Aplikacion
Mbledhja e thirrur pa axhendë paraprake u tensionua pas një propozimi të ish-zv. ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Gjon Radovani për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Shqipërisë. Komiteti nuk arriti në konsensus, por sipas dy prej anëtarëve të Komitetit, Këshilli i Ministrave e qarkulloi dokumentin si një vendim qarkullues, duke marrë firmën e 3 prej 5 anëtarëve të komitetit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ky dokument është gurthemeli i procedurave që çuan në lidhjen e kontratave të partneritetit publik privat për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fieri.
Prej vitesh, kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, të cilat llogaritet të kapin një vlerë më të madhe se 430 milionë euro, kanë qenë në qendër të akuzave për shpërdorim detyre nga zyrtarë të lartë dhe ministra.
Deri në muajin shkurt, buxheti i shtetit ka paguar 91.5 milionë euro – pa llogaritur TVSH-në për këto kontrata, nga të cilat 55 milionë euro kanë shkuar për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
ÇFARE DIHET DERI TANI PER AFEREN E INCENERATOREVE
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe sekretari i tij i Përgjithshëm, ish-deputeti Alqi Bllako u arrestuan me urdhër të SPAK. Bashkë me Bllakon 9 zyrtarë të tjerë u lanë në arrest me burg dhe arrest shtëpie, me akuzat për shpërndorim detyre në dhënien e kontratës së Fierit.
Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.9 milionë euro nga një skemë për të kaluar paratë nga Inceneratori i Elbasanit. Ai kishte krijuar 8 kompani fiktive, që paguheshin nga kompania e bosit të inceneratorëve, Klodian Zoto, pa bërë asnjë punë.
Skema u zbulua fillimisht nga ish -Partia e Lefter Kokës, Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ajo denoncoi në SPAK, teksa dy denoncime të tjera ishin bërë nga PD dhe Nisma Thurje.
Pas 1 viti hetimesh, SPAK urdhëroi arrestimin e Kokës dhe të Klodian Zotos së “Integrated Energy”, Stela Gugallja të “Albtec Energy” dhe bashkëshortit të saj Klodian Mërtiti, mik i zëvendës kryeministrit aktual Arben Ahmetaj.
Koncesioni i Elbasanit ishte i pari në radhë. Ai u dha në vitin 2014 pas një oferte të pakërkuar nga Albtech Energy, dy muaj pas kërkesës. Në garë mori pjesë vetëm Albtech, që fitoi kontratën me vlerë 22 milionë euro.
Kur akuzat shpërthyen, Edi Rama çoi në inceneratorin e Elbasanit të gjithë grupin parlamentar të PS, për të bërë fushatë elektorale. (Foto poshtë)
E njëjta skemë korruptive duket se është edhe për Incneratorin e Tiranës. Denoncimi ka ardhur po nga LSI. Kryetarja e kësaj froce politike, Monika Kryemadhi us hpreh se 24 kompnai kanë bërë sipas saj 30 milion euro evazion fiskal. Pavarërisht këtij denoncimi të fortë, dosja e Tiranës nuk është prekur ende.
Partia Demokratike, kur drejtohej nga Lulzim Basha, ngriti edhe një komision hetimor. Pavarësisht dyshimeve se komisioni ishte ngritur në marrëveshje me Edi Ramën për ta mbyllur aferën, kryetarja Jorida Tabaku kërkoi hetimin e Erion Veliajt, Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit dhe vetë Edi Ramës.
Opozita thekson se Damian Gjiknuri ka bërë 19 udhëtime jashtë vendit me Klodian Zoton dhe nuk e justifikon qëllimin. Ka dyshime të forta që edhe Erion Veliaj ka udhëtuar, por policia nuk ia dha komisionit hetimor parlamentar të ngritur nga PD, të dhënat e sistemit TIMS.
Teksa SPAK ende nuk ka hapur dosjen e inceneratorit të Tiranës, opozita thotë se prokurorët e SPAK kanë presione nga qeveria. Një sulm i kryeministrit Rama pak javë më parë u komentua si presion mbi këtë çështje.
LSI thotë se Klodian Zoto ka ngritur 24 kompani fiktive për të përfituar 30 milionë euro. Një i moshuar 94 -vjeçar, Thanas Çani, të cilit i kanë kaluar 30 milionë euro pa qenë në dijeni, në një kompani që ai nuk kishte dijeni se ishte krijuar së bashku me 90 -vjeçaren Haxhire Gurakuqi, dyshohet të jetë i afërm i sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurit, sipas opozitës. Gjiknuri nuk i ka mohuar akuzat.
Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet pas denoncimit të LSI për evazionin e 24 kompanive. Sipas saj, në total evazioni arrin në 189 milionë euro.
Disa prej kompanive, në librat e shitjes faturojnë se kanë blerë fruta dhe kanë shitur hekur e beton.
Për të humbur gjurmët sipas kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që nuk kishin lidhje me to. Një kompani me vlerë 6 milionë dollarë iu shit një kamarieri.
Në Sharrë kompania fituese e inceneratorit ende nuk ka vendosur asnjë pajisje. Ajo ka ndërtuar vetëm 3 vaska betoni dhe një serë me domate.
E gjithë skema, thotë opozita, është bërë me bekimin e kryeministrit. LSI ka akuzuar për përfitime nga edhe Lulzim Bashën. Akuzat po vërshojnë edhe nga Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, pasi Tatimorët nuk i kanë bllokuar kompanitë e përfshira në evazion fiskal.
Klodian Zoto dhe Stela Gugallia, dy nga personat përfitues të këtyre kontratave ndodhen në arrati, ndërkohë që kompanitë e tyre vijojnë të paguhen rregullisht nga qeveria shqiptare në bazë të kontratave që janë nën hetim.
Zyrtarisht hetimet për kontratën më të madhe, atë të inceneratorit të Tiranës, vazhdojnë. Për opozitën, Tirana është afera më e madhe. Ajo kërkon arrestimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt, i cili sipas saj ka firmosur një dokument kompromentues, duke marrë përsipër vendime që i takojnë Këshillit Bashkiak.
SPAK ka deklaruar se pavarësisht presionit politik, do të vijojë hetimet. Organizmat ndërkombëtarë reaguan kur Edi Rama nisi ta godasë fort, duke i kërkuar Prokurorisë së Posaçme që të hetonte edhe në oborrin e opozitës dhe jo vetëm në atë të Partisë Socialiste.
E vërteta është që afera e inceneratorëve s’ka lidhje me opozitën. Gjithçka u ideua dhe u zbatua me ardhjen e Partisë Socialiste në Pushtet. Sot asnjëri nga 3 inceneratorët nuk punon. Por shteti u ka paguar atyre 100 milionë euro. Janë 80 mijë euro që marrin çdo ditë nga buxheti, thotë opozita.
Por kur plehrat nuk digjen, ku shkojnë paratë? SPAK thotë se po i ndjek. Nëse e bën, shpresat se për këtë aferë do të ketë më në fund dritë, janë të mëdha. /Zoom.al