Aplikacion
Anija ndodhet tanimë në verilindje të ishullit Ereikousa, pranë Korfuzit dhe kishte itinerar nga Igumenica në Brindisi.
Në bordin e saj ndodheshin 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Në vendngjarje kanë mbërritur tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.
Kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit. Sipas zv.ministrit të Transportit të Greqisë z.Katsafados, deri më tani nuk ka asnjë informacion për të lënduar, ndërkohë që në zonë po operojnë dhe tre helikopterë ndërsa po shkon atje edhe një fregata Ydra e marinës luftarake greke.
Nga numërimi i pasagjerëve në anijen EuroFerry rezultojnë 11 të humbur. Mendohet se këta persona ose ndodhen në anije dhe nuk kanë mundur të evakuohen, ose mund të jenë shoferë që dremisnin në kabinat e kamionëve.
Me këtë traget inbarkohen shumë kamionë me targa turke, bullgare dhe shqiptare që përdorin portin e Igumenicës për Brindizi, pasi çmimet e këtij trageti janë më të lirat në treg për shkak të vjetërsisë së tij dhe konkurrencës mes kompanive greke dhe italiane në tregun e Adriatikut.
Kushtet atmosferike në zonë janë të mira. Nuk dihet ende shkaku i zjarrit, i cili duket se është ende jashtë kontrollit. Në të njëjtën zonë, në dhjetor 2014 ra zjarr në tragetin norman Atlantic, që udhëtonte nga Igumenica për në Ancona, ku humbën jetën 29 persona.