zoom

Blog

Dasma pa “nusen”!

Nga Edi Oga

Lexoj në rrjet postime personash të irrituar nga mosprezenca e Dua Lipas në koncertin-biznes të kompanisë së babait të saj dhe Bashkisë së Tiranës. Më e bukura është se ata që janë të nxehur nga ky fakt, përfshirë edhe mua, nuk kanë qenë fare në atë koncert, pra nuk kanë paguar 100 a më tepër Euro për të parë e dëgjuar dikë që nuk erdhi.

Përse ne që nuk kemi qenë nxehemi, ndërsa ata që nuk panë atë për të cilën paguan, nuk reagojnë? Sepse ne kuptojmë se sa tregues i keq është toleranca dhe pranimi i kësaj që ka ndodhur. Disa miq ekonomistë e kanë shpjeguar këtë model të njohur biznesi dhe paralajmërojnë një dështim të vazhdimësisë së tij, por unë nuk bindem.

Në edicionin e radhës, do vijnë artistë edhe më modestë dhe do të ketë akoma më tepër publik. Sepse një pjesë e madhe e njerzve sot, janë më fallco se një paruke. Ata nuk paguajnë për t’u zbavitur me atë për të cilën kanë paguar, por për t’u bërë pjesë e komunitetit ‘a ishe edhe ti në festival?’

Të rinjtë sot mund të marrin borxhe e kredi, për të blerë akses në evente të rankimit të statusit. Të dish të hiqesh për më lart se ç’je, për fat të keq, është ‘virtyti’ në majë të sistemit aktual të vlerave dhe si i tillë, kushton!