zoom

Aktualitet

Si mashtron Veliaj për inceneratorin e Tiranës. Për mbetjet paguhet më shumë se me projektin Basha

Më 28 shtator të vitit 2017 qeveria nënshkroi kontratën koncensionare me shoqërinë ‘‘Integrated Energy BV” për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës.

Kontrata parashikonte një afat 30-vjeçar. Sipas saj kompania do të kryente investimin ndërsa shteti shqiptar nëpërmjet Bashkisë së Tiranës dhe bashkitë e tjera të qarkut Tiranë do të paguanin investimin e koncensionarit, nëpërmjet tarifës 29 euro për ton mbetje për incenerimin e tyre në inceneratorin që do të ngrihej në landfillin e Sharrës.

Për realizimin e këtij projekti kërkohej paraprakisht edhe pëlqimi i bashkive në fjalë, por atë e dha vetëm Bashkia e Tiranës nëpërmjet kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili firmosi një dokument konfirmimi pa mbledhur më parë Këshillin Bashkiak.

Për të mbrojtur këtë vendimarrje të tijën personale, shpesh herë kryebashkiaku Erion Veliaj i ka mëshuar fortë faktit se kostoja e incenerimit të mbetjeve në këtë incenerator është gati 30 për qind më lirë se tarifa prej 37 euro për ton që parashikonte projekti i paraardhësit të tij, Lulzim Basha.

“E kuptoj që zemra ta do që ne të kemi bërë një gabim, por të them që s’ka për të ndodhur. Kemi thënë “okay” në parim e na thoni sa kushton, një kryetar bashkie kur shikon që është 30% më lirë se paraardhësi shkon me qejf në Këshill?”, u shpreh Veliaj gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor parlamentar për Inceneratorët.

“Kur kryetar bashkie ishte Basha i dha ok një plani që propozonte një pagesë 37 eruo për ton mbeturinash. Në vend që të paguajmë 37, ne paguajmë 29 euro për ton. E kemi 30 përqind më të ulët se çfarë kishte propozuar Basha. Do paguante 8 euro më shumë. Në vit 3 mln euro”, shprehet Veliaj në një tjetër deklaratë publike të bërë gjatë një inspektimi në landfillin e Sharrës në vitin 2020 për të njëjtën kontratë.

Në fakt kryebashkiaku Erion Veliaj mashtron me deklaratat e tija, pasi kostoja për menaxhimin e mbetjeve të Tiranës është më e lartë sesa deklarohet prej tij. Madje më e lartë edhe se ajo që propozonte paraardhësi i tij, Lulzim Basha.

Së pari, vlera reale nuk është 29 euro për ton, por më e lartë. Kjo pasi Bashkia e Tiranës vërtetë mund t’i paguajë koncensionarit një vlerë prej 29 euro për ton. Por nëpërmjet kompanisë EcoTirana dhe kompanive të tjera të kontraktuara për pastrimin e Tiranës paguan një shifër të konsiderueshme prej 12 eurosh për ton për mbledhjen dhe transportin e mbetjeve në landfill.

Pra vlera reale që paguan Bashkia e Tiranës për 1 ton mbetje është 41 euro për ton, 4 euro më shumë sesa “projekti Basha”.

Së dyti, kjo vlerë rritet edhe më tej në kushtet kur vlera prej 29 euro për ton duhet të paguhet për incenerim dhe jo për depozitim. Pra aktualisht Bashkia e Tiranës i paguan koncensionarit 29 euro për ton për një shërbim që nuk e kryen, pasi inceneratori nuk është në punë, madje as nuk është ndërtuar.

Kjo është konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në një hetim për inceneratorin e Tiranës thekson se kostoja e përpunimit të mbetjeve është dyfishuar.

“Mungesa e dakortësisë me shkrim e bashkive të tjera të Qarkut Tiranë përveç Bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto bashki, mos përfshirja e të cilave mbi këtë argument do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit të Incineratorit të Tiranës. Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit që kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incinerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri më sot”, thuhet në raport.

Por pavarësisht këtyre konstatimeve dhe hetimeve penale që po kryhen për inceneratorët dhe kompaninë që i administron ato, qeveria dhe Bashkia e Tiranës janë të vendosura të mo heqin dorë nga këto projekte korruptive dhe që po i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro çdo muaj.

Kështu, qeveria planifikon që këtë vit pagesat për inceneratorin e Tiranës të kapin vlerën 13 milionë euro nga 6.9 milionë euro që parashikohet në kontratën koncesionare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në planin për buxhetin e këtij viti, inceneratori i Tiranës do të marrë 6.1 milionë euro më shumë për shkak të sasive të larta të mbetjeve që do të përpunohen në Sharrë.

Nga 237.250 tonë që ishte planifikuar në kontratë për t’u depozituar këtë vit, sasia e plehrave do të dyfishohet në 448.275 tonë.

Për vitin 2023, pagesat për inceneratorin e Tiranës parashikohen sërish më rritje.

Në total pritet të paguhen 14.5 milionë euro nga 7.8 milionë se skenari i vendosur në kontratën mes qeverisë dhe Integrated Energy BV.

Deri në fund të vitit që shkoi buxheti ka paguar 37.8 milionë euro për inceneratorin e Tiranës, për një tarifë mbetjesh 29 euro për ton, të cilat nuk incenerohen, por depozitohen dhe mbulohen pasi investimi për impiantet nuk ka përfunduar. /Zoom.al