Aplikacion
Gruaja mban në kokë një kapuç leshi në ngjyrë vishnje dhe ecën me padurim në një rrugë të përbaltur përbri kantierit të rindërtimit. Mes karabinave të betonit nuk duket asnjë tabelë informuese, por Evelina thotë me bindje se e di ku po hidhen themelet e pallatit të saj të ardhshëm.
“Më në fund nisi edhe gropa jonë,” thotë ajo me entuziazëm. “Pa nisur punimet, nuk ishim të sigurtë se vërtet do të na i ndërtonin”.
Evelina Zguro e humbi apartamentin nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pret prej dy vitesh e gjysmë që qeveria shqiptare t’ia zëvendësojë atë. Mijëra familje të tjera në zonat e prekura nga tërmeti ndajnë të njëjtin shqetësim.
Pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vitin 2019, qeveria shqiptare shmangu ligjin e prokurimit publik dhe aplikoi prokurime të kufizuara përmes marrëveshjeje kuadër për programin e rindërtimit, duke i argumentuar me nevojën për të strehuar në një kohë sa më të shpejtë të prekurit nga tërmeti.
Por në vitin e tretë të rindërtimit, procesi nuk ka garantuar as afatet kohore dhe as kontrata të drejta.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizimit të mbi 700 procedurave prokuruese të shpallura nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 10 bashkitë e prekura tregojnë se përfituesit e mëdhenj të procesit të rindërtimit janë kompani të lidhura me zyrtarë të Partisë Socialiste, fitues të mëparshëm të koncesioneve apo licensave apo kompani me financime të dyshimta.
Në krye të listës qëndron kompania “Kevin Construksion” e zotëruar nga Lavdrim Gjici – vëllai i kryebashkiakut socialist të Kukësit, Safet Gjici.
Ekspertët e financave publike në Shqipëri e kritikojnë procedurën e përshpejtuar për tenderat e programit të rindërtimit. Sipas Aranita Brahajt, drejtore ekzekutive e “Open Data Albania”, këto procedura shmangën garën dhe rritën mundësinë për favorizim dhe klientelizëm.
“Ne themi se ka 150 ndërtues të angazhuar, por aty 10-15% janë kompani vërtetë të angazhuara. Nëse i shikon këto kompani, vihet re se janë po ashtu përfituese të licencave, të lejeve të ndërtimit, janë kompani që është vënë në dyshim edhe integriteti i pronarëve të përfolur për afera kriminale,” tha Brahaj.
Administratori i kompanisë “Kevin Construksion”, Lavdrim Gjici, i konsideron të pabaza dyshimet se kompania që ai drejton mund të jetë “përkëdhelur’ me fonde për shkak të influencës politike të vëllait të tij.
“Unë jam njeri i punës, nuk merrem me fjalë,” tha Gjici për BIRN.
“Le të dalë dikush që ofron gjithë këto punime me kaq lekë sa i kam marrë unë përsipër dhe unë jam gati t’i dorëzoj licencën,” shtoi ai.
Tenderat e rindërtimit
Me një fond të premtuar nga donatorët prej 140 miliardë lekësh [1.15 miliardë euro], programi i rindërtimit u kthye në “vezën e artë” të kompanive të lidhur me ndërtimin, studimin apo projektimin.
Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, gjatë viteve 2020 dhe 2021 u prokuruan kontrata me fond limit prej gati 80 miliardë lekësh [660 milionë euro] në kuadër të programit të rindërtimit.
Duke u bazuar tek një akt normativ i qeverisë “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e fituesve u bënë përmes marrëveshjeve kuadër – procedura të kufizuara ose mbi kufirin e lartë monetar, që sipas zyrtarëve kanë afate më të shkurtra të pritjes së ofertave.
Nga 127 kontrata të publikuara në vitin 2020, njëqind procedura me fond limit prej 63.4 miliardë lekësh vazhduan procesin drejt finalizimit.
Ndërsa në vitin 2021 u publikuan 145 kontrata, por vetëm 132 prej tyre me fond limit prej 17 miliardë lekësh ishin ende në faza të ndryshme të procesit.
Pavarësisht numrit të madh të kompanive të përfshira, eficensa e kësaj procedure prokuruese ka qenë në kufijtë e zeros.
Sipas një analize të Agjencisë së Prokurimit Publik, gjatë vitit 2021 u finalizuan 117 tendera me procedurë të kufizuar, ku ofertat fituese kanë qenë sa 99.3% e fondit limit. Ndërsa në procedurat e kufizuara mbi kufirin e lartë monetar, shteti ka kursyer zero lekë, pasi ofertat fituese kanë zënë 100% të fondit limit.
APP e interpreton përqindjen “në dukje të ulët” të kursimit të fondit limit me mënyrën e përllogaritjes statistikore.
“Marrëveshjet Kuadër shoqërohen me një numër të madh minikontratash, sipas nevojave të autoriteteve kontraktore, ku gjatë minikonkurseve çmimet mund të ulen edhe më shumë. Gjithashtu, theksojmё se jo detyrimisht e gjithё vlera e Marrëveshjes Kuadër ezaurohet,” thekson APP.
Fondet e rindërtimit janë administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 10 bashkitë e prekura nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku kryeson Bashkia e Tiranës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se përgjatë dy viteve i janë miratuar 33.3 miliardë lekë, nga të cilat ka disbursuar 55% të vlerës ose 18 miliardë lekë. Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për të drejtë informimi.
Për ekspertët e financave publike, procedurat e ndjekura me tenderat e rindërtimit bien ndesh me të drejtat dhe liritë ekonomike si dhe nxitën krijimin e konsorciumeve të dyshimta.
Ekspertët shprehin gjithashtu shqetësimin se këto procedura sollën përjashtimin e kompanive të huaja apo të bizneseve të mesme apo të vogla në fushën e ndërtimit, duke favorizuar kontraktorët e mëdhenj të financave publike.
“Ishte procedurë e kufizuar dhe me afate të vendosura në ligj. Një kompani kishte vetëm 10 ditë kohë që të shfaqe interesin. Kjo do të thotë se u skualifikuan të gjithë kompanitë e huaja, të cilat as dokumentin apostil nuk bënin dot për 10 ditë,” tha Brahaj për BIRN.
“U përjashuan ndërtuesit e mesëm dhe të vegjël, që mund ta ndërtonin shumë mirë një shkollë por nuk mund të konkurojnë në një garë ku janë 15 objekte,” shtoi ajo.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se procedurat e përshpejtuara nuk e justifikuan qëllimin e tyre dhe se shumica e afateve u shkelën rrugës.
“Nxitimi është i lidhur me interesin, nuk është i lidhur me shërbimin publik, sepse emergjenca nuk zgjat tre vite, aq më tepër që kemi tejkalim të të gjitha afateve,” tha ai për BIRN.
Preçi thekson gjithashtu se në praktikat më të mira, persona me lidhje politike apo me të shkuar kriminale nuk duhet të përfitojnë nga paratë publike. Por ky nuk është sipas tij rasti i programit të rindërtimit.
Fituesit e mëdhenj
Në procesin e rindërtimit llogaritet të jenë përfshirë mbi dyqind kompani, por kompanitë që fituan vëllime të larta pune numërohen me gishtat e dorës.
Kompania e ndërtimit “Kevin Construksion” u themelua në vitin 2006 nga Safet Gjici dhe i kaloi vëllait të tij në vitin 2014, kur Gjici u emërua fillimisht prefekt dhe më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit.
Konsorciumi i udhëhequr nga “Kevin Construksion” dhe me partnerë Company Riviera 2008, Mela dhe Pepa Group, fitoi dy tendera me vlerë 3.7 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ndërtimin e 1420 banesave individuale në zonat e prekura nga tërmeti.
Pavarësisht volumit të madh të punës, “Kevin Construksion” krijoi konsorcium me kompani të tjera dhe fitoi tre tendera të tjerë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Shijakut – duke e çuar vlerën totale më 4.7 miliardë lekë – ose 14% e të gjitha fondeve në dispozicion të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
“Kevin Construktion” nuk është kompania e vetme e lidhur me zyrtarë të Partisë Socialiste që fitoi tendera nga programi i rindërtimit.
Edhe kompania “Dajti Park 2007” me aksioner Lulëzim Qefalia – vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia ka fituar si pjesë e një konsorciumi tre tendera me vlerë 1.3 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si dhe një tender tjetër prej 545 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës për ndërtime në zonën e Kombinatit.
Në listën e përfituesve të mëdhenj të tenderave të rindërtimit gjenden edhe kompanitë “Ante Group”, “Gjikuria”, “G.P.G Company” apo “Salillari” – tre të fundit kontraktorë gjithashtu të mëdhenj të qeverisë shqiptare.
Konsorciumi i përbërë nga “Ante Group” dhe “Ferro Beton & Construction Co” kanë fituar katër kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 2.2 miliardë lekësh. “Ante Group” udhëheq gjithashtu bashkime operatorësh që fituan 5 kontrata të tjera nga bashkitë me një vlerë totale prej 1.7 miliardë lekësh.
Kompania “Gjikuria” është gjithashtu mes përfituesve të mëdhenj të programit me pesë kontrata me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe dy kontrata të tjera me bashkitë e Tiranës dhe atë të Kurbinit.
Mbajtësja e koncesionit të rrugës Orikum- Llogara ka fituar në total kontrata me vlerë rreth 2.8 miliardë lekësh.
“G.P.G Company” e Paqsor Buzit – një ndër kontraktorët e shpeshtë të punëve publike në Shqipëri fitoi tendera me vlerë rreth 2.3 miliardë lekë nga programi i Rindërtimit si operator i vetëm apo si konsorcium.
Ndërsa kompania “Salillari” – gjithashtu një kontraktor i madh i punëve publike, ka përfituar tendera me vlerë 1.9 miliardë lekë nga programi i rindërtimit.
Në aktin normativ që rregullon procedurat e programit të rindërtimit, qeveria parashikon skualifikimin e çdo operatori të dënuar me vendim të formës së prerë për një sërë veprash penale – përfshirë edhe krimet në fushën e narkotikëve.
Megjithatë, kompania “Alesio- 2014” ia doli të fitojë 3 kontrata si bashkim operatorësh dhe dy kontrata të tjera si operator i vetëm me një fond total prej gati 1.5 miliardë lekë.
“Alesio -2014” është në pronësinë e Anton Gjinajt, i arrestuar në prill 2021 nga policia malazeze në përgjigje të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet spanjolle për një dënim të pakryer për trafik droge.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj ka qenë anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.
Kualifikimi i kompanive si “Alesio-2014” për të fituar nga tenderat e tërmetit e shqetëson Zef Preçin.
“Alessio është kompani që e ka pronarin në burg dhe sipas legjislacionit duhet të ishte jashtë garës,” tha Preçi. “Ti nuk e pengon të bëjë biznes, nuk i mohon lirinë ekonomike, por jo të marrë lekët e taksapaguesve pa u sqaruar situata e tij,” shtoi ai.
Administratori i “Dajti Park 2007”, Lulzim Qefalia mohoi për BIRN që kompania e tij të ishte favorizuar, ndërsa shtoi se përzgjedhja e fituesve ishte bërë në mënyrë elektonike.
“Vëllai im nuk ka pasur asnjë lloj influence. Kemi qenë në konkurrim dhe madje i kemi marrë me humbje,” tha Qefalia.
Administratorja e kompanisë “Alesio-2014” nuk ishte e arritshme për koment, ndërsa kompanitë “Ante Group”, “Gjikuria”, “G.P.G Company” dhe “Salillari” nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.
Zvarritje e afateve
Më 19 mars, kryeministri Edi Rama publikoi një video nga kantieri i rindërtimit në lagjen “Lugina” në Shijak –e pagëzuar prej tij me emrin e ri “Rilindja”.
“…me lagjen e Rilindjes me 665 apartamente, e cila përmbyll edhe Programin e Rindërtimit në Shijak, ku për 802 familje është siguruar një strehë e re pas goditjes tragjike nga tërmeti, ju uroj një fundjavë të mbarë,” shkruante kryeministri.
Megjithatë, premtimi i Ramës duket ende një ëndërr e largët.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit tregojnë se punimet kanë ngecur në vendnumëro në Shijak dhe Vorë për shkak të problemeve të hasura me shpronësimet.
Në Shijak janë parashikuar të ndërtohen 21 pallate shtatë katëshe dhe deri në fund të marsit kishin përfunduar punimet në katër prej tyre. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në Shijak kanë përfunduar 100 apartamente nga 656 gjithsej, ose vetëm 15.2% e totalit.
Ngjashëm edhe në bashkinë e Vorës kanë përfunduar 70 apartamente nga 405 në total, me vetëm 17.3% të punimeve të realizuara.
FSHZH i shpjegon vonesat në Shijak me ndryshimin disa herë të pozicionimit të pallateve brenda zonës që po zhvillohet, për shkak të shpronësimeve të sheshit të ndërtimit. Ndërsa në bashkinë e Vorës, Fondi tha se kontratat nuk janë bërë ende efektive si rezultat i moslirimit të sheshit të ndërtimit, gjithashtu për shkak të shpronësimeve.
Në Valias – pjesë e bashkisë së Kamzës – BIRN verifikoi se disa pallate ende në fazë karabinaje duhej të kishin përfunduar në tetor 2021, por Fondi mohoi që në këtë kantier të rindërtimit të kishte shkelje të afateve.
Në Valias kanë përfunduar 98 apartamente nga 270 në total dhe parashikohet që punimet të përfundojnë në qershor 2022.
Kompania “Kevin Construksion” nisi ndër të parat punimet për ndërtimin e dy pallateve në Shijak, por punimet kanë ngecur prej kohësh. Administratori Lavdrim Gjici fajëson bashkinë për ngecjen e punimeve.
“Shkak i vonesës së punimeve janë problemet me shpronësimet që ka hasur bashkia në këtë zonë. Ne i kemi dërguar disa herë shkresa Fondit Shqiptar të Zhvillimit për zgjidhjes e kësaj situate,” tha Gjici për BIRN.
Por kryetari i Bashkisë së Shijakut, Enton Arbana u shpreh optimist se pallatet bashkë me infrastrukturën do të përfundojnë brenda muajit korrik.
“Aktualisht kanë mbaruar 4 pallate brenda afateve që ne kishim premtuar, por nuk do të futen banorë në to, pasi duam t’i dorëzojmë të gjithë këto pallate së bashku me infrastrukturën dhe të gjithë ndërhyrjen urbane që është parashikuar në këtë zonë,” tha Arbana.
Shkenca Shkodra punon në një minimarket në Shijak dhe vonesa e punimeve e ka dekurajuar.
“Pallati im është i Gjikurisë – nuk ka përfunduar ende si karabina, sa punë ka të futemi brenda,” tha Shkodra për BIRN. “Të shpresojmë që këtë vit të ri së paku të mund të bëjmë gëzuar në shtëpitë tona,” shtoi ajo.
Brahaj nga “Open Data Albania” është gjithashtu skeptike dhe parashikon se programi i rindërtimit mund të zgjasë në rastin më të mirë deri në pesë vite.
“Ne kemi kontrata që janë bërë në vitin 2020 dhe nuk kanë filluar akoma as në vitin 2022. Ne nuk dimë a nuk kanë qenë projektet gati dhe kontratat gabimisht janë prokuruar më herët, a janë spostuar në një moment, që të mos kishte fushatë zgjedhore…,” tha Brahaj.
“Për fat të keq nuk ka afate se kur do të përfundojë,” shtoi Brahaj.
Por koha është e rëndësishme për Evelina Zguron, e cila po shpreson për ditën kur do të ribëhet me shtëpi.
“Unë këtu jam çdo ditë, sa herë kam kohë të lirë. Mezi pres që të futem në shtëpinë time,” përfundoi Zguro./reporter.al
Abuzimet me projektimin e godinave të Policisë, afera në paradhomën e Sandër Lleshajt!