zoom

Politikë

Vasili: Qeveria të heqë burokracitë për energjinë alternative

Partia e Lirisë ka depozituar sot kërkesën për dy projekt-ligje në Kuvend për disa ndryshime në ligjin për energjinë elektrike.

Në një postim në FB, deputeti i PL-së, Petrit Vasili thotë se përmes këtyre projektligjeve, synohet heqja e burokracive dhe formaliteteve për qytetarët që duan të vendosin panele diellore për prodhimin e energjisë.

Sipas Vasilit, qytetarëve duhet t’u ofrohet mundësia që sasinë e energjisë që u tepron pas përmbushjes së nevojave familjare, të mund ta shesin.

Deputeti thotë se përmes këtyre ndryshimeve, qytetarët do të kenë mundësi që ta shlyejnë brenda 3-4 vitesh investimin për panelet diellore për prodhim energjie.

Vasili shkruan:

Dy Projekt-Ligjet, që kemi çuar sot në Kuvendin e Shqipërisë, për energjinë elektrike, garantojnë që:

Qytetarëve, që duan të vendosin Panele Diellore për prodhim energjie elektrike t’u hiqet çdo pengesë burokratike dhe formalitet i kotë që t’i vendosin sa më shpejt.

Qytetarët, qe vendosin Panele Diellore do të kenë mundësi ta shesin energjinë elektrike, që u tepron pas përmbushjes së nevojave familjare të tyre dhe jo si deri më sot kur ajo u grabitet nga shteti pa pagesë.

Qytetarët do të kenë mundësi ta shlyejnë brenda 3 – 4 vitesh investimin për Panele Diellore për prodhim energjie dhe jo për 8 – 10 vjet si deri më tani.

Në këtë mënyrë familjet do të furnizohen energji elektrike pa paguar lekë, por edhe do të krijojnë të ardhura për veten e tyre me energjinë elektrike të tepërt , por edhe do të ndihmojnë vendin me energji elektrike.