zoom

Politikë

“Unë ose fitoj ose mësoj!”, Meta për zgjedhjet: Jemi përballë kërcënimeve të reja

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha sot se vendi është përballë rreziqeve serioze, që sipas tij lidhen me liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Kreu i PL-së u shpreh se ai ka mësuar shumë nga dështimet e të tjerëve, ndërsa tregoi edhe arsyet pse Lëvizja Socialiste për Integrim u shndërrua në Partia e Lirise.

“Është një kohë e ndryshme, jemi përballë rreziqeve dhe kërcënimeve të reja, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me ritmin e procesit të integrimit evropian, por me kërcënime reale për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por edhe të interesave tona kombëtare. Këto janë arsyet pse 25 korriku solli një forcë të re politike”, tha Meta.

“Leksione kemi marrë pa fund. Mua më pëlqen shprehja “unë o fitoj o mësoj”. Unë kam mësuar shumë edhe nga dështimet e të tjerëve. Në këtë drejtim mësimi më i mirë është që pabesia nuk ka kurrë fund dhe mendjelehtësia ka çmim të rëndë në politik”, theksoi kreu i PL-së.

Meta foli edhe për Konevntën Zgjedhore të PL-së, e cila do të mbahet më 29 tetor. Sipas tij, edhe në garën për kreun e ri të partisë do të ketë kandidatë alternativë.

Meta: Në 29 tetor kemi konventën zgjedhore të PL. Jemi në një moment tranzicioni ku do të miratohet programi i PL, statuti themelor dhe do të zgjidhen forumet e përhershme që do të drejtojnë partinë.

Pyetje: Do të ketë garë për kreun e PL?

Meta: Gara ka qenë statutore, çdo kush është i mirëpritur, Nuk kam arsye të shpik kandidatë fiktivë. Do të ketë votim të fshehtë dhe me kandidaturë alternative.