zoom

Day ArchiveBE kërkon hetim ndërkombëtar për vdekjen e Navalny

Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë për vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes.

Navalny vdiq të premten në një burg të largët në Arktik. Si një prej figurave më të rëndësishme të opozitës, 47-vjeçari ishte në burg, nën akuza që, sipas kritikëve të Kremlinit, kanë qenë të motivuara politikisht.

Autoritetet e burgut thanë se ai pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”, por aleatët e tij besojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Kremlini i cilësoi si “të neveritshme” akuzat e tilla.

BE-ja tha se është “e indinjuar” nga vdekja e politikanit të opozitës dhe shtoi se “përgjegjësia përfundimtare i takon presidentit Putin dhe autoriteteve ruse”.

Ajo bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së papritur të Navalnyt. “BE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të kërkuar llogari nga lidershipi politik dhe autoritetet ruse, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, tha blloku.

Tirana pa trajner. Ja kush e zëvendëson Julian Ahmataj

Julian Ahmataj nuk është më trajner i Tiranës.  Disfata e fundit në derbi dhe rezultatet negative kanë bërë që drejtuesit të vendosin që të ndajnë rrugët me teknikun e njohur. 44-vjeçari, i ulur në pankinë me 5 tetor të vitit të kaluar, numëron 19 ndeshje në krye të skuadrës, me ekipin që ka marrë mesatarisht 1.42 pikë për ndeshje.

Për Ahmataj ishte hera e dytë që udhëheq skuadrën e parë, ndërkohë që më herët ka qenë “timonier” i ekipit zinxhir. Pas 24 javësh kampionat, Tirana e sheh veten në vendin e katërt me 34 pikë, shumë larg pritshmërive. Situata nuk është aspak e mirë në kryeqytet, me tifozët që shpresojnë se ndryshimet do të japin efekt. Erbim Fagu pritet te jetë trajneri i ri, me zyrtarizimin që nuk ka ardhur ende.

Trafik, kulla, ndotje, çfarë ka “magjike” Tirana…

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka postuar një fotografi ku tregon kryeqytetin, që sipas tij është pamje magjike.

Pamja plot drita dhe gradaçela, siç duket në atë fotografi është shumë larg asaj që qytetarët përjetojnë çdo ditë. Nga trafiku tek ndërtimet, jetesa në Tiranë është shumë larg magjikes.

Në fakt asnjë nga zhvillimet në kryeqytet, të paktë dekadën e fundit nuk duken të tilla. Çfarë ka magjike në Tirana? Baltën? Rrëmujën? Trafikun? Mungesën e hapësirave për parkim? Rrugët e ngushta? Gropat në rrugë? Pluhurin? Llumin? Aromën e keqe të Lanës? Ndërtimet pa kriter? Katet pa leje në kullat e oligarkëve?

Këto problematika që kanë vështirësuar jetesën e shqiptarëve dhe pse nuk duken në atë imazh, janë aty dhe pyetjes se çfarë ka magjike Tirana, as lali Eri nuk i përgjigjet dot./Zoom.

Të punësuarit po mbajnë shtetin me para, rriten të ardhurat nga TAP

Qeveria ka arkëtuar 643.3 mld lekë nga taksat dhe kontributet, duke tejkaluar lehtë planin vjetor dhe duke u rritur fort nga 2022-shi, +71 mld lekë. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet publike raportohen 675 mld lekë.

Individët e punësuar po bëhen zëri kryesor i arkës së buxhetit me një rritje të fortë nga viti në vit. Arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë rritur me 13 mld lekë duke kapur 58 mld në fund të vitit 2023. Ndërsa të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën 139.3 mld lekë, me rritje pothuajse 21 mld lekë nga 2022-shi.

Tatim-fitimi, që paguhet nga bizneset ka arkëtuar 65 mld lekë në 12 muaj, plot 17 mld më shumë se një vit më parë. TVSH-ja e arkëtuar neto, kapi rreth 46 mld lekë, 33% më shumë se 2022-shi, por 3% më pak se plani.  Taksat nacionale, për periudhën 12 mujore 2023 u realizuan në masën 37.2 mld lekë.

Në kontrast, TVSH-ja në import, po humb pozitën e saj si zëri më me rëndësi i buxhetit. Në një vit, të ardhurat nga TVSH-ja kanë rënë me rreth 7% dhe nuk kanë arritur as parashikimin. TVSH-ja ka mbledhur 146.4 mld lekë për 2023-shin.

Akciza ka arkëtuar 58.4 mld lekë, 9% më shumë se vitin e shkuar, por se ka arritur parashikimin. Renta minerare në eksport ka mbledhur rreth 3 mld lekë, shumë më pak se 2022-shi dhe se plani.  Të ardhurat nga taksat e tjera doganore janë arkëtuar në vlerën 9.1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga taksat kombëtare në vitin 2023 raportohen në 344.9 mld lekë, duke kaluar ndjeshëm arkëtimet e një viti më parë, por edhe parashikimin për periudhën.

Shpenzimet publike nuk e arritën planin vjetor, por rezultojnë rreth 4% më të larta se një vit më parë. Sipas llojit, pjesa më e madhe e shpenzimeve, 547 mld ishin korrente, ndërsa 119 mld kapitale.

Niveli i deficitit për vitin 2023 rezultoi në masën 1.4% të PBB-së, rreth 31 mld lekë, pas më shumë se një viti suficit.

VOA: Shqipëri, shqetësime mbi rritjen e dhunës online mes të miturve

Në Shqipëri po përhapet me shpejtësi na radhët e të miturve një prej formave të dhunës që quhet bullizmi kibernetik. Përfaqësues të stafeve mësimore dhe vetë të miturit thonë për Zërin e Amerikës se kjo dhunë e ka zanafillën në rrjetet sociale e cila në mjaft raste përshkallëzohet deri në konflikte fizike në mjediset shkollore.

Autoritetet kanë shtuar përpjekjet për parandalimin dhe minimizimin e pasojave ndërsa drejtues të Ministrisë së Brendshme thanë se po punojnë për plotësimin e boshllëqeve ligjore në varësi të zhvillimeve teknologjike.

Në Shqipëri dhuna online, me të gjithë elementët e saj mes të miturve, po shkakton një shkallë të gjerë shqetësimi, në strukturat arsimore, policore dhe në komunitetin e prindërve.

Ekzistenca e mjaft platformave sociale, si Whatsapp, YouTube, TikTok, Instagram apo Snapchat e kanë bërë thuajse të pamundur kontrollin e plotë të përmbajtjes së komunikimeve të tyre nga prindërit apo mësuesit.

Në mjaft raste të miturit bien pre e kërcënimeve, fyerjeve, lojrave të papërshtatshme për moshën apo bullizimit nga bashkëmoshatarët e tyre, gjë që më pas reflektohet në sjellje agresive dhe konflikte fizike mes tyre në mjediset e shkollës.

Ky shqetësim ishte pjesë e një seance të tensionuar edhe në komisionin e sigurisë juridike në Senatin Amerikan pak kohë më parë, ku ishin thirrur për të dëshmuar drejtues të disa platformave sociale. Ata u vunë në qendër të kritikave të ligjvënësve amerikanë dhe aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve se nuk po bëjnë mjaft për të mbrojtur fëmijët.

Zëri i Amerikës arriti të sigurojë disa postime të të miturve shqiptarë në këto rrjete, pjesë e hetimeve të policisë, ku dallohet qartë përmbajtja e një dhune të ashpër.

Ajo që sot vihet re dhe raportohet më së shumti, nga stafi mësimor dhe policia janë rastet në rritje kur konfliktet online, si sharjet, fyerjet, shantazhi apo bullizmi vazhdojnë më tej në mjediset e shkollës ku shpeshherë kthehen në konflikte fizike.

Disa nxënës të një shkolle të mesme në Tiranë që kërkuan të mbeten anonim, i thanë Zërit të Amerikës se rrjetet sociale po keqpërdoren gjithnjë e më shumë nga bashkëmoshatarët e tyre.

“Kemi degradime të plota, ka patur dhe konflikte. Kemi shtim të rasteve. Është një rrezik i madh që këto raste mund të shtohen më shumë në të ardhmen. Ka një shpërndarje relativisht të dallueshme të gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale, edhe pse ka një sasi të vogël të empatisë, në përgjithësi ka një gjuhë urrejtje që përhapet edhe në shkollë” – u shpreh një nxënës i një shkolle të mesme në Tiranë.

“Ka raste që mes të rinjve në rrjetet sociale ka bullizëm. Ka raste që transferohet më pas dhe në shkollë” – shtoi një nxënese tjetër e një shkolle të mesme në Tiranë.

Një tjetër nxënës tregon se gjuha e ashpër online, përhapet në shkollë me sharje, fyerje dhe goditje.

Rritja e rasteve të dhunës në rrjete sociale mes të miturve, e cila më pas vijon në mjediset shkollore, pranohet edhe nga autoritetet shtetërore dhe stafet pedagogjike.

Keqpërdorimi i platformave sociale ka sjellë atë që quhet bullizëm kibernetik, një fenomen në rritje, që pasqyrohet në forma nga më të ndryshmet mes të cilave me ngacmime, kërcënime apo shpërndarje imazhesh të papërshtatshme.

“Konfliktet mund të nisin nga tematika të ndryshme, qoftë dhe nga shakatë që nisin me njëri-tjetrin dhe më pas nuk i përballojnë dot pasi marrin përmasa të tjera. Vijnë nga lojra online, ose menaxhimi i atyre që quhet nerva të lojës. Ka raste që përshkallëzohet deri në konflike fizike. E nëse nuk shkon deri aty, lëndimi është po njësoj i rëndë tek pjesa e ndikimit psikologjik dhe emocional, i cili është po aq i dëmshëm”- u shpreh për Zërin e Amerikës Bora Bektashaj, psikologe në Shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, Tiranë.

“Zhvillimet tekonologjike kanë lehtësuar komunikimin, por nga ana tjetër kanë hequr mekanizmet e kontrollit mbi komunikimin e të miturve”- shprehet për Zërin e Amerikës, Zv. Ministrja e Brendshme Romina Kuko.

Duke folur për vështirësitë e parandalimit të dhunës online mes tyre, Zonja Kuko, nënvizon se autoritetet po punojnë për plotësimin e vakumeve ligjore në këtë drejtim, në varësi të zhvillimeve të reja teknologjike.

“Nga raportimet që ne kemi nga të miturit, mësohet se zanafilla e këtyre konflikteve ka nisur nga sharjet nëpër komunikimet online. Shokë apo shoqe që zihen me njëri-tjetrin dhe nuk flasin, për hakmarrje hapin faqe ku hedhin fotot e bashkëmoshatarëve të tyre me kërcënime sharje, ofendime sepse ju duket si lojë. Po shohim opsionet për të patur ndryshime ligjore, që të kemi mundësi të thellojmë pjesën e kontrollit dhe të goditjes së këtyre fenomeneve. Nëse aktualisht e kemi këtë për keqpërdorimin e thirrjeve telefonike duhet të kemi sanksione edhe përsa i takon keqpërdorimit të mjeteve teknologjike. Do jemi në komunikim dhe me platformat mëdha, për të siguruar një rrjet të atyre që quhen përdorues të besuar. Nëse unë dhe ju shohim një material shqetësues duhet të ketë një mekanizëm që ato platfoma të heqin menjëherë”- thotë Romina Kuko, Zv Ministre e Brendshme.

Konfliktet mes të miturve që e kanë zanafillën në rrjete sociale, sipas autoriteteve zyrtare kanë ardhur duke u rritur vit pas viti. Prej disa vitesh në shkolla ka filluar të funksionojë një strukturë e re për paradalimin dhe zgjidhjen e tyre, ajo e oficerit të sigurisë, krahas psikologut apo punonjësit social.

“Kjo është ajo që është për t’u shqetësuar. Nga komunikimet në rrjetet sociale, nxënësit fillojnë bashkohen në mjediset e shkollës fillojnë dhe debatojnë, fillojnë me shikime, me një prekje krahu për të gjetur mënyrën e kontaktit fizik me njëri- tjetrin, për ta vijuar konfliktin. Na është dashur punë shumë e madhe për të komunikuar me këta nxënës, për të identifikuar problemin në mënyrë që të mos kalojë në dhunë fizike”- u shpreh Xhesika Gremi, oficere sigurie në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, në Tiranë.

Ministria e Brendshme i tha Zërit të Amerikës se po i kushton rëndësi sigurisë në shkolla. Oficeri i sigurisë një strukturë e re e shtrirë në 150 shkolla të mesme po jep rezultate pozitive sipas saj në parandalimin e konflikteve mes nxënësve.

Një rëndësi të veçantë për studiuesit merr komunikimi dhe ndërgjegjësimi i prindërve dhe i nxënësve për të denoncuar rastet e dhunës online, apo konfliktet e ndryshme në shkollë. Raportimet janë rritur thonë autoritetet, duke shtuar mundësinë e parandalimit dhe përshkallëzimit e tyre. Vetë nxënësit thonë se raportojnë te mësuesja kujdestare, drejtoresha apo te strukturat e tjera si punonjësi social, psikologu apo oficeri i sigurisë.

Shqetësimet për pasojat e fenomeneve të dhunës online janë në rritje. Autoritetet thonë se ndryshimet ligjore për t’i ardhur në ndihmë të miturve në përdorimin e sigurt të rrjeteve sociale, apo mbrojtjes së tyre nga fenomene të dhunës online dhe krimet kibernetike, nevojiten mjaft ndryshime ligjore, si në Kodin Penal, në atë për komunikimet elektronike, apo në Ligjin për Policinë e Shtetit. Së shpejti pritet që ato të jenë pjesë e konsultimeve me grupime të ndryshme shoqërore që mbrojnë të drejtat e fëmijëve si dhe komunitetin e prindërve./VOA

Europianët të mos shqetësohen për rikthimin e Trump, por për rifitoren e Biden!

Europianët janë të shqetësuar për rikthimin e Donald Trump në presidencën e SHBA-së. Një burrë që thoshte se “rusët mund të bëjnë çfarë të duan”, kërcënoi se do të vendoste një taksë 10% për importin dhe fyente të gjitha kulturat. Por edhe pse është gjë e mirë të përgatitesh për rikthimin e Trump, europianët duhet të kenë një plan edhe nëse fitojnë demokratët.

Them demokratët sepse Biden, për shkak të moshës, mund të mos rikandidojë. Kjo është ëbrë një bisedë e zakonshme midis politikanëve, sidomos pasi këshilltari Rober Hurt tha për Biden se “është i vjetër, nuk mban mend ngjarjet”, kur u hap një hetim për dokumentat e klasifikuar.

Edhe nëse ai ikën, do të zëvendësohet nga dikush që mendon njësoj si ai, riindustrializimi, një qasje e re në tregtinë globale dhe një zhvendosje e tregut të lirë në kufizimin e fuqisë dhe fitimeve të korporatave. Një populist i perëndimit do të ishte më mirë se një centrist i Kalifornisë, për të zëvendësuar Biden.

Kjo ngre një diskutim. Shumë europianë nuk janë popullorë me Biden edhe pse ekonomia e SHBA-së është rikuperuar ndjeshëm, kjo tregon se problemi është tek mesazhi i politikës dhe jo tek njeriu. Por ata janë gabim. Amerikanët nuk po kërkojnë një zgjidhje tjetër. Ata thjesht kanë nevojë për mesazhe më të mira se si duket një botë post-neoliberale në jetën reale.

Votuesit amerikanë, mund të mos e dinë, ose nuk u intereson marrëveshja e Uashingtonit, ekonomisti Milton Friedmand apo juristi Rober Bork. Por ata dinë se çfarë është babëzia dhe përqëndrimi i pushtetit, kur e shohin, ose më tepër, kur e ndjejnë. Siç ka ndodhur dy vitet e fundit me inflacionin e lartë.

Demokratët do ta dyfishojnë atë ndjesi në fushatën e 2024-s. Në 2018-n, shumë nga fituesit e demokratëve në zgjedhjet paraprake në SHBA, theksuan se paketa e taksave të Trump, është një dhuratë për të pasurit. Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë e ka patur të vështirë të kuptojë se ndërhyrjet fiskale për periudhën afatmesme nuk kanë ndikuar në lehtësimin e çmimeve. Është njësoj e vërtetë se qytetarët fajësojnë më shumë korporatat se sa qeverinë.

Një anketë e fundit gjeti se 59% e votuesve besojnë se bizneset po përfitojnë më shumë nga inflacioni. Unë mendoj se kjo normë do të rritet dhe demokratët do vazhdojnë të nxisin besimin se korporatat po abuzojnë, deri në nëntor. Mendoj se ata do të favorizohen edhe nga qëllimet që ka Trump, si ai i NATO-s, që i orienton votuesit kundër tij. nëse është kështu, europianët nuk kanë pse shqetësohen për SHBA-në si aleat i NATO-s, por për fushat e tjera të politikëbërjes.

Europa nuk është shumë entuziaste për qasjen e SHBA-së ndaj ndryshimeve klimatike, ose për marrëveshjet tregtare dhe standardet e punës.

Një president demokrat nuk do të vendosë një taksë importi 10%, por mund t’i bëjë presion Europës që t’i bashkohet një marrëveshje për transportin, logjistikën dhe mjetet elektrike. Mund të shohim presion që Europa t’i bashkohet qasjes merkantiliste ndaj Kinës dhe riindustrializimit.

BE është në dilemë dhe është e kuptueshme. Ajo gjendet midis SHBA-së dhe Kinës, gjeografikisht dhe i duhet të ruajë një pozicion ekonomik, edhe strategjik. Por unë mendoj se erërat politike po zhvendosin disa gjëra. Prodhuesit gjermanë të mjeteve apo firmat luksoze të Francës shpresojnë t’i mbajnë të dy, por duket e pamundur.

Europa po mendon fort për rastin “Trump 2” dhe një të ardhme post-NATO. Por i duhet njësoj, edhe një përgjigje për rastin “Biden 2” dhe se çfarë e pret pas marrëveshjeve me Uashingtonin.

VIDEO/ Bora Zemani hyn në shtëpinë e Big Brother VIP, Romeo shpërthen në lot

VIP-at e shtëpisë së Big Brother janë vënë sot përballë një sfide ku duhet të mos reagojnë ndaj çdo gjëje të jashtëzakontë që Vëllai i Madh vendos në shtëpi. Por disa prej tyre nuk e kanë pasur aspak të lehtë. Pak më parë, në shtëpinë e Big Brother u fut moderatorja Bora Zemani dhe Romeo nuk duhet të reagonte.

Në pamundësi për t’i folur dhe përqafuar, Romeo shpërtheu në lot, ndërsa banorët e tjerë tentuan të shpërqëndronin situatën.

Më herët në shtëpi u fut edhe Rita Lati, vëllai i Ilnisës, zëri i djalit të julit, Dashnor Diko etj, me të cilët banorët nuk duhet të reagonin.

Personazhi i njohur i TikTok zhvishet në video-live. Pamjet bëjnë xhiron e rrjetit pa asnjë kufizim

Përmbajtja e videove në rrjetin TikTok vijon të jetë shqetësuese, të paktën për audiencën shqiptare. Së fundmi, një video, asgjë më pak se një pornografi, është bërë virale midis përdoruesve shqiptarë. Bëhet fjalë për personazhin Suada Muça, e cila pas humbjes së një sfide, u zhvesh topless gjatë një lidhje live në TikTok.

Video e cila ndonëse, pas disa minutash hiqet nga rrjeti, gjendet në celularët e shumë përdoruesve. Zhveshja e Suadës e bën TikTok përsëri në qendër të vëmendjes përshkak të rrezikut që mban dhe mungesës së kontrollit. Sigurisht një video topless, e bërë me vullnet nga vetë vajza e lartpërmendur, nuk është asgjë krahasuar me ngjarjet e tjera të tmerrshma që TikTok ka iniciuar, por është një arsye më shumë për kontrollin e kësaj platforme.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama tregoi se kishte takuar zv.drejtorin e aplikacionit, për të diskutuar me të masat e mundshme mbi përmbajtjet eksplicite që shpërndahen lirshëm në rrjet. Po ashtu, ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se po konsiderohet ndalimi i aksesit në TikTok për të rinjtë nën 16 vjeç./Zoom.al

Sulmet e njëpasnjëshme nga Irani, qeveria miliona dollarë për sigurinë kibernetike

Vijimi i sulmeve kibernetike nga Irani siç ishin ato më të fundit ndaj parlamentit të Shqipërisë dhe INSTAT, ka detyruar qeverinë të bëj një përllogaritje të shumës së nevojshme për mbrojtjen kibernetike.

Zbatimi i Sigurisë Kibernetike parashikohet t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 170 milion dollarë në total, nga të cilat 115 milion dollarë do të paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa 55 milion dollarë nga donatorët.

Këto para do të përdoren për blerje teknologjie pajisjet hardware, software, licencat, sistemet etj. Në dokumentin e qeverisë disponuar prej Top Channel thuhet se:

“Shtylla e parë i referohet ngritjes së Qendrës Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike, e cila shoqërohet me Server Room, instalimin e agjentëve, një sërë platformash si platformat e monitorimit, platformat e ndarjes së incidenteve kibernetike, platformat e auditit, risku, web analyses. Përllogaritja është bërë duke marrë në konsideratë gjithë teknologjinë, pajisjet hardware, software, licencat, sistemet etj. Totali i përllogaritur për një periudhë 5-vjeçare është 12 258 228 000 lekë (120 000 000 dollarë). Nga kjo vlerë totale për 5 vjet, për vitin e parë 2024 vlera prej 467 721 500 lekë do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe vlera prej 5 661 392 500 lekësh parashikohet të financohet nga donatorë.

Përllogaritjet janë bërë mbi bazën e kostove lidhur me: Sistemet inteligjente të kërcënimeve Threat Hunting, Sistemet e Vlerësimit të pikave të dobëta – Vulnerability Assessment, Sistemet e Monitorimit, servera hardëare, dhoma e
serverave me facilitetet përkatëse, sistemet fundore të punonjësve të SOC = 50, sistemet Core të rrjetit, sistemet e perimetrit të sigurisë, sistemet fundore të sigurisë, sistemet e ruajtjes së të dhënave, instalimi i sistemit të agjentëve në rrjetin e jashtëm/Platforma e monitorimit, instalimi i pajisjeve hardware në rrjetin e jashtëm, instalimi i faciliteteve në dhomat e SOC – Kamera/Sensor/Blindues, sistemi i auditimit, sistemi i vlerësimit dhe trajtimit të rrezikut, ngritja e Qendrës Trajnuese, facilitetet e Qendrës Trajnuese, ngritja e sistemeve Backup Tape on- premises, ngritja e platformës e-learning të trajnimeve, ngritja e sistemit DRS.

Ngritja e kapaciteteve (trajnimet) ka të përllogaritur për një periudhë 5-vjeçare është 3 677 468 400 lekë (36 000 000 dollarë). Përllogaritja përkatëse është bërë duke marrë për bazë një listë trajnimesh të nevojshme për rritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, marrë në konsideratë edhe sfidat aktuale të sigurisë kibernetike, ekspertizë e nevojshme, formimin e nevojshëm profesional etj. Me qëllim realizimin e kësaj përllogaritjeje stafi i AKCESK-ut ka komunikuar me infrastrukturat e informacionit të cilat janë pyetur lidhur me personelin që kanë IT dhe personelin e dedikuar për sigurinë kibernetike.

Nga ana e Autoritetit është marrë për bazë një listë trajnimesh e bazuar në SANS (Cyber Security Training, Certifications, Degrees and Resources) institut trajnimesh në sigurinë kibernetike.

Lista e përllogaritur përmban 75 trajnime për 5 vite, ku për secilin prej trajnimeve është bërë një përllogaritje e përafërt e numrit të personave që duhet t’i ndjekin këto trajnime për 5 vitet si dhe kostoja përkatëse e tyre. Për shembull lidhur me trajnimin “Introduction to Cyber Security – SANS – SEC301” –është bërë një përllogaritje e numrit të personave që do të trajnohen, marrë në konsideratë specifikat e trajnimit, formimin e personelit për infrastrukturat e informacionit si dhe numrin më të madh të pjesëmarrjes për nga natyra e vetë trajnimit.

Nga komunikimet e bëra me secilën infrastrukturë për vitin e parë është parashikuar një numër rreth 120 persona dhe kostoja është përllogaritur përafërsisht rreth 83 760 000 lekë, për vitin e dytë 100 persona dhe kostoja 69 800 000 lekë, për vitin e tretë 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë, për vitin e katërt 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë dhe vitin e pestë 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë./TCH

Raporti i UNESCO-s për Butrintin, qeveria përplaset me studiuesit

Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas publikimit të raportit të UNCESCO-s mbi parkun kombëtar të Butrintit. Ai e ka vënë theksin te fakti se do të ketë në vëmendje maksimale mirëadministrimin e procesit të ndryshimit të modelit të menaxhimit të kësaj pasurie.

UNESCO rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi këtë pasuri botërore, vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të këtij parku.

“Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.

Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja!”, – thotë ministri Gonxhja në reagimin e tij.

Për çështjen në fjalë ka reaguar më pas studiuesi Auron Tare, duke iu kundërvënë ministrit Gonxhja. Me një postim në rrjetet sociale ai ngre disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me raportin e UNESCO-s dhe nëse do të ndërmerren masa për ata që e fshehën raportin.

“I nderuar z.Ministër, e para keni detyrimin ligjor dhe moral për të sqaruar opinionin publik për raportin e Unesco/Icomos. Çfarë përmban dhe përse u fsheh nga Institucioni i Trashëgimisë Kombëtare. Çfarë masash do merren për ata që fshehen këtë raport?

E dyta, z.Ministër, cila është ekspertiza më e mirë botërore që AADF paska thithur? Kur Unesco/Icomos të ka hedhur poshtë cilësinë e përthithur. E treta, mblidh ekspertët shqiptarë për të folur me ta dhe për të dëgjuar procesin ashtu si dikur, kur ishe në Ministrinë e Kulturës.

E katërta, hidh poshtë marrëveshjen me AADF për transferimin e Butrintit si një marrëveshje poshtëruese për punën e të gjithë atyre që kanë kontribuuar në Butrint, por edhe si një e drejte sovrane e një vendi, i cili nuk e jep apo shet pasurinë e tij kulturore për grupe me interesa të dyshimta. Ti e di mirë që Parku nuk u krijua nga Londra, por nga shqiptarët që e donin këtë vend, ku një nder ta ishe edhe ti”, – shkruan Tare.