zoom

Day ArchiveRezidentët e huaj dhe turistët rrisin kostot e jetesës në “lungomaren” e Durrësit

Zona përballë shëtitores bregdetare në Durrës është mbushur me pallate deri në 25 kate, të ndërtuara kryesisht pas viteve 2000.

Interesi i banorëve për tu jetuar në këtë territor u rrit veçanërisht në 5 vitet e fundit, kur të huajt filluan të marrin banesa me qira ose të blejnë apartamente.

“Pamja e detit, e cila ne durrsakëve nuk na bën përshtypje, i tërheq më shumë se sa gjithçka të huajt,” tha për BIRN Florian Tahiri, i cili drejton një agjenci immobiliare.

Më pas ai rendit edhe një sërë lehtësish të tjera për banorët e rinj të zonës, siç janë afërsia me qendrën e qytetit, me institucionet bankare, autobusët urbanë, baret dhe restorantet më të mira në Durrës, si dhe shëtitorja, e cila në mbrëmje është hapësira më e frekuentuar.

Kjo e ka rritur së tepërmi vlerën e apartamenteve, garazheve dhe lokaleve të shërbimit në lagjen nr 1, siç emërtohet ajo zyrtarisht.

“Që nga viti 2019, numri i shitjeve u dyfishua,” tha Floriani, sipas të cilit njëlloj u dyfishuan edhe çmimet e apartamenteve, si në shit-blerje, edhe në qiradhënie.

Italianët, veçmas pensionistët, përbëjnë grupin më të madh të interesit, por nuk mungojnë edhe polakë, çekë, rusë e ukrainas, pa folur për turistët, të cilët qëndrojnë në periudha të shkurtra me qira.

Hasan Hashuli, i cili bashkë me një koleg administron dy nga pallatet e ngritur 20-vjet më parë, konfirmon se numri i të huajve në lagje është rritur ndjeshëm.

“Janë 12 familje të huajsh në dy pallate, kryesisht italianë, tha Hasani, sipas të cilit disa apartamente të tjerë janë adoptuar për qëndrime disa-ditore,” tha ai.

“Pa folur për ndonjë tjetër banor, që e jep apartamentin për të huaj, ndërsa është transferuar vetë në lagjet periferike, ku çmimet janë më të ulta,” shtoi Hashuli.

Por lagjia po njeh edhe një rritje jopërpjestimore të çmimeve të shërbimeve dhe të mallrave ushqimore.

“Fruta – zarzavatet në tregtoret e lagjes kanë çmime 15-20 përqind më të larta,” tha për BIRN Masimo Biz, i cili që prej një dhjetëvjeçari jeton me familjen në një nga pallatet buzë rrugës.

Masimo ka vënë re se çmimet janë më të larta në dy ditët e fundjavës se sa gjatë javës. Apo, se ende pa filluar sezoni turistik, çmimet ditore të çadrave të plazhit janë më të larta se sa në vitin e kaluar.

“Unë besoj se më shumë dëmtohen banorët vendas,” tha sipërmarrësi italian që punon në Shkozet, ndërsa shton se kosto e jetesës po bëhet mjaft e shtrenjtë.

Sipas Masimos, “ky fenomen ka ndodhur edhe në vende si Spanja apo Portugalia, dhe nuk çuditem, sikur edhe këtu të ndodhë një ndryshim tjetër i madh.

Aktualisht, kjo është një lagje rezidenciale, ku shumicën e banorëve e përbejnë vendasit, por mbërritja masive e turistëve të huaj, në të ardhmen mund ta kthejë atë në një lagje turistike,” tha sipërmarrësi italian.

“Ligji shqiptar i pengon të huajt vetëm në blerjen e tokave, ndërsa nuk ka kufizime në blerjen e apartamenteve,” tha për BIRN Roland Cobani, administrator i njësisë nr.1 në qytetin bregdetar.

Ai shtoi se po kërkojnë – në bashkëpunim me zyrën e Kadastrës, vendosjen e adresave të sakta për banorët e rinj dhe po të njejtën gjë edhe për emërtesat e rrugëve në këtë zonë mjaft të populluar të Durrësit.

Jeta e lagjes nr 1 është mjaft intensive, veçanërisht në mbrëmje, kur tingujt muzikorë të lokaleve ndonjëherë e tejkalojnë masën.

“Ne të huajt nuk ankohemi për muzikën, por për jetën në komunitet dhe për administrimin e pallatit,” tha Giuseppe Palumbo, një artist napoletan në pension që banon pranë pishinës publike.

Ai shton se për të zhbllokuar rrugën e pallatit ku banon nga automjetet e shumtë të qytetarëve, që nuk gjejnë vende parkimi, jo pak herë kërkojnë edhe ndihmën e Policisë Bashkiake.

“E keqja është se përsëritet shpesh, sidomos në stinën e verës,” tha Palumbo, i cili ka edhe një shqetësim tjetër.

Ai tha se para dy muajsh, ngjitur me trotuarin e rrugës “Taulantia” shtruan një tubacion të ri për të tërhequr ujrat e shiut, në rast përmbytjeje.

“Po gjithçka ka mbetur si më parë, edhe pusetat e hapura pa kapake, edhe kanali i paasfaltuar,” përfundoi Giuseppe Palumbo./ Reporter.al

Bëni kujdes nesër! Meteorologët parashikojnë reshje shiu dhe vetëtima

Ditën e premte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira, të cilat gradualisht do t’ja lënë vendin kthjellimeve, kryesisht në pjesën e dytë të ditës.

Reshjet e shiut me intensitet të ulët e lokalisht mesatar pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit, në veri dhe në qendër të vendit, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Hera-herës reshjet e shiut pritet të jenë edhe në formën e shtrëngatave afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në orët e mesditës reshjet lokale të shiut me intensitet të ulët do të riaktivizohen përsëri por vetëm përgjatë relieveve malore.

Era parashikohet me drejtim veriperëndim me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpjtësi deri në 12m/s. Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 13 deri 29°C
në zonat e ulëta 16 deri 33°C
në zonat bregdetare 16 deri 30°C

Furtunë në Leskovik/ Breshër dhe erë e fortë, rrëzohen pemët (VIDEO)

Leskoviku është përfshirë nga reshje të shumta shiu, shoqëruar me erë të fortë mbrëmjen e kësaj të enjteje.

Nga stuhia mësohet se janë rrëzuar pemë dekorative brenda qytetit, ndërkohë që reshjet e shiut janë shoqëruar edhe me breshër për disa minuta.

Prej kushteve të këqija të motit janë shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike, jo vetëm në qytetin e Leskovikut, por dhe në disa fshatra në afërsi të këtij qyteti.

Grupet e punës të OSSHE janë në terren për rikthimin e energjisë elektrike.

Hetimet e SPAK ndaj Metës e Kryemadhit/ Karamuço bën deklaratën e fortë: Ka letra anonime…

Eksperti i kriminalistikës, Ervi Karamuço analizoi gjuhën e përdorur në dy ditët e fundit nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në dyert e SPAK.

Njëri pas tjetrit, ata u paraqitën para prokurorëve të posaçëm për të dhënë përgjigje për çështje pasurore, lobingjet dhe për materialet e gjetura në celularët e sekuestruar.

Këtë të enjte, Meta iu rikthye akuzave ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, por kjo gjuhë, për Karamuçon, tregon shqetësimin që ka kreu i Partisë së Lirisë nga hetimet.

Sipas tij, për pasurinë e Metës dhe Kryemadhit ka edhe disa denoncime anonime me letra, që përpiqen të zbulojnë nëse ka fshehje të pasurisë ose jo.

“Nëse kamerat do ta kishin shoqëruar do ta kishin vënë re se ai ndryshoi qëndrim. I rregullt dorëzoi orën, shumë korrekt, por më pas… Më pëlqeu bipolariteti. I kanë këto luhatjet e forta kur kanë problematika të mëdha me organet e drejtësisë.

Luhatje kaq të forta tregojnë një shqetësim. Unë nuk e vura drejtpërdrejtë me Metën, por me rojën e Metës. Kur nisi me sharjet roja mori masën që ta largonte, me shumë mundësi është njoftuar, Nuk është strategji, e humbasin kontrollin kanë nervozizëm. Thonë edhe dhe të vërteta.

E vërteta është se është pyetur jo vetëm për pasurinë e bashkëshortes, por edhe të personave të tjerë. Ka letra anonime që janë dërguar në emër të tyre për të cilat tregojnë për pasuri të regjistruar në merret të tyre por pretendohet se janë të tyre”, tha Karamuço.

Bujar Kapexhiu shkakton polemika: Humor bëjnë meshkujt, jo femrat. Ata janë të zgjuar

Karikaturisti Bujar Kapexhiu ka bërë një deklaratë që ka nxitur debat në rrjet.

Gjatë një interviste në “Top Albania Radio”, Kapexhiu është shprehur se humor bëjnë vetëm meshkujt dhe jo femrat, pasi sipas tij, grupimi i fundit nuk karakterizohet nga zgjuarsia.

“Këtë e kam absolute, vetëm mund të jetë ndonjë përjashtim i jashtëzakonshëm në botë, femër që shkruan humor nuk ka, sepse humori është privilegj i të mençurve”, tha ai.

Bujar Kapexhiu vazhdoi më tej me argumentin e tij, duke shtuar se femrat nuk kanë kapacitet për të menduar dhe krijuar një barcaletë.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse barcaletat më të shumta janë për femrat, të krijuara nga meshkujt.

“A e keni vërë re që ka shumë barcaleta për femrat, i sajojnë meshkujt, e dini që ka shumë barcaleta për meshkujt, i sajojnë po meshkuj, se femrat nuk kanë kapacitet për të sajuar barcaleta”, u shpreh Kapexhiu.

EMRI/ 20-vjeçari shqiptar vdes pas sherrit me disa të rinj në Kretë

Një 20-vjeçar shqiptar vdiq pas një sherri me disa të rinj në Kretë të Greqisë.

Sipas mediave greke, i riu Orgito Lloçi u përfshi në një konflikt me tre të rinj nga Rumania, Gjeorgjia dhe Bullgaria dhe dy shtetas grekë.

Pas vdekjes, të riut iu bë ekspertiza mjeko-ligjore, ku mjekët kanë konstatuar se shkaku që ndërroi jetë 20-vjeçari ishin problemet me zemrën.

Orgito Lloçi, sipas mjekëve, ka përjetuar stres dhe komplikacione për shkak të sherrit dhe më pas është rrëzuar në rrugë.

20-vjeçari u transportua në spital, por ai ndërroi jetë.

Olta Gixhari sjell në jetë djalin e dytë, poston foton e ëmbël nga materniteti

Familja e Olta Gixharit është zgjeruar.

Aktorja ka sjellë në jetë këtë të enjte djalin e saj të dytë, duke e çuar në katër numrin e antërarëve të familjes së saj.

Vetë Olta ka postuar foton e parë nga materniteti, pak momente pas lindjes, së bashku me dy djemtë e saj.

Aktorja nuk ka zbuluar ende emrin e djalit të saj të dytë.

Mjekët japin lajmin e mirë, avokati Sokol Mëngjesi del nga koma

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi është përmirësuar.

Mjekët kanë njoftuar se ai ka dalë nga gjendja e komës, ku ishte prej fundit të majit.

Lajmin e mirë për situatën e tij shëndetësore e kanë dhënë mjekët në Greqi, ku Sokol Mëngjesi u dërgua pas disa ditësh i shtruar në spitalin e Traumës.

Kërkesën për transportin e tij në Greqi e bënë familjarët e tij, për një trajtim më të specializuar.

Sokol Mëngjesi u dhunua mëngjesin e 29 majit në zonën e ish-Bllokut me urdhër të Dritan Nanos.

Ai u godit nga Dorian Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku.

ESPN: Mbi 50 mijë tifozë shqiptarë do jenë në ndeshjen me Italinë, rekord për EURO 2024

Rrjeti i njohur televiziv, ESPN raporton se më shumë se 50 mijë tifozë shqiptarë do jenë të pranishëm për të parë ndeshjen me Italinë, një rekord për Europianin.

“UEFA dhe autoritetet gjermane po përgatiten për mbi 50,000 tifozë të Shqipërisë që të marrin pjesë në ndeshjen e së shtunës në Euro 2024 kundër Italisë në Dortmund, thanë burimet për ESPN, në atë që do të jetë kontingjenti më i madh udhëtues i çdo skuadre tjetër përveç vendit pritës.

Kaq i madh është interesimi për lojën në vendin ballkanik, kryeministri shqiptar Edi Rama ka pezulluar parlamentin e vendit për 10 ditë për të mundësuar që mbi 100 ministra dhe parlamentarë të marrin pjesë në ndeshjet e grupit B të ekipit kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Edhe pse Signal Iduna Park, stadiumi vendas i Borussia Dortmund-it, mban rregullisht mbi 81,000 spektatorë për ndeshjet e klubit, tani do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 gjatë Euro 2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë,” raporton ESPN.

“Shumë banorë shqiptarë në Gjermani kanë blerë biletat për paraqitjen e parë të vendit në turne të madh që nga Euro 2016, ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë për shkak se shumica dërrmuese e biletave janë blerë nga tifozët shqiptarë,” thekson rrjeti i njohur.

“I duam taksat sa Erion Braçe”, profesionistët e lirë dhe politikanët në protestë para Kushtetueses

 

Qytetarët, profesionistët e lirë, bizneset dhe politikanët kanë dalë në protestë para Gjykatës Kushtetuese.

Nën sloganin “Më taksoni sa oligarkët” dhe “I shtrenjti profesioni im i lirë”, ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit që i fut profesionistët e lirë në skemën e tatim-fitimit nga Kushtetuesja.

Duke ironizuar mosreagimet ndaj rritjes së ta taksave, pjesë e protestës janë bërë edhe disa dele, që “kërkojnë të shkojnë në plazh, por jo në protestë”.