zoom

Day ArchiveDemokratët përjashtojnë mundësinë e zëvendësimit të Biden pas thirrjeve për tërheqje nga gara

Udhëheqës të lartë demokratë përjashtuan të dielën mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë, pas një paraqitjeje të dobët në debat, ndërsa u bënë thirrje anëtarëve demokratë që të përqendrohen në pasojat që do të kishte fitorja e presidencës nga republikani Donald Trump.

Pas shkëmbimit të akuzave disa ditore lidhur me paraqitjen e zotit Biden dhe rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, udhëheqësit demokratë kundërshtuan me vendosmëri thirrjet që partia e tyre të përzgjidhte një kandidat më të ri për të konkurruar në garën presidenciale.

Presidenti 81-vjeçar, Joe Biden, e kaloi të dielën në vendpushimin presidencial “Camp David” me pjesëtarë të familjes, ku e ardhmja e tij politike mund të ketë qënë një nga temat e bisedimeve.

Ndërsa vazhdojnë thirrjet që zoti Biden të tërhiqet nga gara, një anketë pas debatit, nga rrjeti televiziv CBS, tregon një rritje nga 36% në muajin shkurt në 46% tani të demokratëve që besojnë se zoti Biden nuk duhet të kandidoj për president.

“Fatkeqësisht, e vërteta është se Biden duhet të tërhiqet nga gara, për të mirën e vendit, të cilit i ka shërbyer në mënyrë kaq të admirueshme për gjysmë shekulli”, shkruante të dielën në editorialin e saj gazeta “Atlanta Journal-Constitution”, duke theksuar si të nevojshme daljen e tij në pension.

“Absolutisht jo”, tha Senatori Raphael Warnok i Xhorxhias, i cili shihet si një nga demokratët e mundshëm për të zëvendësuar zotin Biden.

“Debate të dobëta ndodhin”, tha ai në emisionin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Pyetja qëndron se kur ka punuar Donald Trump-i për të tjerët, përveç vetes dhe njerëzve si ai? Unë jam me Joe Biden-in dhe është detyra jonë të sigurohemi që ai të fitojë në nëntor”.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i cili mund të bëhet kryetar vitin e ardhshëm nëse partia e tij siguron shumicën në nëntor, e pranoi paraqitjen e dobët të Presidentit Biden në debatin e parë me kandidatin republikan Donald Trump.

“Besoj se një pengesë nuk është asgjë më shumë se një shtysë për një rikthim të fuqishëm”, tha ai për rrjetin MSNBC. “Pra, momenti në të cilin jemi tani është një moment rikthimi dhe do të kërkojë mbështetjen tonë, të artikulojmë një mesazh largpamës se pse platforma demokrate është e pajisur më së miri për t’i trajtuar sfidat me të cilat përballet populli amerikan”.

Një tjetër figurë e lartë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, James Clyburn, pajtohet. “Ai duhet të qëndrojë në këtë garë dhe duhet ta demonstrojë këtë përmes aftësive të tij për ta udhëhequr vendin”, tha ai për rrjetin CNN.

Republikanët i kritikuan ashpër pretendimet e demokratëve se paraqitja e dobët është diçka që ndodh.

“Ideja se Biden-i kishte një natë të keqe, nuk përbën thelbin. Ai ka patur një presidencë problematike dhe një debat katastrofik”, tha për rrjetin CNN Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut.

Por gjatë debatit presidencial, kandidati Trump lëshoi një breshëri kritikash, shumë prej të cilave, të pavërteta të përsëritura prej shumë kohësh, mes tyre pretendimet për një valë krimesh nga emigrantët, se demokratët mbështesin vrasjen e bebeve të sapolindura dhe se ai në fakt i fitoi zgjedhjet e vitit 2020.

Plagoset me armë 43-vjeçari, shpallen në kërkim dy vëllezër

Një 43-vjeçar është plagosur me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobta.

Si autorë të ngjarjes janë shpallur në kërkim dy vëllezër.

Njoftimi i policisë:

Kavajë/ Plagosën me armë zjarri gjatë një konflikti për motive të dobëta një shtetas, Policia identifikon autorët dhe vijon kontrollin e zonës për kapjen e tyre.

Më datë 30.06.2024, rreth orës 18:50, në fshatin Luz i Vogël, pas një konflikti që dyshohet për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar, konkretisht dy vëllezërit F. D. alias B. T., 32 vjeç, dhe V. T., 26 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të plagosjes së 43-vjeçarit, i cili ndodhet për ndihmë mjekësore në spital jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Sondazhet: Partia e Le Pen fiton raundin e parë të zgjedhjeve! Macron, i treti

Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, i Marine Le Pen ka dalë fituese në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Francë më 30 qershor, sipas sondazheve.

Sondazhet e kryera nga Ipsos, Ifop, OpinionWay dhe Elabe parashikuan që partia e Le Pen do të fitojë rreth 34 për qind të votave.

Pas mbylljes së vendvotimeve, Le Pen iu adresua votuesve duke kërkuar që t’i japin Tubimit Kombëtar një “fitore absolute” në Parlamentin prej 577 ulësesh.

Sipas projeksioneve, aleanca e krahut të majtë e Frontit të Ri Popullor ka fituar 28.5-29.1 për qind të votave, ndërkaq e treta radhitet aleanca centriste e Macronit 20.5-21.5 për qind.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kishin rreth 49 milionë votues.

Rezultati përfundimtar do të varet gjatë negociatave që do të zhvillohen para rundit të dytë të zgjedhjeve, që mbahen më 7 korrik.

Zbuloni a e mbron kafeja mëlçinë nga prekja e sëmundjeve

Një studim i ri i kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar se konsumi i kafesë shoqërohet me një rrezik të ulur të sëmundjeve të mëlçisë.

Ky studim, zbuloi se pirësit e kafesë kishin 21 % rrezik më të ulët për sëmundjet e mëlçisë dhe 49 % rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundja kronike e mëlçisë.

Ndërsa përfitimet shëndetësore dukeshin më të larta tek njerëzit që pinin kafe të bluar. Sipas studiuesve, kafeja e bluar përmban nivelet më të larta të disa përbërësve që mendohet se mbrojnë nga sëmundja e mëlçisë.

Edhe pse studiuesit ende po mësojnë se si kafeja mund të luftojë sëmundjen e mëlçisë, ata dyshojnë se kjo është për shkak të vetive anti-inflamatore ose anti-fibrotike.

Ato thonë se kafeja mund të përdoret si një mënyrë e përballueshme, për të ndihmuar në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të mëlçisë.

Kafeina dhe shëndeti i mëlçisë

Ky studim shton provat në rritje se kafeja ofron përfitime për shëndetin e mëlçisë.

Shumë studime të mëparshme tregojnë për një rrezik më të ulët të cerozës, përmirësime të sëmundjes së mëlçisë yndyrore, nivele më të ulta të shtrimit në spital dhe vdekshmërisë nga ceroza.

Gjithashtu studimet kanë treguar se konsumi i kafesë është i lidhur me uljen e niveleve të enzimave të mëlçisë.

Nivelet e larta të enzimave të mëlçisë ndonjëherë mund të jenë shenjë e inflamacionit ose dëmtimit të mëlçisë.

Sipas studiuesëve është e vështirë të përcaktohet se si dhe pse, kafeja mund të luftojë sëmundjen e mëlçisë.

Dhe sipas tyre mund të ketë edhe faktorë të tjerë kontribues që nuk janë identifikuar ende.

Prandaj nevojiten më shumë kërkime për të mësuar sesi kafeja, mund të përmirësojë problemet e mëlçisë.

Sa kafe duhet të pini?

Ekspertët rekomandojnë një deri në dy filxhanë me kafe të zezë, në ditë.

Njerëzit që shfaqin urth ose kanë probleme gastrointestinale duhet të përshtasin konsumin e sasisë së kafesë në varësi të tolerancës që kanë.

Përveç kësaj, njerëzit me sëmundje të rënda kardiake ose presion të lartë të gjakut duhet të shmangin kafenë e tepërt nëse përkeqëson gjendjen e tyre./AgroWeb.org

 

 

Iu sekuestruan miliona euro pasuri, Kristian Boçi: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me kombin

Kristian Boçi ka reaguar sërish pasi Prokuroria e Tiranës i sekuestroi së bashku me 6 persona të tjerë, pasuri me vlerë 50 mln euro që dyshohet se janë arritur përmes pastrimit të parave dhe të ardhura të fituara nga aktiviteti i drogës.

Biznesmeni shprehet se ligji ka të drejtë ta kontrollojë dhe verifikojë pasurinë e tij.

Ai theksoi se një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me kombin e vet.


“Para Zotit përulem dhe ndërgjëgjsohem. Siç paça zemren, ma boftë jetën. Lajmet e këtyre ditëve? Ka krejt të drejtën e vet ligji mem pa, mem kontrollu, e mem verifiku. Një shtet pa ligj, është si një shtëpi që e drejtojn fëmitë. Një Shqiptarë i vërtetë, nuk abuzon me Kombin e vet. Ju bekoftë Zoti dhe faleminderit për çdo Sms përkrahës”,
shkruan Kristian Boçi.

Mbahet raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë!

Francezët votuan këtë të dielë në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund ta sjellin në pushtet qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 49.5 milionë francezë me të drejtë vote do të zgjedhin 577 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Presidenti Macron e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme pasi partia e tij u mposht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Shumë analistë thonë se vendimi i zotit Macron ishte një “veprim i guximshëm”, ndërsa sondazhet tregojnë se “Bashkimi Kombëtar” pritet të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare.

Qytetarët francezë hodhën votën e tyre në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, që mund ta sjellin në pushtet qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, një ndryshim i mundshëm në zemër të Bashkimit Evropian.

Rezultati i zgjedhjeve me dy raunde, raundi i dytë do të zhvillohet në 7 korrik, mund të ndikojë në tregjet financiare evropiane, mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe mënyrën se si menaxhohet arsenali bërthamor i Francës.

Shumë votues francezë janë të pakënaqur nga inflacioni dhe situata ekonomike, duke fajësuar udhëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron, të cilin ata e shohin si arrogant dhe larg realitetit. Partia kundër imigracionit e zonjës Marine Le Pen “Bashkimi Kombëtar”, që tani ka një drejtues të ri, e ka shfrytëzuar këtë pakënaqësi duke apeluar tek elektorati francez përmes rrjeteve sociale, si TikTok, dhe ka dominuar në sondazhet parazgjedhore.

“Është e habitshme që pak javë pas zgjedhjeve evropiane të shkojmë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ishte e papritur. Një shpërbërje e papritur e Asamblesë Kombëtare”, thotë Serge Bonnefoi, votues.

“Nuk e prisja të votoja kaq shpejt, por do të bëj detyrën time si qytetar. Mendoj se vendi po përjeton vështirësi në qeverisje. Duhet të votojmë. Shpresoj që të rinjtë të votojnë dhe t’u japin një tronditje të madhe politikanëve”, thotë Olivier Sauvage, votues.

“Është e rëndësishme të përpiqemi të kthehemi në një lloj normaliteti, të paktën atë që unë e konsideroj normale dhe të përpiqemi ta bllokojmë ekstremizmin”, thotë Eveline Kosuth, votuese

Rreth 49.5 milionë francezë me të drejtë vote do të zgjedhin 577 anëtarë të Asamblesë Kombëtare.

Shifrat e mesidtës tregojnë për një pjesmarrje prej rreth 25.9% të votuesve, sipas shifrave zyrtare, shumë më e lartë se në vitin 2022, që për të njëjtën periudhë ishte 18.43%.

Presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij votuan në Le Touquet, një qytet bregdetar në Francën veriore. Kundërshtarja e tij, Marie Le Pen votoi në bastionin e partisë së saj, në Francën veriore.

Presidenti Macron e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme pasi partia e tij u mposht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga “Bashkimi Kombëtar” i Marine Le Pen-it. Shumë analistë thonë se ky veprim i zotit Macron ishte një “bast i guximshëm”, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë se “Bashkimi Kombëtar” pritet të fitojë shumicën parlamentare.

Në këtë skenar, zonja Le Pen ka thënë se aleati i saj, 28-vjeçari Jordan Bardella do të marrë postin e kryeministrit. Sipas ekspertëve, diplomacia franceze mund të përjetojë një periudhë të turbullt, pasi zoti Macron ka thënë se do ta mbajë postin e presidentit deri në fund të mandatit në vitin 2027, dhe zoti Bardella, në postin e kryeministrit, do të përpiqet të ushtrojë të drejtën e tij për të folur në emër të Francës.

Franca ka pasur tre periudha “bashkëjetese”, kur presidenti dhe qeveria ishin nga kampe të kundërta politike në historinë e saj të pasluftës, por asnjë me botëkuptime të tilla, rrënjësisht të ndara që konkurrojnë për të drejtuar vendin.

Zoti Bardella ka lënë të kuptohet se do ta sfidojë Presidentin Macron për çështjet globale. Franca mund të kalojë nga të qenit një shtyllë e BE-së në një halë në sy, duke kërkuar uljen e kontributit francez në buxhetin e BE-së, dhe përplasur me Brukselin për postet udhëheqëse në Komisionin Evropian, mes të tjerash./VOA

“Komandant suprem, po të presim”- Në veri shfaqen mesazhe dedikuar Vuçiçit

Në veri të Kosovës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë hapur rast për “nxitje të urrejtjes”.

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.

Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por “policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”.

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.

Radio Evropa e Lirë ka parë disa zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut duke larguar këta posterë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterëve në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiç. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla në Facebook.

Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.

Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe grupin e tij autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Këtë kërkesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë rundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor. BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Armand Duka i heq vulën Fidel Yllit! Zbardhet vendimi

Gjykata e Arbitrazhit për Sport ka vendosur në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë më 10 janar 2021.

FSHF çoi për t’u gjykuar konfliktet dhe mosmarrëveshjet me KOKSH në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv me seli në Lozanë të Zvicrës.

“CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH, e cila kishte miratuar statutin e ri, Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit“, thuhet në vendim.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin:

Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) ka vendosur në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021.

Pikat Kryesore të Vendimit:

1. Vendimet e Asamblesë së KOKSH shpallen të pavlefshme: CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH, e cila kishte miratuar statutin e ri, Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.

2. Parregullsi Procedurale: CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.

3. Mbrojtja e të drejtatve të FSHF-së: Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht duhet për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.

4. Rimbursim Financiar: KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 CHF për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.

FSHF është e kënaqur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin, i cili korrigjon problemet thelbësore të anëtarësisë së KOKSH.

Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së integritetit dhe drejtësisë në qeverisjen e sportit në Shqipëri si dhe thekson faktin se si pasoje e tij, te gjitha asamblet e KOKSH te zhvilluara pas dates 10 janar 2021 jane absolutisht te  pavlefshme.

Humbi mamanë në dhjetor – Ana Lika rrëfen mes lotësh pengun e saj

Mamaja e aktores Ana Lika u nda nga jeta në dhjetor të vitit të shkuar, pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Në intervistën e parë të dhënë që pas asaj ngjarjeje të dhimbshme në familje, Ana Lika rrëfeu për përjetimet e saj dhe përmendi edhe pengun që e shoqëron që prej atij momenti.

Aktorja tha në “S’e luan Topi” se i ka mbetur pishman që nuk e tregoi mjaftueshëm dashurinë për nënën, gjatë kohës që ajo ishte pranë saj.

“Kuptova që nuk do ta përqafoja më edhe pse kur u nis për Itali më premtoi që do të kthehej prapë. 48 vjeç ndërroi jetë.

Më mbetën peng shumë gjëra, por thellë thellë më njihte shumë mirë, mjaftonte të më shihte në sy dhe kuptonte se çfarë kisha unë në ato momente.

E vetmja gjë që mund të më kishte ngelur pishman, mbase nuk i kam thënë mjaftueshëm se sa e dua, por ia them çdo natë që të kompensoj ato ditë që nuk ia kam thënë”, tha Ana Lika.

Italia kampione u eliminua nga Euro 2024 – Donnaruma: Më dhemb, zhgënjyem tifozët

Italia doli kokëulur nga ky Europian.

“Axurrët” u eliminuan pas humbjes me Zvicrën, ndërsa zhgënjimi te tifozët ishte i madh.

Kapiteni italian Gianluigi Donnarumma kërkoi ndjesë para tifozëve, duke shprehur keqardhjen e tij.

“Më dhemb, shumë keq. Ne u kërkojmë falje të gjithëve. Sot ju zhgënjyem dhe tifozët nuk e merituan, nuk ka asgjë më shumë për të thënë. Eliminimi është i merituar, ndonëse nga mënyra se si erdhi është shumë e vështirë për t’u kapërdirë.

Pjesa e parë shkoi shumë keq, më pas u desh të reagonim në të dytën dhe në vend të kësaj pësuam menjëherë golin e dytë. Nëse i mungonte guximi? Na mungonte gjithçka, cilësia, guximi…”, u shpreh Donnaruma.