zoom

Blog

Platforma Matrix, atje ku kriminelët shqiptarë porosisin vrasjet për mijëra euro

Pikërisht teksa emri i Nuredin Dumanit lakohej dhe ai vijonte të ishte në kërkim, asgjë nuk e pengonte atë që të bënte pazare përmes platformave që përdorin kriminelët.

Ai rrëfehet se e takoi Suel Çelën në rrjetin Matrix dhe se ai i dha një kontakt të një mikut të tij, i cili ishte i interesuar për vrasjen e Lulzim Mashës, një biznesmen që disponon shkollën “Wilson”.

Nga ana e tij Dumani delegoi për punën Henrik Hoxhaj, me të cilin foli po në Matrix.

“Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eleminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro.

Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej nipçja dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”. Rikun në Matrix e kam regjistruar kusho. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që m’i kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen.

Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Wilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Gjithashtu, Riku më ka thënë se ndjekjen e pronarit të shkollës Wilson e ka bërë edhe ( x) që , duke informuar Henrikun për lëvizjet e tij pasi banesa e tij ishte afër me lokalin e (X) .

Riku ka ardhur në Kosovë me një makinë Wolksvagen Passat ose Pheiton dhe në bisedë me të i thashë për objektin që duhej të vriste si dhe i dhashë një armë skorpions 7.65 mm të cilën e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku.

Gjatë kohës që unë isha në Kosovë, kam komunikuar me Rikun nëpërmjet telefonit, i cili më kërkoi një automjet për të realizuar atentatin ndaj pronarit të shkollës Wilson. Për këtë unë i kam shkruar (x) , të cilit i kërkova një automjet për punë (atentate) …Makina ishte Golf 4, ngjyrë blu e errët. Këtë makinë Riku e ka marrë dhe e ka sjellë në Tiranë dhe më ka thënë se është në një garazh por se di se ku. Në dijeninë time kjo makinë nuk është përdorur për punë nga Riku. Pagesën për këtë makinë ia ka bërë Riku personit i cili ka dalë me një Jep Cheroke blind.

Riku më ka treguar se, kur ka shkuar të marrë makinën e kanë pritur dy persona, ku njëri prej tyre e ka nxjerrë makinë 30 metra larg nga blindi dhe më pas kanë qëndruar të dy në makinën e blinduar duke pritur mbërritjen e Rikut, “nipçes”… Sipas Rikut njëri nga personat në blind ka qenë trup i mbushur dhe qeros. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma. Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për t’u larguar nga ngjarja.

Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar. Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 Euro.

Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 Euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking i kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkaur te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 Euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 Euro”.

Personi që i ngeci arma dhe që u nënkontraktua për Lulzim Mashën ishte Skerdi Tasi i cili fillimisht u identifikua nga kamerat e sigurisë. Gjatë hetimit në gjykatën e Tiranës Tasi këmbënguli se kishte dashur ta vriste Mashën por nuk e njihte mbasi një person nga makina me Ml e kishte sharë.

Ai ka deklaruar gjatë këtij hetimi: Kam vënë re se drejtuesi i mjetit iku disa metra para dhe u kthye me makinë prapa. Pas këtij momenti kam marrë rrugën dytësore paralel me autostradën duke marrë drejtimin për nga liqeni. Armën e kam futur poshtë xhupit për ta fshehur dhe pasi kam ecur rreth 300 metra nuk jam i sigurt për distancën, armën e kam hedhur në ujrat e liqenit rreth 10 – 15 metra nga bregu. Vendin e mbaj mend nëse shkoj ta shikoj. Pas hedhjes së armës kam vazhduar rrugën e në këmbë për te kryqëzimi tek zona e “21” në Tiranë.

Aty kam gjetur një furgon me të cilin kam udhëtuar në drejtim te Fierit. Armën e kam patur në banesën time në Levan që nga koha e trazirave të vitit 1997. Armën e kisha fshehur tek Liqeni para se të ndodhte ngjarja. Lulzim Mashën nuk e njoh dhe nuk kam asnjë konflikt me të.

Kam pasur konflikte me një person dy javë para ngjarjes, nuk ja di gjeneralitetet por e njoh si fytyrë, ai ka kaluar rastësishëm pranë digës së liqenit dhe mua më ishte fiksuar se ai kalonte në atë vend që unë kam qëlluar me armë. Ju sqaroj edhe njëherë se kam ngatërruar person dhe këtë gjë e vura re menjëherë pasi u afrova te makina mbi të cilin kisha qëlluar me armë zjarri. Në atë moment kam ndaluar të shtënat”.

Çfarë është Matrix?

Dosja voluminoze me anë të së cilës SPAK thotë se ka zbardhur një seri ngjarjesh të bujshme që ka ndodhur në vend që nga viti 2011 në Elbasan, Durrës dhe Tiranë zbulon edhe mjetet e sofistikuara të komunikimit që përdor krimi i organizuar për t’iu shmangur përgjimeve.

E tillë është platforma Matrix e ideuar dhe ndërtuar nga Fondacioni Matrix.org me qëllim mbrojtjen e privatësisë të komunikimit.

Por, çfarë është kjo platformë? Sipas prezantimit që ofron vetë Matrix nuk bëhet fjalë për një aplikacion tradicional, por për një shërbim që u ofron përdoruesve aksesin në një platformë të decentralizuar.

Aksesi sigurohet përmes hapjes së një llogarie dhe instalimit të një shtojce të thjeshtë, qoftë në kompjuter, qoftë në pajisjet telefonike me sistem Android apo iOS qofshin.

Më pas, në platformë mund të hapet një kanal komunikimi, pavarësisht se çfarë aplikacioni komunikimi përdor personi tjetër. Pra, Matrix mund të shërbejë edhe si urë lidhëse mes aplikacioneve të ndryshme të komunikimit.

Përmes Matrix, përdoruesit zgjedhin vetë nëse duan të ruajnë të dhënat e tyre dhe nëse po, ku t’i ruajnë dhe për sa kohë t’i ruajnë. Pra, gjithçka, që nga të dhënat personale deri te bisedat, fotot dhe video-mesazhet nuk ruhen në ndonjë server qendror të kompanive, por vetë përdoruesit shndërrohen në servera falë teknologjisë së decentralizuar, sipas një koncepti të prezantuar prej vitesh nga Linux.

Kjo e bën të vështirë gjurminin e bisedave përmes Matrix dhe pothuajse të pamundur aksesimin e tyre, falë edhe mbrojtjes së dyfishtë të enkriptimit.

Pika e dobët e Matrix për momentin është performanca e ngadaltë kur bëhet fjalë për materiale të mëdha. Por, gjithësesi, në rastin e komunikimeve të thjeshta, siç janë ato me mesazhe, ajo funksionon pa asnjë shqetësim.