zoom

Aktualitet

Droni i Policisë Rrugore të Tiranës “merr në qafë” rebelët e rrugëve

Patrullat e policisë rrugore të pozicionuar buzë rruge apo një radar automatik për matjen e shpejtësisë nuk janë të vetmet forma që policia e Tiranës monitoron shkeljet e drejtuesve të mjeteve.

Tashmë shkeljet monitorohen edhe nga ajri. Prej kësaj fundjave në terren ka nisur të përdoret “Droni edukues” për të identifikuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Pajisja më e re inteligjente  konstaton kryesisht  shkeljet rrugore të pozicionimit të mjeteve në korsinë apo karrexhatën e duhur, sipas drejtimit dhe qëllimit të lëvizjes, pasi nga analizimet e kryera shpesh kjo sjellje shkaktonte trafik të panevojshëm në shumë akse.

Pavarësisht se intensiteti I lëvizjeve të mjeteve në Tiranë ka rënë, sërish mbeten problematike sjelljet e rrezikshme në drejtimin e mjeteve.

Vetëm gjatë kësaj jave policia rrugore e Tiranës ka arrestuar 39 persona nga të cilët 12 u konstatuan të dehur në timon dhe një tjetër nën efektin e drogës. Ndërsa  8 persona u arrestuan sepse drejtonin mjetin pa patent. Për shkelje të tjera të kodit rrugor vetëm gjatë kësaj jave në Tiranë janë pezulluar 258 leje drejtimi. Policia rrugore është orientuar edhe në akset që të çojnë në bregdet ku dhe lëvizjet janë më të shpeshta.