zoom

Aktualitet

Pse po paguhen inceneratorët kur nuk ka djegësa? Ku shkojnë paratë e shqiptarëve?

Prej dhjetorit të shkuar, pronarët dhe administratorët e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës gjenden në arrati, pasi mbi ta ekziston një urdhër arresti i Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Ndonëse kanë më shumë se 8 muaj nga ky moment, asnjë prej organeve ligjzbatuese nuk ka asnjë lloj informacioni mbi ta, pavarësisht se opozita në vijimësi ka ngritur dyshime se ata ndodhen në Shqipëri.

Prej asaj kohe, përveç inceneratorit të Elbasanit, i cili bëri disa përpjekje për t’u vënë në punë, asnjë prej tyre nuk djeg mbetje.

Por sikur të mos mjaftonte fakti që Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services janë në arrati dhe që mbi të gjitha asnjë prej inceneratorëve nuk është në punë, qeveria vijon t’i paguajë ato duke respektuar çdo detyrim kontraktual të lidhur para se ata të shpalleshin në kërkim.

Dhe nuk bëhet fjalë për pagesa të vogla, por qeveria i paguan kompanive të Gugalles dhe Zotos 29 euro për ton, sikur plehrat të digjeshin çdo ditë në këto djegësa dhe sikur qytetet e Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe ato afër tyre të ishin sot më të pastra, çka nuk është e vërtetë.

Thënë ndryshe, qeveria u jep të shpallurve në kërkim për inceneratorët, që nuk djegin asnjë mbeturinë, sepse nuk ekzistojnë, 2.4 milionë euro në muaj apo 28.8 milionë euro në vit.

Madje në Tiranë, Bashkia e paguan prej gati tre vitesh kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin e inceneratorit, duke i dhënë plot 29 euro për ton, ku edhe sipas kontratës ne fuqi derisa te funksiononte inceneratori do duhej paguar veç 12 €/ton.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është se kujt ia paguan qeveria paratë e inceneratorëve, ndërkohë që pronarët e tyre janë në arrati dhe kur të gjitha llogaritë bankare të tyre janë të bllokuara.

Në rastin e inceneratorit të Elbasanit situata është edhe më absurde, pasi gjatë momentit të arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka dhe shpalljes në kërkim të Gungalles dhe Zotos, prokuroria bëri edhe sekuestrimin e inceneratorit.

Natyrisht që ky është luks i madh për qeverinë, e cila ka lënë pensionistët dhe qytetarët në nevojë të vetëm përballë krizës së rritjes së çmimeve, ndërsa paguan çdo muaj 2.4 milionë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë.

Provat se inceneratorët janë një mega-aferë korruptive sa vijnë e bëhen më të dukshme.
SPAK ka kryer veprime e arrestime për Elbasanin e Fierin, por për Tiranën ende asgjë.
Opozita thotë se në Tiranë afera shkon deri te kryebashkiaku Erion Veliaj.

Presioni ndaj SPAK është rritur, por prokurorët duken të avashtë në veprime kur bëhet fjalë për inceneratorin e Tiranës, që sipas opozitës, është pjesa nënujore e ajsbergut të korrupsionit me këto projekte. / Zoom.al