zoom

Politikë

Basha zbulon tre amendamentet e PD: SPAK të verifikojë pasuritë e politikanëve

Brenda kësaj jave Partia Demokratike do të dorëzojë në Kuvend tre amendamente që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, vettingun e politikanëve dhe reformën territoriale. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një dalje për mediat jashtë selisë blu se vettingu i politikanëve duhet të bëhet nga një njësi e posaçme e SPAK e cila do të verifikojë pasuritë e çdo politikani duke nisur nga deputetë e ministra te kryeministri e kreu i shtetit.

“Lidhur me kthimin e Shqipërisë në shinat e demokracisë dhe legjitimitetit, grupi I PD ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në parlament amendamentet kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të kushtetutës të 30 korrikut dhe miratimin e komisionit të reformës zgjedhore, amendamentin kushtetues për vettingun e politikanëve në përputhje me Komisionin e Venecias.

Qëllimi është bërë për të bëre vettingun e politikanëve brenda apo jashtë Shqipërisë, është një qëllim legjitim dhe respektojnë kërkesën për proporcionalitet. Këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme e SPAK, për të marrë përsipër verifikimin një për një çdo deputeti, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, dhe çdo politikani për pasuritë e tyre dhe të familjarëve të tyre

Amendamenti i tretë ka të bëjë me reformën territoriale për të kthyer shërbimet e munguara dhe të shkatërruara. Këto tre çështje janë përkthyer në një draft amendamentesh. Qytetarët shqiptarë kanë prioritet demokracinë, vettingun e politikanëve dhe reformën territoriale”, tha Basha.