zoom

Day ArchiveBE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, ndalohen diamantet ruse

Bashkimi Evropian tha të hënën se ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës, duke goditur industrinë fitimprurëse të diamanteve, më shumë se 140 zyrtarë dhe organizata dhe ka përmirësuar disa rregulla, që Moska i ka përdorur për të anashkaluar sanksionet e mëparshme.

Ky është raundi i 12-të i sanksioneve, që Bashkimi Evopian ka vendosur ndaj Rusisë, që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij të sulmonte Ukrainë pothuajse dy vjet më parë. Sanksionet kanë në shënjestër sektorin e energjisë, bankat, kompanitë, tregjet dhe ngrirjen e pasurive të mbi 1000 zyrtarëve rusë, përfshirë ndalimin e udhëtimit vendet e BE-së.

Brukseli tha se sanksionet e fundit do t’i jepnin një goditje të mëtejshme aftësisë së Putinit për të vazhduar luftën, duke goditur sektorë me vlerë të lartë të ekonomisë ruse dhe duke e bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve të BE-së.

Importi, blerja ose transferimi i diamanteve natyral, sintetik dhe bizhuterive me diamante do të ndalohet duke filluar nga 1 janari. Ndalimi zbatohet për diamantet me origjinë nga Rusia, të eksportuara nga Rusia dhe që kalojnë tranzit përmes Rusisë, si dhe për diamantet ruse të përpunuara diku tjetër.

BE-ja vlerëson se sektori i diamanteve ka një vlerë vjetore prej rreth 4.5 miliardë dollarësh për Moskën.

Raundi i ri i sanksioneve i detyron gjithashtu kompanitë e BE-së të ndalojnë në kontratat e tyre eksportin e mallrave të caktuara në mënyrë që blerësit të mos mund t’i shesin ato në Rusi, veçanërisht “mallra dhe teknologji sekrete” që mund të përdoren nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë.

Kimikatet shtesë, bateritë e litiumit, termostatet, disa motorë elektrikë që mund të përdoren për prodhimin e dronëve dhe disa vegla makinerish dhe pjesë këmbimi janë vendosur në listën e BE-së të artikujve të kufizuar ose të ndaluar për eksport në Rusi.

Importet në BE të disa mallrave që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë gjithashtu u kufizuan, duke përfshirë telat e bakrit dhe aluminit, fletë metalike, tubacione dhe gazin e lëngshëm.

Bashkimi Evropian shtoi gjithashtu 29 “entitete” të tjera, organizata, agjenci, kompani ose banka, që dyshohet se po mbështesin kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

27 vendet e BE-së tani do të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve kundër njerëzve që përfitojnë nga sekuestrimi i pasurive evropiane ose pjesëve të kompanive në Rusi. Shtetet anëtare do të vihen gjithashtu nën kontroll më të rreptë për të siguruar që po gjurmojnë në mënyrë aktive pasuritë e njerëzve, që janë në shënjestër të sanksioneve./ Zëri i Amerikës

Ngrica dhe masa ajrore të ftohta, parashikimi i motit për nesër

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme si rezultat i masave ajrore të ftohta e të thata me origjinë veriore, referuar Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Moti parashikohet i kthjellët, me vranësira të larta transparente në orët e mesditës. Era do të jetë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 1-6m/sek, e cila përgjatë vijës bregdetare fiton shpejtësi deri 10m/s, ndërsa valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 1-2ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore -3 deri 9°C
në zonat e ulëta -1 deri 18°C
në zonat bregdetare 5 deri 19 °C

Për shkak të masave ajrore të ftohta e të thata, përgjatë akseve rrugore në relievet malore në verilindje-juglindje do të krijohen ngrica.

“Njoh politikanë, por nuk do flas me emra të përveçëm” – Kërcënon Mirel Mërtiri?

I kërkuar ndërkombëtarisht për aferën e inceneratorëve, Mirel Mërtiri, i akuzuar se së bashku me Klodian Zoton janë pronarë “de facto” të djegësit të Tiranës, përmend se njeh politikanë.

Gjatë një interviste në “Syri TV”, pyetjes nëse e njeh Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, Mirel Mërtiri iu përgjigj duke deklaruar se njeh shumë politikanë, emrat e të cilëve nuk i zbuloi.

“Të jetosh në Shqipëri, patjetër që do kesh marrëdhënie me politikanë shqiptare sepse është jeta specifike, sepse jemi njerëz, jemi qenie njerëzore.

Zoti Këlliçi, ju po i filloni bisedën me emra të përveçëm, gjë që të cilën unë nuk kam për ta bërë sonte.

Nuk flas me emra të përveçëm për një arsye. Nuk është korrekte kur ka hetime të caktuara, të devijuara, nga SPAK kundër familjarëve të mi, nuk mund të ndodhë”, deklaroi Mirel Mërtiri.

Po ashtu, nga arratia, ai veçoi një fakt mes akuzash të ngritura ndaj tij: SPAK e quan pronar “de facto” të inceneratorit të Tiranës, por sipas tij, ky term nuk ekziston në legjislacionin shqiptar.

“A mund të më përcaktoni ju se çfarë do të thotë pronar de facto? Që të jesh pronar de facto, duhet të ketë edhe një përshkrim ligjor.

Fjala pronar është e mirëcaktuar në legjislacion. Unë sot dhe familja ime, dhe gjithë rrethi im shoqëror, akuzohet për akte dhe veprime të pakryera ndonjëherë nga ne.

Nëse do i marrim të gjithë impiantet me radhë, mund t’u kthej përgjigje për secilin prej tyre.

E nisim me Elbasanin. Pozicioni im është shumë i qartë dhe i thjeshtë, familja ime është pronare e përkohshme e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan.

Shoqëria Albtek është në shoqëri, e cila duhej të ekzistonte në administrim të familjes sime vetëm për 7 vjet. Është e përcaktuar qartësisht në kontratë.

Në përfundim të vitit të 7, shoqëria dhe kontrata i kalonte në menaxhim shtetit shqiptar, përkatësisht Ministrisë së Energjetikës dhe në vijim, Bashkisë së Elbasanit.

E para nuk është një tender, e dyta nuk është një kompani në pronësi. E treta, shoqëritë që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij impianti janë me eksperiencë disavjeçare në shtetin italian.

Albtek është një kompani në pronësi të familjes sime vetëm përkohësisht. Unë flas sipas kushteve që ka kontrata të përcaktuara”, shpjegoi Mirel Mërtiri.

Mirel Mërtiri flet nga arratia: Dosjen e inceneratorëve e ka stisur prokurori Klodian Braho

Mirel Mërtiri, i shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, komentoi për herë të parë nga arratia akuzat e hedhura ndaj tij.

Në një intervistë të dhënë në “Syri TV”, Mërtiri akuzoi prokurorin e SPAK, Klodian Braho se ka stisur dosjen e inceneratorëve, duke i vënë fakte të pavërteta.

Sipas tij, Lefter Koka dhe gjithë të tjerët që sot janë në burg apo të akuzuar për aferën e inceneratorëve, nuk duhet të ishin aty.

I pyetur se ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve, Mërtiri tha se janë investuar më shumë sa kontrata.

“Nëse ju dëshironi që unë të flas në emër të zotit Koka, unë nuk e di pse zoti Koka apo ministria pranoi këtë ofertë nga ana jonë.

Unë di të them që zoti Koka dhe të gjithë ata që janë akuzuar për dosjen e Elbasanit, ndodhen në mënyrë të padrejtë në burg.

A e dini ju se njerëzit sot janë në burg në mënyrë të padrejtë?

Të gjithë faturat që SPAK ka paraqitur në dosjen hetimore janë fatura dhe akte të hetuara që prej vitit 2017. Pra, nuk ishte hera e parë që këto fatura hetoheshin.

E dyta si mundet të thuhet se këtu është vjedhur, është abuzuar, kur vetë vlerësuesi i emëruar nga SPAK, thotë se vlera e investimit për impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, është më e madhe se vlera e kontratës.

E gjithë kjo dosje është dosje e stisur. E gjitha është një dosje e stisur nga prokurori i SPAK. Prokurori quhet Klodian Braho.

Unë mendoj se e ka bërë për arsye që i ka shërbyer dikujt në politikë ose dikujt në privat. Që në momentin e parë kur kjo dosje është prezantuar në gjykatë, avokatët e mi kanë njoftuar se dosja është e ndotur, që do të thotë se është një dosje e bërë nga fillimi deri në fund në mënyrë fiktive dhe jokorrekte.

Provat janë vendosur ashtu siç ka dashur prokurori i SPAK, me qëllim për të më goditur mua dhe familjen time, për arsye të dikujt tjetër që ndoshta nuk ishte në dosje”, tha Meril Mërtiri.

Kur SPAK sekuestroi inceneratorin e Tiranës, pohoi se pronarë “de facto” edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë, janë shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Sipas SPAK, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Berisha 79 vjeç, a mund të shkojë në burg? Anila Hoxha tregon çfarë parashikon ligji

Gazetarja e kronikës së zezë, Anila Hoxha foli rreth mundësisë që ish-kryeministri Sali Berisha të arrestohet, pas heqjes së imunitetit të deputetit nga ana e Parlamentit.

Gjatë një interviste në “Top Story”, Anila Hoxha tregoi dy momentet që parashikohen në ligj, kur të akuzuarit janë të moshuar.

Sipas saj, një 70-vjeçar është përcaktuar në ligj që nuk burgoset. Megjithatë, shtoi Anila Hoxha, ekziston edhe një mundësi për arrestimin e Sali Berishës, në varësi të veprës penale, pavarësisht moshës.

“Ligji është dual. E para, ligji thotë ndalohet ashpërsimi i masës ose përcaktimi i masës “Arrest në burg” për personat mbi 70 vjeç. Sali Berisha është 79 vjeç, pra e ka kaluar moshën 70 vjeç. Por ka sërish një mundësi dhe opsion që del përtej asaj që është parashikuar, ku përcaktohet se edhe për personat mbi 70 vjeç mund të ketë ashpërsim mase apo “Arrest në burg” për vepra penale që dënohen me 10 vite burgim. Ajo që dimë është se vepra penale për të cilën akuzohet Berisha dënohet nga 4 deri në 12 vite burgim”, tha Anila Hoxha.

Opozita serbe kundërshton fitoren e Vuçiç, nis grevën e urisë

Partia e Aleksandër Vuçiç u shpall fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura të dielën, por rezultati kundërshtohet nga opozita atje.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, organizoi një protestë para ndërtesës së Komisionit Zgjedhor, duke kërkuar anulimin e tyre, sipas mediave serbe.

Miroslav Aleksiç dhe Marinka Tepiç nisën një grevë urie deri në anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

Sipas opozitarëve, procesi zgjedhor u karakterizua nga parregullsi të shumta dhe për këtë arsye duhet të përsëriten.

“Kërkojmë nga Komisioni Zgjedhor që të anulojnë zgjedhjet në Beograd, për shkak të mashtrimit dhe parregullsisë së rezultateve, për shkak të cenimit të vullnetit zgjedhor të qytetarëve të Beogradit. Do t’i dërgojmë të gjitha provat dhe materialet që kemi mbledhur gjatë ditës së djeshme, të cilat tregojnë qartë se rezultati i arritur nga partia Progresive serbe në Beograd është arritur falë njerëzve që janë sjellë për të votuar në Beograd, edhe pse nuk jetojnë atje. Kemi një situatë ku ka ardhur për të votuar ministri i Bosnjë-Hercegovinës, që është e paprecedentë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rregullsi. Prandaj, këto zgjedhje duhet të anulohen”, tha Miroslav Aleksiç.

Parlamenti, “pro” arrestimit të tij, Berisha: Të gjithë vegla të Ramës. Ta përmbysim regjimin

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri një reagim të gjatë në “Facebook”, pas vendimit të Këshillit të Mandateve për t’i hequr imunitetin e deputetit, duke i hapur rrugën SPAK të kërkojë një masë më të ashpër arresti për të.

Sipas Berishës, vendimi i sotëm tregoi se prokurorët, gjyqtarët dhe Parlamenti janë nën shërbim të Edi Ramës.

Berisha akuzoi Ramën se e ka montuar politikisht procesin gjyqësor ndaj tij dhe për këtë arsye, por edhe për shkak të vjedhjes së votave, ish-kryeministri ftoi të gjithë qytetarët në protesta me akte të mosbindjes civile.

Deklarata e plotë e Sali Berishës:

Siç është bërë tashmë e njohur, me datë 21 tetor 2023 prokurorët politik Arben Kraja, Enkeleida Millonaj dhe gjykatësja Irena Gjoka në një akt të pashembullt në 32 vite dhe në kundërshtim flagrant me kushtetutën njoftuan se kishin vendosur ndaj meje natyrisht me urdhër politik të Edi Ramës dhe pa miratimin e Parlamentit masat shtrënguese që vijojnë:
1- Heqjen e lirisë të lëvizjes jashtë vendi
2- Detyrimin për t’u parqitur dy herë në muaj në polici si person nën hetim.

Në krye të herës deklaroj:

Së pari, këto masa janë vendosur me urdhër të Edi Ramës bazuar kryekëput në shpifje trillime, fshehje dokumentash dhe manipulime të prokurorisë politike.

Pas tre vitesh hetimesh shterruese të nisura nga një kallzim i rremë i Taulant Ballës për privatizimin e Klubit Sportiv Partizani ata edhe sot nuk paraqitën dot asnjë provë, fakt, dokument apo dëshmi që të provojnë qoftë dhe një shkelje të vetme të ligjeve nga Sali Berisha dhe zyrtarët që janë marrë me procesin e dosjes së këtij privatizimi.

Në tre vite hetime shterruese prokurorët politik nuk kanë gjetur një vendim apo dokument të vetëm të firmosur nga Sali Berisha në 15 vite që kanë zgjatur proceset e njohjes dhe kthimit të pronës tek pronarët legjitim dhe as të privatizimit të objekteve të Klubit Partizani të ndërtuara mbi tokën e këtyre pronarëve.

Ata në tre vite hetimi shterrues kanë pyetur dhjetra e dhjetra punonjës që janë marrë me dosjen e Klubit Partizani dhe pronar të territorit të këtij Klubi, por nuk kanë gjetur një person të vetëm që të deklarojë se ka patur ndërhyrjen më të vogël nga Sali Berisha në vendimet e tij të lidhura me privatizimin e objekteve të Klubit Sportiv Partizani.

Gjithashtu në tre vite hetime prokurorët politik kanë pyetur dhjetra e dhjetra dëshmitarë, por nuk kanë guxuar kurrë të më pyesin një herë të vetme dhe kjo vetëm e vetëm se e dinë se piramida e tyre e mashtrimit do të shkrihej si bryma para diellit.

Së dyti këto masa janë vendosur në shkelje flagrante të Kushtetutës, konkretisht të nenit 73 pika 2 e të cilit thotë se ‘ Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit dhe nenit 38 i cili garanton lirinë themelore të individit, lëvizjen e tij të lirë brenda dhe jashtë vendi dhe që në pikën 1 dhe 2 garanton se:
Ky nen në pikën 1 shprehet:
1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit, dhe në pikën 2 thotë se:
2-Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit’.

Ky vendim antikushtetues tipik për regjimet totalitare është i pari i këtij lloji në 32 vite Parlamenti pluralist.
Vendosjen e këtyre masave pa miratimin e parlamentit e kam denoncuar në mënyrë të përsëritur në media:
Së pari si një shkelje të rënde të Kushtetutss, neneve ts saj ts cituara më sipër dhe si një shkruarje të ligjit themelor të shtetit nga prokuror dhe gjykatës të papërgjegjshëm, gjë të cilën nuk mund ta bëjë asnjë person, president, kryeministër apo kushdo tjetër.
Këtë të drejtë e ka ekskluzive Parlamenti i Shqiperisë ose populli me referendum.

Së dyti po në kontekstin e marrjes me urdhër të Edi Ramës nga gjykatës dhe prokurorët politik, të kompetencave, pushtetit të parlamentit, institucionit qendror të shtetit në një Republike Parlamentare shtoj se kushtetuta e vendit garanton, njeh si pushtet ekskluziv të parlamentit jashtë rasteve të flagrancës dhënien e autorizimit sistemit gjyqësor për heqjen e lirisë së deputetit.

Në respekt të nenit 73 pika 2 të Kushtetutës në 32 vite pluralizëm nuk ka ndodh kurrë që të vendosen masa shtrënguese, heqje lirie ndaj ndonjë deputetit pa miratimin praprak të parlamentit. Imuniteti i deputetit nuk është i personit, por i parlamentit për mbrojtjen e funksinimit të tij.

Me këtë rast shtoj se refuzimi im për të pranuar këtë urdhër të prokurorëve dhe gjykatëses që për të zbatuar urdhërin politik dalin mbi kushtetutën dhe mbi parlamentin nuk ka patur asgjë personale, absolutisht asgjë personale. Rikujtoj këtu se në tetor të vitit 2012 kur parlamenti votoi për lejimin e hetimit të personave me imunitet pa miratimin e tij paraprak, une kam insistuar për abrogimin e plotë të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës, pra kam kërkuar që të mos ketë asnjë lloj mbrojtje parlamentare për personat me imunitet. Por ky propozim të cilin jam gati ta votoj edhe sot u refuzua në mënyrë kategorike nga Edi Rama.

Ndaj dhe kur ky nen ekziston në kushtetuten e vendit unë besoj fort se ai është vetëm për t’u zbatuar dhe nuk kam pranuar dhe nuk pranoj kurrë në asnjë rrethanë të legjitimojë një vendim antikushtetues që de fakto shënon abrogimin e nenit 73 pika 2 të Kushtetutës jo nga parlamenti, por njerëz të quajtur të ligjit, në fakt mercenar pa ligj dhe moral që në papërgjegjshmëri të plotë pranonin të shkruanin, ndryshonin sipas urdhërit politik librin themelor të shtetit duke injoruar me vetdije të plotë faktin se cilido që merr përsipër një akt të tillë, i merr parlamentit pushtetin me pasoja kjo katastrofale puçiste për rendin kushtetues të vendit.

Personalisht nuk kam refuzuar dhe nuk do refuzojë ndonjëherë thirrjen e Prokurorisë apo Gjykatës për t’u pyetur, përkundrazi jam paraqitur kur jam thirrur dhe do të paraqitem sa herë të thirrem. Kështu që me refuzimin e vendimit politik nuk kam mbrojtur Sali Berishën si individ sepse ndoshta personalisht unë kisha interes të zbatoj vendimin antikushtetues dhe të mos merrem me parlamentin monist në të cilin jam në betejë pa kthim, mosbindje civile për të drejtat kushtetuese të mohuara. Por unë me qëndrimet e mia zgjodha të mbroj kushtetutën dhe pushtetin që ajo bazuar në parimin themelor të ndarjes dhe balancës së pushteteve i jep parlamentit, pushtet të cilin në një akt të mirëfilltë puçist, krim të shëmtuar ia marrin me urdhër prokurorët politik Kraja, Millonaj, Gjoka me porosi të Edi Ramës.

Pikërisht për marrjen në një akt puçist me urdhër të Edi Ramës të kompetencave të parlamentit nga prokuror dhe gjykatës politik, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuse për t’u shprehur për këtë konflikt që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Por ndërkohë me datë 12. 12. 2023 po këta prokurorë që kanë shkelur rëndë Kushtetutën dhe kanë marrë pushtetin parlamentit duke e ndjerë veten përsëri mbi Kushtetutë dhe Parlament në një akt të pashembullt në histori i kërkuan këtij të fundit jo vetëm të legalizojë vendimin e tyre antikushtetues të dates 21. 10. 2023 por e urdhërojnë atë që meqenëse unë nuk e zbatova të zëvendësojnë këtë vendim të paligjshëm për të njëjtat shkaqe që kanë marrë vendimin e parë me një vendim më të rëndë arrest me burg ose arrest shtëpie, njëlloj sikur Parlamenti të ishte një prokurori e një shkalle më të lartë apo thjesht një zyrë legalizimi i aktve të paligjshme të tyre dhe jo Institucioni Qendror i Republikës.

Ata pasi kanë konsumuar një vepër të rëndë para Parlamentit të cilët nuk morën leje për masat shtrënguese ndaj meje që nuk mund t’i vendosnin kurrë ndaj një deputeti pa miratimin e tij, tani e poshtruan atë duke i imponuar jo vetëm të përligj dhe pranojë faktin e kryer, por të nënshtrohet dhe të pranojë rendimin e masave shtrërngues jo mbi bazën e dokumentave, fakteve, provave apo dëshmive fajsuese, por vetëm për shkak të refuzimit nga unë të vendimit antikushtetues dhe në mbrojtje të parlamentit nga akti puçist i Edi Ramës me prokurorët dhe gjykatësit e tij politik.

Çdo njeri që njeh Kushtetutën, që njeh Parlamentin e ka të qartë se në kushte të respektimit te parimit të ndarjes dhe balancës së pushtetit kjo kurrë nuk mund të imagjinohej. Kjo kurrë nuk mund të pranohej nga një Parlament. Mirëpo ky është një realitet jo imagjinar por real. Kjo ndodhi vetëm e vetëm se sot prokuroret, gjykatësja speciale dhe parlamenti janë thjesht vegla të pushtetit të një njeriu, Edi Ramës që urdhëron parlamentin të pranojë kërkesa të tilla poshtëruese për të dhe të sillet para tyre thjesht si noter apo si zyrë e legalizimit të vendimeve të tyre antikushtetuse dhe madje edhe të vendosë sipas kërkesës së tyre masat që vetë Edi Rama i ka urdhëruar.

Per të gjitha këto une nuk mora pjesë në mbledhjen e Komisionit të Mandateve dhe nuk mund të përligjja mbledhjen e një komisioni të bazuar në një kërkesë të paligjshme, absolutisht poshtrues të puçistëve që për llogari të Edi Ramës i morën pushtetin Palamentit dhe i imponuan atij të legjitimojë aktin e tyre të paprecedent si hakmarrje politike për mbrojtjen që unë me qendrimet e mia i bëra Kushtetutes dhe Parlamentit.
Vendimi i sotëm i komisionit Rama-Brava për të përligjur aktin antikushtetues të mercenarëve të Edi Ramës është një dëshmi tjetër e qartë e kontrollit total të Edi Ramës të çdo pushteti në Shqipëri.

Duke përfunduar Partia Demokrtatike ju bën thirrje demokrateve dhe demokratëve, mbarë qytetarëve të vendit të vazhdojmë betejën tonë pa kthim të mosbindjes civile deri në përmbysjen e regjimit të Edi Ramës të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Dj PM dhe Sarah Berisha do të bëhen prindër? Çifti zbulon të vërtetën

Dj PM dhe Sarah Berisha përfliten se së shpejti do të bëhen prindër. Por sa të vërteta janë këto fjalë?

Sarah tregoi gjatë një interviste në “Top Channel” se nuk është e vërtetë që është në pritje të ëmbël, por pohoi se planet që vitin tjetër të zgjerojnë familjen.

Ronaldo Sharka: Së shpejti prindër?

Dj Pm: Aspak dhe që në momentin që do ketë diçka do dal ta them vetë edhe kur të dyshoj do them më duket po bëhem prind

Sarah Berisha: Nuk ka gjë lajmet dalin se mua më fryhet barku dhe njerëzit mendojnë se jam shtatzanë

Sahah Berisha: Nuk ka gjë më të bukur po vitin tjetër besojmë

Dj PM: Kështu janë planet, po ishalla nuk ndodh (qesh).

Mijëra fermerë gjermanë dalin në rrugë me traktor, protestojnë për naftën dhe taksat

Mijëra fermerë gjermanë dolën në rrugët e Berlinit për të kundërshtuar shkurtimin e fondeve që shkojnë në mbështetje të tyre.

Ata protestuan me traktorë në mënyrë simbolike, duke kërkuar që të mos reduktohen subvencionet për naftën dhe të ketë rishikim të taksave rrugore për mjetet bujqësore që përdorin ata.

Fermerët paralajmëruan se shumica e fermave janë të drejtuara nga familja dhe tashmë punonin me marzhe të vogla dhe se kostot shtesë do t’i detyronin ata të mbyllnin bizneset e tyre.

Në Gjermani ka kritika edhe për vendimin që i jep fund një programi që paguante subvencione për blerësit e automjeteve të reja elektrike.

“Si në burg”- Pse po vdesin shqiptarët në Bibby Stokholm?! Kapacitetet dhe kushtet në anijen-hotel

Leonard Farruku, është 27-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se i dha fund jetës në anijen-hotel Bibby Stokholm javën e kaluar.

Disa azilkërkues që janë strehuar në anijen e ankoruar në Portland, Dorset, thanë se i riu shqiptar ishte në gjendje ankthi pak para se të vdiste, ndërsa është dëgjuar duke bërtitur dhe goditur në murin e kabinës së tij.

Sipas Telegrafit, motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi në Itali, pretendoi se Leonardi trajtohej “si kafshë” nga stafi.

Farruku është shqiptari i dytë që vdes në harkun kohor të pak javëve teksa ishte nën kujdesin e Home Office.

Alfred Dosku, 37 vjeç, vdiq më 17 nëntor pas një tentative për vetëvrasje. Ai kaloi një javë në spital në gjendje kritike para se të vdiste.

Avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se shumë shqiptarë që kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar për arsye përfshirë trafikimin apo gjakmarrjen janë në rrezik nëse kthehen me forcë në vendin e tyre.

Vdekja e Farrukut shkaktoi shqetësim të madh mes 300 azilkërkuesve të tjerë të vendosur në anije.

Home Office më parë kishte refuzuar të përmendte emrin e Farrukut dhe kërkesat e bëra nga Guardian drejtuar mjekut ligjor të Dorset për informacion në lidhje me vdekjen.

Vdekja e shqiptarit është problematika e fundit me të cilat është përballur anija që kur u ankorua në Portland në korrik.

Ai duhej të evakuohej në verë pasi grupi i parë i azilkërkuesve zbuloi baktereve potencialisht vdekjeprurëse legjionella në furnizimin me ujë.

Zyra e Brendshme ka pranuar se anija u ka kushtuar taksapaguesve më shumë se 22 milionë paund deri më tani.