zoom

Blog

Ju lutemi kryeministër, mund të shkruani shqip?

“Ata që e shkruajnë më mirë gjuhën shqipe sot në Shqipëri janë kinezët, është fakt,”- do të shprehej tre vite më parë Edi Rama dhe nuk e kishte keq.

Vetë kryeministri sot, përmes një postimi në Twitter do të ekzekutonte një “lajthitje” të pastër gjuhësore.

“I mbresuar shumë pozitivisht nga shefja e re e UNMIK-ut Caroline Ziadeh.”

Nëse “i mbresuar” ju bëri përshtypje, dijeni se nuk jeni të vetmit. Tingëllon e padëgjuar dhe ja pse; s’figuron gjëkundi.

Një “prodhim” kryeministror që nuk pi ujë në fjalor. Si mund të ishte shprehur shqip dhe qartë Rama?

“Më la mbresa pozitive shefja e re e UNMIK-ut”

ose 

“Plot me mbresa pozitive prej shefes së re të UNMIK-ut”

ose ose

”I mahnitur nga shefja e re e UNMIK-ut”.

Duhet thënë se “i mbresuar” shkatërron lokucionin shqip “lë mbresë” dhe nuk është aspak një “krijesë” organike e shqipes, përkundrazi veçse një formulë e gatshme nga anglishtja, “impressed positively”.

Përgjatë karrierës së tij politike, Rama është cilësuar si zotërues i mirë i shqipes, nisur nga fjalimet dhe batutat karakteristike, çfarë duket se i kanë dhënë hov për një hap më tej, krijimin e fjalëve të reja shqip.

Nën delirin e mjeshtërisë së gjuhës shqipe, kryeministri i ka lejuar vetes të hedhë në treg edhe “mitigoj”, përdorur për të thënë zbut ose lehtësoj, “risi” për të cilën zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk ka humbur kohë dhe e ka përvetësuar menjëherë. Mos vallë Rama, “të vetët”, kabinatin qeveritar e sheh si hallkën e parë të institucionalizimit gjuhësor? Kushedi./ Zoom.al