zoom

Politikë

“Qeni që leh në Prishtinë dhe vllau Vuçiç”, kujt ia adresoi Rama batutat sot në Kosovë

Në Prishtinë u mbajt mbledhja e tetë mes dy qeverive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës. Është hera tretë që këto mbledhje mbahen ku kryeministër i Kosovës është Albin Kurti. Politikani që ndryshe nga kryeministrat e tjerë të Kosovës, ka pasur marrëdhënie me ulje e ngritje me Edi Ramën që qeveris prej 9 vitesh shteti amë.

Ballkani i Hapur është arsyeja e vetme e ndikimit në këto marrëdhënie, e që jo në pak raste kanë nxjerrë në pah dhe divergjenca dhe përplasjet për shkak të refuzimit të Kosovës për të qenë pjesë e nismës që është mbështetur nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Mbledhja e dy qeverive shqiptare, mbahet pikërisht 13 ditë pas samitit të Open Balkans të Ohrit, ku Kosova refuzoi pjesëmarrjen dhe Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina ishin si shtete vëzhguese.

Kosova po e refuzon këtë samit, duke e cilësuar si në kundërshtim me Procesin e Berlinit. Këtë gjë Kurti e theksoi dhe në konferencën që pati me kancelarin gjerman Olaf Sholz ku bëri të ditur se Kosova do të jetë pjesë e vetëm e këtij procesi.

Në fjalimin e tij para ministrave të dy kaheve të qeverisë Rama harroi Ballkanin e Hapur dhe zemërimin që ka ndaj Prishtinës për mos marrjen pjesë në këtë nismë. Por ngacmimi i gazetarëve në konferencën e medias për Ballkanin e Hapur e nxori nga shinat diplomatike Ramën, duke u shfaqur më agresiv në përgjigje dhe nga ana tjetër, kishim një Albin Kurti me qetësinë olimpike e refuzoj në mënyrë kategorike nismën ballkanike të treshes pagëzuese Rama-Vuçic-Zaev.

“Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por ama është po kaq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndan. Kur vjen puna për Ballkani i Hapur apo Procesi i Berlinit, këto janë çështje të natyrës konceptuale. Duhet të ishte shumë çudi sikur unë me Albinin të binim dakord për çdo gjë. Kjo do donte të thoshte që ne do të kishim një problem realisht. Fakti që nuk biem dakord për çdo gjë tregon që jemi në rregull. Mendoj unë!”, tha Rama.

Nga e tij, Kurti iu kundërpërgjigj: Ne jemi në CEFTA siç dihet dhe mbase do marrë së shpejti një fillim të ri procesi i Berlinit. Jemi të interesuar për sa më shumë bashkëpunim, por sot nuk kishim një takim rajonal, por bilateral dhe vëllazëror.

Batuta për qenin që leh

Dy herë radhazi Rama, si gjatë fjalimit, ashtu dhe në konferencën për median përdori batutën për qenin që lehte në momentin e ceremonisë së pritjes zyrtare.

“Nuk mund të lë pa përmendur në mbyllje qenin që lehte përpara dy himneve kombëtare, mbase e keni dhe të xhiruar, dhe pushoi pasi u kënduan himnet. Pasi u kënduan himnet, qeni nuk lehu më. Ky është një qen, i cili mbetet shumë i rëndësishëm nga kjo ditë sepse përben një simbol të lehjeve për arsye tërheqjeje vëmendjeje, por kur ne fokusohemi dhe puna vazhdon, lehjet mbeten mbrapa si në atë shprehjen e bukur popullore: Qentë le të lehin, karvani do të vazhdojë të shkojë përpara”, tha Rama.

Kjo shprehje në mënyrë figurative e Ramës lidhej me ato që sipas tij do vendosin në konflikt atë dhe Kurtin. Qëndrimi ngjante si një replikë direkte ndaj Berat Buzhalës, i cili e akuzonte Ramën se në samitin e Ohrit ishte shprehur se do ta rrëzonte nga pushteti Albin Kurtin. Një shkrim i botuar në portalin në pronësi të Buzhalës, “Nacionale” jepeshin edhe detajet.

https://www.nacionale.com/politik%C3%AB/Edi-Rama-ne-Oher-Do-ta-rrezoj-Albin-Kurtin-deri-ne-shtator-9031

“Dëgjoni këtu, qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit. Për sa kohë Albini nuk del në protestë kundër qeverisë së vetë, nuk ka kush e rrëzon, kështu që nuk ka lidhje kjo. Tani vazhdo me pyetjen”, iu hakërrua Rama, gazetarit nga Kosova që e pyeti “Se ju po punoni për të shkarkuar zotin Kurti”.

Por Rama nuk harroi të përmendte as presidentin serb Vuçiç gjatë fjalës së tij, madje duke mos i lënë ironitë e tij. “Në këtë pikë ne jemi absolutisht të qetë mendoj unë e këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë, e po të shikoni volumin e qeshjeve dhe të auto ironisë që na bashkon reciprokisht, mbase do habiteni e pastaj do thoni që jo, ky nuk qenka vëllai i Vuqiqit, por qenka vëllau i Albinit. Kështu që më lini të rri vëllau i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”, tha Rama.

Ndërsa Albin Kurti lëshoi një cicërimë thumbuese në rrjetet sociale pas mbledhjes së dy qeverive.

“Shqiptarët sot jetojnë më mirë se kurrë. Por ne nuk duhet ta masim suksesin tonë me njëri-tjetrin, por të krahasojmë me botën. Ne kemi nevojë për më shumë unitet mes nesh dhe përafrim në çështjet rajonale dhe të jashtme. Nuk ka dyshim se historia do të na gjykojë se si e përdorim këtë mundësi historike”, shkruan Kurti.

Lajmi i vërtetë i mbledhjeve të dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës nuk janë marrëveshjet e firmosura, por humoret e Ramës, raportet e tij me Albin Kurtin dhe fati i pritshëm i Ballkanit të Hapur, që së fundmi po merr një goditje edhe nga Gjermania./Zoom.al