zoom

Blog

Të paguajmë njëherë pedagogët, pa të huajt presin!

Seç u zgjua kryeministri këtë të martë dhe tha se duhet punuar për të pasur studentë të huaj këtu në Shqipëri.

Njësoj si të presësh të të vijnë klientë në restorant, kur në fakt ti s’ke gatuar gjë. Madje s’ke ndezur ende sobën e as larë enët.

“Sot mund të duket si utopi e gjitha kjo,”- tha Rama dhe s’e kishte keq.

Nëse mendon për hallet e arsimit tonë, joshja e studentëve të huaj është e fundit gjë që të shkon ndërmend. Madje as të entuziasmon si gjë, kur e di që ke shumë punë “për t’u normalizuar”, para se të kapësh yjet.

Si të flasësh për studentë të huaj, kur këta vendas mezor përballojnë tarifat, qiratë e shtëpive dhe tekstet shkollore.

Por së pari, si mund të flitet për studentë, për aq kohë sa nuk është rënë ende në ujdi me pedagogët.

S’mund të krijosh strategji e plane për të rimëkëmbur arsimin, kur të ka rënë poshtë mekanizmi. Sa kuptim ka të flitet për cilësi arsimi, kur mungon njëra këmbë e urës. Kur pedagogët refuzojnë auditorët!

E meqë deliri i hapave të mëdha të lë pa gjë, më mirë nisim dhe e bëjmë çapin të vogël. Vëmë ca rezistenca në klasa, ndalim ryshfetin e u ngremë të shkretat rroga pedagogëve. Kur të bëjmë këto, pak e nga pak, kushedi, na pikas ndonjë i huaj!

Nga Denisa Skodi