zoom

Ekonomi

Thellohet pabarazia ekonomike e qarqeve, vetëm Tirana shpenzon mbi mesataren kombëtare

Diferenca ekonomike ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera është thelluar nga viti në vit, duke treguar për një hendek në rritje të pabarazisë ekonomike ndërmjet qyteteve dhe kryeqytetit.

Këto zhvillime janë veç të tjerash një sinjal se vendi do të vijojë tranzicionin demografik me shpopullimin e mëtejshëm të qarqeve.

INSTAT raportoi se në vitin 2021 vetëm Tirana i kishte shpenzimet për familje mbi mesataren kombëtare, ndërsa në vitin 2014 së paku katër qarqe i kishin shpenzimet për frymë mbi mesataren kombëtare.

Në vitin 2014 shpenzimet mujore të një familje në rang kombëtar ishin 69,442 lekë. Po familjet në qarqet e Gjirokastrës, Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës i kishin shpenzimet mujore mbi këtë nivel. Në vitin 2014 një familje në Tiranë shpenzonte mesatarisht 81654 lekë në muaj, e dyta vinte Lezha me 78,811 lekë në muaj, e treta Shkodra me 76,509 lekë dhe Gjirokastra me 74,293 lekë në muaj. Në vitin 2014 qarqet me nivelet më të ulëta të konsumit ishin Elbasani, Vlora dhe Korça.

Në vitin 2021, konsumi mestar i një familjeje në rang vendi ishte 84 mijë lekë në muaj, ndërsa shihet se vetëm Tirana konsumon mbi këtë nivel me rreth 99,417 lekë në muaj për familje.

Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.591 lekë dhe Fieri me 80.752 lekë në muaj për familje. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 71.636 dhe i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për familje. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Vlorës me 4,2 %, ndjekur nga qarku i Kukësit me rreth 2,0 %.

Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore në një intervistë të mëparshme tha se se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Sipas saj, duhet një studim i thelluar i pabarazive, shkaqeve dhe parashtrimi i alternativave për ndërhyrje. Më tej, një programim i qartë i investimeve të paktën në terma afatmesëm (plan investimesh i qartë dhe i publikuar).

Sipas saj shpërndarja e burimeve të rritjes në territor është përcaktues për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi, shtoi ajo. /Monitor/

Thellohet pabarazia ekonomike e qarqeve, vetëm Tirana shpenzon mbi

Thellohet pabarazia ekonomike e qarqeve, vetëm Tirana shpenzon mbi