Aplikacion
Ushtria tha se në këto stërvitje do të bëhet një kontroll i gatishmërisë luftarake, në kohën kur tensionet midis Moskës dhe Perëndimit janë rritur për Krimenë dhe Ukrainën.
“Njësitë do të praktikojnë kryerjen e një sërë detyrash, përfshirë edhe organizimin e mbështetjes gjithëpërfshirëse për stërvitje taktike”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
“Ushtrimet luftarake do të mbahen duke përdorur të gjitha llojet e aviacionit, divizioneve të raketave dhe grupeve të ndryshme të anijeve të Flotës në Detin e Zi dhe asaj të Kaspikut”, u shpreh ministria.
Avionët luftarakë dhe bombarduesit do të ushtrojnë për të kryer sulme “ndaj caqeve në distancë maksimale”, deklaruan agjencitë e lajmeve ruse, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Stërvitjet do të mbahen në Gadishullin ukrainas të Krimesë, që Moska ka aneksuar dhe në rajonet në jug të Rusisë, në Rostov dhe Krasnodar. Rusia nuk njoftoi se deri kur pritet të mbahen këto stërvitje. Ukraina dhe Perëndimi kanë fajësuar Rusinë se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, pasi ka vendosur mbi 100,000 trupa në kufi.