zoom

Day ArchiveVaji i xhinxherit, mrekulli për shëndetin. Çfarë efektesh ka në organizëm

Rrënja e xhinxherit është përdor ndër shekuj për vetitë e saj antiinflamatore, antibakteriale dhe antimykotike.

Një ndër përdorimet primare të kësaj erëze, qoftë në trajtë pluhuri apo vaji, lidhet me aparatin tretës.

Megjithatë, ekzistojnë dhe përfitime të tjera shëndetësore! Vaji i xhinxherit ka veti unike terapeutike.

1.Përmirëson funksionet e aparatit tretës
Vaji i xhinxherit është një ilaç fantastik për problemet e ndryshme të stomakut. Mund të trajtojë dhimbjen e barkut, dispepsinë, diarrenë, spazmat dhe dhimbjen e stomakut. Për më tepër, vaji i xhinxherit është tejet efektiv kundër të përzierave dhe të vjella! Mund të ndihmojë gjithashtu në trajtimin e ulcerave të stomakut. Për të ndaluar të vjellat ose të përzierat, hidhni një pikë vaj xhinxheri në një gotë me ujë, ose në një filxhan çaji dhe pijeni ngadalë.

2. Trajton infeksionet
Vaji i xhinxherit është një antibiotik natyral. Kjo do të thotë se ka aftësinë të parandalojë përhapjen e infeksioneve ose shumimin e baktereve apo mikroorganizmave në plagë të hapura. Për të ndihmuar trupin tuaj të luftojë infeksionet, provoni të shtoni një pikë vaji esencial të xhinxherit në një gotë uji dhe ta pini.

3. Përmirëson shëndetin e zemrës

Vaji i xhinxherit ka aftësinë për të ulur nivelin e kolesterolit dhe për të parandaluar mpiksjen e gjakut. Veç kësaj, vaji i xhinxherit duket se përmirëson metabolizmin e lipideve, gjë që ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit./Living

Shpërthim i fuqishëm në Tiranë, policia jep detajet e para

Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë.

Sipas policisë, shpërthimi është regjistruar në rrugën “Myslym Shyr”, ngjitur me fushat e tenisit, në një kantier në ndërtim.

Nga ana e grupit hetimor ka dyshime se mund të bëhet fjalë për vendosje tritoli, por në zonë po kryhen ende verifikime për të dhënë detaje të mëtejshme dhe për të zbardhur dinamikën.

Beleri “ndez” debatin në studio – Zëdhënësi i tij përplaset me Petro Koçin: Mos flururo me presh

Zgjedhja e Fredi Belerit eurodeputet ka nxitur përplasje të mëtejshme mes palëve dhe duke shkaktuar paqartësi se çfarë ndodh tani me fatin e tij.

Në studion e “Top Story”, Petro Koçi nga kampi socialist shprehu zhgënjim për Parlamentin Europian që do të përfaqësohet nga dikush si Fredi Belerit.

Por ai u kundërshtua nga zëdhënësi i Belerit, Skerdi Dhuli, i cili akuzoi socialistët se e burgosën politikisht kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës.

Debati mes tyre:

Petro Koçi: Pika PE ku u katandis të vejë Beleri eurodeputet…

Skerdi Dhuli: Të erdhën kolegë me pranga në duar për të votuar reformën në drejtësi.

Koçi: Rama stë ditë që u arrestua Beleri ishte në Tiranë, po të ishte në dijeni të fenomeneve…

Dhuli: Pusho një sekondë!

Koçi: Nuk ndiqej nga policia e zakonshme…

Dhuli: Shkon si eurodeputet kundër Shqipërisë.

Koçi: A sa mirë e the…

Dhuli: Po sigurisht mo, mos fluturo me presh.

Koçi: Bëj kujdes kur flet me mua, ato të preshëve i ke në parti, bëj kujdes me mua.

Dhuli: Më degjo pak…

Koçi: E the me sinqeritet të plotë, eurodeputet kundër Shqipërisë.

Dhuli: Ti nuk e kupton dot këtë se kaq është kapaciteti jot.

Koçi: Sa të kanë mësuar ty, mos e tepro me edukatën. Eurodeputeti kundër Shqipërisë, e the qartazi.

Dhuli: Qetësohu të mësosh disa gjëra.

4 gjermanët bllokohen në mes të malit në Theth, një prej tyre niset me helikopter drejt Traumës

Katër turistë nga Gjermania u bllokuan kë Qafën e Pejës, në Theth pasditen e kësaj të hëne.

Ata po eksploronin në këmbë zonën, kur mbetën të bllokuar. Një prej tyre ishte dëmtuar dhe nuk mund të vijonte rrugën në këmbë.

Turistët njoftuan policinë, e cila kontrolloi zonën me helikopter dhe bëri të mundur lokalizimin e turistëve.

Turisti i dëmtuar u transportua me helikopter në spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore.

Java nisi e nxehtë, por moti “merr kthesë” ditën e enjte. Si ndryshojnë temperaturat

Kjo javë pritet të jetë kryesisht në ndikim të kushteve atmosferike të qendrueshme dhe të nxehta.

Dita e hënë nisi me mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira kalimtare, ndërsa temperaturat regjistruan deri në 37 gradë në zonat e ulëta e ato bregdetare.

E njëjta situatë parashikohet edhe për ditën e martë dhe të mërkurë, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, por termometri zbret deri në 34 gradë në zonat e ulëta dhe në bregdet.

Ditën e enjte pritet që vendi ynë të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme, ndërsa temperaturat do të zbresin më tej në 33 gradë.

Moti parashikohet të jetë me vranësira dhe pas orëve të mesditës mot me kthjellime.

Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në veri dhe qendër të vendit.

Në orët e mesditës reshjet e shiut do të riaktivizohen përsëri, por vetëm përgjatë relieveve malore të vendit.

Ditën e premte moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare.

Era parashikohet të jetë kryesisht nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës kryesisht ditën e hënë pritet të fitojë shpejtësi deri në 12-14m/sek. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 2-3 ballë.

Kursi i euros nën “tutelën” e BSH, por thyen përsëri lehtë minimumin historik

Kursi i këmbimit të euros me lekun ka pësuar një tjetër rënie të lehtë ditën e sotme dhe ka prekur një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 100.29 lekë, në rënie me 0.09 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Niveli i sotëm përfaqëson vlerën më të ulët të shënuar ndonjëherë në kursin e këmbimit euro-lek, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 100.32 lekë, që ishte regjistruar më datë 22 maj.

Rënia e euros vjen në një ditë kur monedha europiane pësoi goditje të fortë edhe në tregjet ndërkombëtare, për shkak të rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe vendimit të Presidentit francez për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Megjithatë, sipas agjentëve të tregut valutor, zhvillimet në tregjet e jashtme në përgjithësi nuk kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm në kursin e këmbimi euro-lek, që përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm.

Ndikimi i rënies së euros ndaj valutave të tjera reflektohet vetëm në kursin e tyre me lekun. Për shkak të zhvlerësimit të euros në tregjet ndërkombëtare, edhe leku humbi terren ndaj valutave të tjera. Dollari Amerikan, Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane fituan ndjeshëm terren krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Kursi i euros me lekun po ndikohet kryesisht nga flukset valutore në rritje, të lidhura me fillimin e sezonit turistik.

Qysh prej muajit maj, në fakt, kursi i këmbimit të euros është vendosur në një lloj kontrolli nga Banka e Shqipërisë, që ka blerë rregullisht sasi të konsiderueshme valute në treg, për të mos lejuar një rënie të kursit mesatar të euros poshtë nivelit të 100 lekëve.

Edhe pa patur si qëllim një ndërhyrje në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë tërheq çdo vit shuma të konsiderueshme nga tregu. Kalendari i ankandeve të valutës për nevojat e rezervës valutore parashikon që shuma e synuar për tu blerë për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove.

Këto blerje nuk duket të jenë të mjaftueshme për të frenuar rënien e euros dhe sipas burimeve nga tregu Banka e Shqipërisë po ndërmerr blerje direkte për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut. Me rënien e inflacionit poshtë nivelit të 3% gjatë muajve të parë të vitit, këto ndërhyrje mund të justifikohen kryesisht në funksion të objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Megjithatë, gjatë sezonit të verës presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të euros pritet të forcohen më shumë, sidomos për shkak të prurjeve të lidhura me turizmin./ Monitor

Zgjedhja e Belerit si eurodeputet i Greqisë krijon ngërç politik dhe ligjor

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg në Shqipëri i dënuar për korrupsion në zgjedhje, u zgjodh të dielën si eurodeputet nga listat e kandidatëve të partisë “Nea Demokracia” në Greqi.

Partia në pushtet në Athinë fitoi 7 poste në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e mbajtura me 9 qershor. Fredi Beleri u rendit i katërti në listën e Nea Demokracia, pasi siguroi 237,925 vota.

“Gjatë muajve të aventurës sime, u mbajta i fortë nga besimi im se drita fiton gjithmonë mbi errësirën dhe se fuqia e demokracisë mund të fshijë çdo grusht shteti, për sa kohë që ka vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Ne e bëmë këtë përballje për demokracinë, shtetin ligjor, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve”, tha Beleri në një deklaratë nga burgu.

“Lufta u mbajt në kushte të pafavorshme, të paimagjinueshme për një vend [Shqipëri] që dëshiron të bëhet anëtar i familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së grekëve”, shtoi ai.

Ekspertët e procesit të integrimit evropian janë të ndarë mbi ndikimin që do të ketë zgjedhja e Belerit si eurodeputet në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ata theksojnë se rezultati i zgjedhjeve në PE mund t’i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja në bashkinë Himarë – e cila ka mbetur pa kryetar.

Ndërkohë, vëzhguesit e marrëdhënieve dypalëshe përtej kufirit shprehen se zgjedhja e Belerit do ti komplikojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Zgjedhja e Belerit në Parlamentin Europian sigurisht që i ndërlikon gjërat dhe ajo që duket si një levë presioni mund të rezultojë kundër-produktive për politikën e jashtme greke – duke krijuar një zonë të re të nxehtë në fqinjësinë tonë, që mund të mbajë peng minoritetin grek në Shqipëri dhe të shpenzojë kapital joproporcional nga Ministria e Jashtme Greke”, tha për BIRN Konstantinos Tsitselikis, profesor në Universitetin e Maqedonisë në departamentin e Studimeve Ballkanike, Sllave dhe Orientale.

“Një kurth i vetë-stisur dhe i panevojshëm,” shtoi ai.

BIRN i dërgoi një kërkesë për koment Parlamentit dhe Komisionit Evropian në lidhje me zgjedhjen e Belerit, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Heshtje në Tiranë

Me etni greke, Beleri kandidoji nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 në Shqipëri, por u arrestua dy ditë para votimeve me akuzat për blerje votash dhe asnjë nga shkallët e gjyqësorit nuk e miratuan kërkesën e tij për t’u betuar si kryebashkiak.

Beleri pretendoi se i gjithë procesi ishte frymëzuar nga Partia Socialiste në pushtet, por pas një procesi me shumë dritë-hije dhe të monitoruar nga BE, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli atë fajtor për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe e dënoi me 2 vjet burg.

Ai pritet të lërë qelinë në shtator, në rast se gjykata e Apelit nuk e rrëzon këtë vendim.

Beleri është dënuar më parë për vepra të urrejtjes etnike në Shqipëri në vitin 2002, ndërsa në Greqi në vitin 1995 ishte një nga shtatë personat e arrestuar në kufirin greko-shqiptar në dy automjete në të cilat u gjetën armë, plumba, thika, uniforma ushtarake dhe kapuça.

Procesi gjyqësor ndaj tij u bë shkak për një krisje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, pasi kjo e fundit kërcënoi se do të bllokonte bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Zgjedhja e tij në Parlamentin Evropian është përcjellë me heshtje në Tiranë.
Deputetë socialistë që mbajnë detyra në struktura parlamentare për integrimin dhe politikën e jashtme nuk iu përgjigjen pyetjes së BIRN-it nëse zgjedhja e Belerit si eurodeputet do të ndikonte në rrugën e integrimit evropian.

Ndërsa ekspertët e integrimit ndajnë qëndrime të ndryshme për rëndësinë që ky rast mund të nxisë në sjelljen e Greqisë si vend anëtar apo i PE-së si institucion.

“Zgjedhja e Belerit ne PE, do të ndikojë në mënyrë indirekte procesin e integrimit të Shqipërisë”, i tha BIRN-it, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.

Sipas tij, “fakti që arriti të marrë një numër të madh votash tregon që elektorati grek është i ndjeshëm ndaj çështjeve të minoritetit në Shqipëri, dhe marrëdhëniet Greqi – Shqipëri do vazhdojnë të jenë pjesë e debatit të brendshëm politik në Greqi”.

Megjithatë, Gjipali shtoi se në një periudhë afatshkurtër rasti i Belerit mund të ketë dhe efekt pozitiv, në varësi dhe të vendimit të Gjykatës së Apelit, “që mund të sjellë përfundimin e çështjes dhe tejkalimin e ngërçit të vetos greke në këtë faze të procesit të nisjes së negociatave”.

Ndërsa Gjergj Vurmo, drejtor programesh në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (IDM) beson se zgjedhja e tij nuk do të ndikojë në procesin e integrimit.

“Integrimi dhe Parlamenti Evropian janë shumë më të mëdha sesa një deputet”, i tha ai BIRN-it.

Zgjedhja si eurodeputet, zgjidhje për Himarën?

Por, përveç ndikimit në procesin e integrimit, rasti i tij krijon gjithashtu një precedent ligjor për drejtimin e Bashkisë Himarë.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, tha se Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka parashikuar raste, kur një zyrtar i zgjedhur në pushtetin vendor zgjidhet po ashtu deputet i PE-së, sidomos i një vendi tjetër.

“Zoti Beleri nuk ka bërë betimin si kryetar i bashkisë dhe në kushtet aktuale nuk ka ndonjë papajtueshmëri”, tha ai për BIRN, duke shtuar se, mbeten dy zgjidhje, që të respektohet zgjedhja e tij si eurodeputet dhe të bëhen zgjedhje të reja në Himarë, ose vetë Beleri të shfrytëzojë mekanizmat gjyqësorë në Shqipëri dhe t’i hapë rrugë njërës nga dy vendimmarrjet, të shkojë në PE ose të jetë kryetar bashkie.

Nga ana tjetër, sipas Krasniqit, kriza që solli rasti “Beleri” nxori në pah dy problematika që lidhen me integrimin dhe përfaqësimin vendor dhe të cilat kërkojnë ndryshime të dispozitave ligjore.

“Së pari, kostoja që e përfshiu Shqipërinë me Greqinë dhe tashmë dhe në Parlamentin Evropian është shumë më e lartë se sa skandali apo çështja për të cilin Beleri si individ akuzohet”, gjë që sipas tij, politika dhe institucionet shqiptaret duhet t’i merrnin këto kosto në konsideratë.

Së dyti, shton Krasqni, “qytetarët kanë votuar për këtë kandidat nga një forcë e caktuar politike dhe prej një viti jemi në një paradoks të madh të demokracisë, pasi bashkia nuk qeveriset nga persona që i përkasin forcës politike që fitoi zgjedhjet, por qeveria kontrollon drejtimin e kësaj bashkie nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm”.

Kjo, sipas tij, është një precedent që kërkon parashikime ligjore për të ardhmen.

Aktualisht bashkia e Himarës është pa kryetar, pasi edhe kryetari që ishte në detyrë, Jorgo Goro, u arrestua për “shpërdorim detyre” disa muaj më parë.

Ai akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Po ashtu, disa ditë më parë dha dorëheqjen nënkryetarja e bashkisë Blerina Bala, që i përket PS-së, e cila u komandua si kryetare në detyrë nga Këshilli Bashkiak pas arrestimit të Goros.

Logjikë evropiane

Në radiostacionin SKAI 100.3, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, deklaroi të hënën se Beleri është në mesin e eurodeputetëve të sapo-zgjedhur të Demokracisë së Re, të cilët do të betohen nga datat 16 deri më 19 korrik në Parlamentin Evropian.

“Mendoj se është një kërkesë absolutisht demokratike, kërkesa e shtetit të së drejtës që eurodeputetët e zgjedhur të kenë mundësinë të bëjnë betimin,” tha Gerapetritis.

I pyetur nëse qeveria greke mund të kërkojë lirimin e Belerit, ministri nuk ishte i qartë por e inkurajoi Shqipërinë të ndjekë standardet evropiane.

“Fakti që ai [Beleri] u ndalua përkohësisht dhe aktualisht është dënuar në Shkallë të Parë për këto krime, ngre dyshime serioze për sundimin e ligjit, janë çështje që nuk janë aspak të kënaqshme”, tha Gerapatritis, ndërsa shtoi se pret nga Tirana një vendim që i përmbahet logjikës së integrimit dhe standardeve të BE-së.

“Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane,” tha ai dhe dheksoi se si rrjedhim ‘duhet të ndjekë edhe rregullat evropiane.”

“Nuk është e mundur që një eurodeputeti i zgjedhur të refuzohet të marrë detyrën e tij”, përfundoi Gerapetritis./ Reporter.al

Vdes 59-vjeçari në Korçë, u dërgua në spital nga familjarët. Dyshimet e policisë

Një 59-vjeçar ndërroi jetë pasditen e kësaj të hëne në Korçë.

Ai u gjet nga familjarët në shtëpi, teksa luftonte për jetën sepse kishte konsumuar një sasi medikamentesh mjekësore.

59-vjeçari u dërgua për mjekim në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ku më pas ndërroi jetë.

Policia po heton për ngjarjen dhe po merr në pyetje familjarët për të zbardhur më shumë detaje.

Vrasja e 11-vjeçares në Greqi/ Detaje si u përdhunua nga daja: E mori në makinë dhe…

Zbardhen detaje trondtëse nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Greqi, ku një 11-vjeçare u abuzua seksualisht dhe më pas u vra nga daja i saj.

Ky i fundit u arrestua disa orë pas ngjarjes, duke pranuar krimin e rëndë.

11-vjeçarja, sipas mediave greke, kishte dalë mnrëmjen e të dielës nga shtëpia e saj për të shkuar te gjyshërit e saj.

Por gjatë rrugës ka parë makinën e dajës së saj, të parkuar në anë të rrugës dhe me dritat ndezur.

Më pas, e mitura ka hyrë në makinë, duke i besuar dajës. Por ky i fundit e çoi në një zonë të braktisur dhe tentoi abuzimin e saj seksual.

11-vjeçarja tentoi të rezistonte, por kur ajo u përpoq të telefononte prindërit, daja nxori një kaçavidë dhe e goditi në qafë.

Goditja rezultoi fatale për vajzën, ndërsa autori e braktisi atë në zonë dhe u largua.

Autoritetet greke ranë në gjurmët e tij duke vëzhguar lëvizjet e makinës së tij.

37-vjeçari ishte akuzuar në vitin 2017 për përdhunim të një të miture dhe ishte vënë para drejtësisë. Ekzaminuesi mjekësor do të kryejë një autopsi për të përcaktuar nëse ka pasur abuzim seksual dhe përdhunim.

Tronditet Greqia/ 37-vjeçari vret me kaçavidë mbesën 11-vjeçare. Refuzoi të kryente marrëdhënie

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 37-vjeçar ka vrarë mbesën e tij 11 vjeçe, pasi ajo refuzoi të kryente marrëdhënie me të.

Mediat greke shkruajnë se e mitura ishte shpallur e humbur prej disa ditësh, por sot i është gjetur trupi. Sipas raportimeve thuhet se autori e ka goditur në qafë me kaçavidë pasi kuptoi që e mitura mund t’u tregonte prindërve për ngjarjen.

Ndërkohë rezulton se autori, që ende nuk i dihet origjina, ka qenë në liri me kusht, pasi akuzohet edhe për përdhunimin e një vajze 14 vjeçe.