të tjera, nëse nuk do t’u pëlqente të punonin në Kukës apo Këlcyrë, duke e thelluar boshllëkun e paprecedentë të mjekëve në sistemin shëndetësor. Kështu, pasojat do të ishin diametralisht të kundërta me qëllimin. Në anën tjetër, një vendim i tillë me shumë gjasë do t’i detyrojë maturantët dhe familjarët e tyre të zgjedhin universitetet private që ofrojnë mjekësi.
Ose do t’i detyrojë të largohen që në gjimnaz për të mos pranuar punësime në zona të largëta të vendit me paga skandaloze e kushte gati primitive, ku karriera është e bazuar më së shumti jo në notën e diplomës, por në teserën e partisë.
Por përpos llogarive për dëmin që mund të sjellë, paralajmërimi, ende në retorikë, ngjan më shumë me një përpjekje në fund të dëshpërimit për një politikë të gabuar prej gati 1 dekade qeverisjeje nga Edi Rama. Në 2 mandate e gjysmë politikat e tij kanë bërë që Shqipëria të përjetojë eksodin më të madh prej vitit 1991. Shqiptarët rezultuan disa herë të parët në listat e azilkërkuesve në Gjermani, Francë e vende të tjera të BE. Disa vende artikuluan rikthimin e regjimit të vizave për t’i tërhequr vëmendjen një qeverie indiferente deri në papërgjegjshmëri për fenomenin. Kanali i La Manshit mes Francës e Anglisë po përjeton kalime masive të gomoneve me shqiptarë. Mediat britanike po e tregojnë Shqipërinë siç është, një vend të pasigurt për të jetuar.
Në vend të mbajtjes së përgjegjësisë direkte për largimin e pjesës më vitale të shoqërisë, me të tilla kërcënime Edi Rama po gjen fajtorët e radhës, një mekanizëm propagandistik ky që i ka dhënë jo pak frymë një qeverie disa herë të mbytur nga skandalet korruptive më të padëgjuara ndonjëherë. Sot ata janë të rinjtë që ikin pasi diplomohen, ndaj u duhen mbajtur diplomat dhe BE që i pranon dhe s’i jep asgjë mbrasht Ramës. Kur ka hyrë në vitin e 10 të qeverisjes, kemi parë e dëgjuar prej tij në këtë dekadë që fajin për dështimet në drejtimin e shtetit e ka pasur Saliu dhe PD-ja e “çunit të mirë Lulzim Basha”, për vjedhjet në administratë LSI-ja e Likes dhe çizmes së Monikës, për kanabisin anekënd vendit -druri i shtrembërt Saimir Tahiri-, për integrimin e zvarritur, opozita e llumit dhe tani BE-ja për braktisjen e vendit nga të rinjtë si pasojë e politikave të tij pro-oligarkëve dhe pamundësisë që u ka krijuar të rinjve ta ndërtojnë jetën në Shqipëri.
Në një kohë kur kërcënon studentët se do u mbajë peng diplomat, politikat e tij e kanë bërë të pamundur që një mjek me 60 mijë lekë rrogë të blejë një shtëpi me çmime marramendëse që nisini nga minimumi 1 mijë euro për m2 në periferi të Tiranës apo me norma interesi në 7% për kreditë për shtëpi. Apartamentet në pallatet shumëkatëshe që ngrihen në Tiranë me para të dyshimta janë të mundura vetëm për ata që kanë në xhepa paratë e korrupsionit në administatë dhe për “çunave te Londrës”. Çunat e sapodiplomuar, maksimumi mund të arrijnë të blejnë nje biletë vetëm vajtje për ta refuzuar njëherë e mirë keqqeverisjen që u shitet si model reformash në megafonët e mediave të blera. /Zoom.al
Mediat: Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë armët amerikane për të sulmuar brenda Rusisë