zoom

Day ArchiveSi lidhet gjumi me seksin e suksesshëm, sipas shkencës

E vërteta është se ne kemi lexuar studime të panumërta rreth ushqimit të duhur, shëndetit më të mirë dhe seksit të përmirësuar. E gjithë kjo është e dokumentuar shkencërisht, kështu që ne nuk humbasim asgjë për të provuar të hamë më shumë luleshtrydhe.

Nëse po flasim për seksin, janë gjërat e vogla që luajnë rolin e tyre, si gjumi, për shembull. Sipas hulumtimit të fundit të publikuar në Journal of Sexual Medicine, edhe një orë më shumë gjumë rrit gjasat për të bërë seks ditën tjetër me 14%.

“Ndikimit të gjumit në zgjimin seksual nuk i është dhënë hapësira që meriton në fushën tonë, por këto gjetje sugjerojnë se gjumi i pamjaftueshëm kontribuon në uljen e dëshirës seksuale te femrat. Mesazhi që duam të dërgojmë nuk është se gjumi është përgjigja për çdo problem në seks, por se në përgjithësi është i mirë”, shpjegon studiuesi kryesor Dr. David Kalmbach.

Disa njerëz thjesht nuk duan të bëjnë seks dhe këto janë 2 arsye pse

Le të fillojmë me opsionin e parë. Mund të jeni aseksualë. Ka shumë shpjegime të ndryshme të këtij termi, por përkufizimi themelor është mungesa e interesit për seks ose më pak interes për seksin se çdo gjë tjetër. Rreth një përqind e popullsisë e identifikon këtë mënyrë, prandaj është e rëndësishme që ju të dini se aseksualiteti është relativisht i zakonshëm dhe plotësisht normal.

Tani, le të flasim për opsionin tjetër. Jeni të rinj në moshë. Mund të duhet një kohë për të kuptuar se çfarë ju pëlqen dhe për t’ju përgjigjur seksualisht. Në të vërtetë, shumica e njerëzve do të përshkruanin përvojat e tyre të hershme seksuale jo aq të kënaqshme. Ndoshta nuk keni përjetuar akoma seksin më të mirë të jetës suaj, kështu që nuk ka arsye që ju të ngazëlleheni.

Nëse është kështu, atëherë zgjidhja është më shumë eksplorim dhe eksperimentim. Tani për tani, unë do t’ju inkurajoj që të eksploroni trupin tuaj vetë dhe të përpiqeni të kuptoni atë që ju pëlqen. A keni një praktikë të rregullt të masturbimit? Nëse jo, kjo mund të jetë një gjë interesante për ju për të eksploruar. Mund të provoni edhe leximin e librave të erotikës ose të edukimit seksual dhe shikoni nëse zbuloni ndonjë gjë që tregon interesin tuaj. Mund të filloni gjithashtu të krijoni një listë të seksioneve seksuale të gjërave që dëshironi të provoni në një moment tjetër.

Shumë njerëz kanë një qasje seksuale mjaft pasive, por nëse nuk jeni duke eksploruar në mënyrë aktive dhe duke u përpjekur të kuptoni se çfarë mund t’ju bëjë të ndiheni mir me trupin tuaj, kjo nuk do të sjelljë ndonjë dobi të madhe. Gjatë seksit, a keni kapur ndonjëherë veten duke menduar se dëshiron që gjërat të jenë ndryshe? Harrojeni këtë fakt dhe relaksoni trupin dhe mendjen.

Është gjithçka ju duhet për të ndjerë emocionet e aktit intim!

Eksperti: Zbulon kush e filmoi aktin seksual të Safet Gjicit, kushton 300 mijë euro

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço ka komentuar mbrëmjen e sotme videon e skandalit, ku kryebashkiaku i shkarkuar i Kukësit, Safet Gjici shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në ambientet e zyrës së tij.

Ai tha në “Zonë e Lirë” se filmimi i aktit është bërë me anë të një çante, që është vendosur posaçërisht në atë pamje për të filmuar aktin. Ai tha se këto çanta kanë ardhur dhe në Shqipëri, të cilat kushtojnë rreth 300 dollarë.

Karamuço: “Dinamika e supozuar ka qenë kjo: Janë futur në zyrë, filmimi është bërë nga një çantë. Çanta është pozicionuar në atë pamje ku vërtet do të kryhej akti, në pjesë ballore të zyrës. Ky nuk është akti i parë, do ketë qenë akti i përsëritur.

Është vendsosur çanta, e shikoni atë vrimën e vogël te zinxhiri, ajo ka një bateri. Ky është prodhim indian diku te 300 dollarë. Këto janë çanta që përdoren nga gratë të cilat duan të shantazhojnë përmes pamjeve filmike intime.

Këto çanta kanë ardhur dhe në Shqipëri. Podseduesja e cantës ka qenë në dijeni të plotë të asaj që po filmohet dhe vazhdon të klërkojë ende pamje filmike, intime. Është e planifikuar”.

Kush është vajza që shfaqet me Safet Gjicin në zyrën e kryetarit të bashkisë?

Safet Gjici dha dorëheqjen sot (16 qershor) nga posti i kryebashkiakut të Kukësit, pas publikimit të një video skandali seksual, ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie me një vajzë në zyrën e tij.

Po kush është vajza që shfaqet në video? Sipas mediave mësohet se ajo është shtetasja me inicialet A.K., me origjinë nga Durrësi dhe vendbanim në Durrës.

Ndërkohë bëhet e ditur se vajza është thirrur nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, pasi SPAK ka nisur tashmë hetim ndaj zotit Gjici.

Videoja ku shfaqet Gjici dhe vajza u bë virale në rrjetet sociale, më pas u shpërnda edhe në media.

Vete Safet Gjici pas publikimit te pamjeve dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë, ndërsa Qeveria njoftoi se kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit kishte rregjistruar ndërkohë një procedim penal ndaj Gjicit.

Safet Gjici kërkoi ndjesë publike ndaj “kujtdo që ka parë atë material të shëmtuar video”. Në postimin e tij, kryebashkiaku pranon se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke shtuar megjithatë se “nuk ka asnjë justifikim për atë çfarë ka ndodhur, pavarësisht se i rënë në kurth”, shkroi ai.

Skandali seksual i Gjicit/Olti Curri ironizon videon:Skenografia klishe, ndriçimi për faqe të zezë

Nuk ka munguar as reagimi i Olti Currit për videon erotike të kryebashkiakut të Kukësit e cila qarkulloi me shpejtësinë e erës dhe u kthye në temën e ditës së sotme.

Më shumë do të shqetësohesha kur populli e ha në gojë në mjekësi, në cilësinë e jetës, cilësinë e ndërtimeve, trafikun, tarifat e internetit, në çmimin e energjisë elektike, të ujit, në shkollat publike, etj etj. Një video më shumë apo një video më pak nuk na ndryshojë cilësinë e jetës”, thotë Olti Curri, por nuk ka munguar as ironia e tij ku ka komentuar videon nga aspekti “skenografik”.

“Ndriçimi ishte për faqe të zeze, skenografia ishte shumë standarte, klishe. Mbulimi me kamera shumë i dobët, sepse nuk kishte plane shtesë nga droni apo kamera ansore. Skenari ishte inekzistent dhe loja e aktorëve standard”, përfundon blogeri.

Bien rrjetet sociale në të gjithë globin, ankesa nga përdoruesit

Përdoruesit e Instagram, Facebook dhe WhatsApp po raportojnë të gjithë probleme duke përdorur aplikacionet.

Problemet erdhën rreth orës 21:00, pasi përdoruesit nuk po logoheshin dot te faqet e mediave sociale. Megjithatë, ndërprerja më vonë u bë globale.

Përdoruesit e Instagramit thonë se kishin vështirësi për të dërguar mesazhe, ndërsa ata në WhatsApp u ankuan se nuk mund të ngarkonin fotot. Përdoruesit e Facebook thanë se faqja e internetit po shfaqte vetëm logot dhe nuk po ngarkohej plotësisht.

Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur, ndërkohë që deri më tani Meta nuk ka dhënë asnjë informacion.

Zhaklin Lekatari: Pasurinë do t’ia lë maceve të mia

Një studim ka treguar se gratë pa një burrë në jetën e tyre janë më të lumtura. Pikërisht kjo ishte edhe tema e një emisioni ku e ftuar ishte edhe opinionistja dhe gazetarja Zhaklin Lekatari.

E pyetur mbi raportin në çift, Zhaklina tha se mund të jesh e lumtur edhe vetëm, pa një mashkull në jetën tënde.

Gjatë bisedës gazetari e ka pyetur: “Të gjithë pasurinë që do fitosh kujt do t’ia lësh trashëgimi nëse nuk ke një familje?”.

Zhaklina i është përgjigjur se do t’ja lë maceve të saj ose do të bëjë një vepër bamirësie duke i dhuruar për fëmijët jetim.

Boris Johnosn i rikthehet gazetarisë, rroga e tij do ju habisë

Boris Johnson filloi karrierën e tij si gazetar në “The Times” të Londrës dhe më vonë vazhdoi në “Daily Telegraph”. Ai u bë asistent redaktor në të njëjtën gazetë nga viti 1994 në 1999 dhe më vonë redaktor në “The Spectator” nga 1999 deri në 2005.

Në vitin 2001, ai bëri kalimin në politikë, fillimisht si deputet dhe më pas në 2008 si kryetar i Bashkisë së Londrës. Në vitin 2019, ai u zgjodh kryetar i partisë konservatore dhe mori detyrën e kryeministrit.

Kjo ishte një CV e shkurtër e Johnson, e ndërsa tashmë që dha dorëheqjen si kryeministër në vazhdën e Partygate dhe si deputet së fundmi, Boris Johnson i është rikthyer gazetarisë. Ai ka arritur një marrëveshje me gazetën Daily Mail në të cilën do të ketë rubrikën e tij javore.
“Ne jemi të kënaqur të shpallim Boris Johnson si kolumnistin tonë të ri. I njohur si një nga shkrimtarët më të zgjuar dhe origjinal, rubrika e Boris do të publikohet në Daily Mail çdo të shtunë”, njoftoi gazeta britanike në një postim në Tëitter.

Burime të cituara nga Politico thonë se ish-kryeministri britanik do të marrë një shumë gjashtëshifrore çdo vit për këtë partneritet.

Nga fëmijëria, familja dhe karriera, rrëfehet Robert Ndrenika

Aktori i mirënjohur shqiptar, Robert Ndrenika, ka folur për jetën e tij, në një intervistë të gjatë për Mira Kazhanin. 81-vjeçari tregoi detaje që nga fëmijëria e deri sot.
Intervista e transkriptiar nga Tirana Post*
Mira Kazhani: I dashur Ndrenikë, faleminderit që më the Po dhe para se të të pyes, dua t`ju falënderoj që ndërruat mendje ndoshta për një nga zotimet më kokëforta të jetës tuaj, për të mos dhënë intervistë jete. Më shumë sesa meritë e imja, them se është e juaja. Njeriu e ka më të vështirë të ndryshojë mendjen e vet ndonjëherë.
Robert Ndrenika: Tani ti më bëre komplimente mua, po unë megjithëse je shumë e bukur, e dashur, e mirë nuk po të bëj komplimente. Tani fillojmë…
Mira Kazhani: E nisim me fëmijërinë tuaj. Cili është kujtimi më i fortë që keni nga fëmijëria? Ndoshta diçka me nënën, me babain, me vëllain, me një shok. Çfarë ju vjen ndërmend kur shkoni në fëmijëri?
Robert Ndrenika: Një fëmijëri e qetë, i urtë. Shokëve iu thashë një histori…
Mira Kazhani: Na e thuaj dhe neve!
Robert Ndrenika: Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj, etj… Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin tek radha e burrave. Radha ishte: një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha tek burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: O baba, ç`më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë.
Mira Kazhani: Çfarë tha babai?
Robert Ndrenika: Më këputi një të sharë që nuk thuhet këtu. Edhe unë diçka kuptova. Mbylla gojën edhe nuk fola më.
Mira Kazhani: Duhet mbyllur goja ndonjëherë në jetë.
Robert Ndrenika: Uaa. Duhet mbyllur. Gojën po e mbyllim edhe sot…
Mira Kazhani: Çfarë e keqe të vjen nga fjala?
Robert Ndrenika: Thonë disa që gjuha hekur s`është, po hekur thyhen.
Mira Kazhani: Meqë ishim në fëmijëri, dua të rri pak tek nëna juaj. Si e kujtoni nënën?
Robert Ndrenika: Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e Gjuhës, e Gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë. Natyrisht babai njëçik më i rreptë.
Mira Kazhani: Si baballarët në përgjithësi.
Robert Ndrenika: Nuk ma mësuan greqishten që flisnin bashkë. Nuk ma mësuan se u kuptoja sekretet. (qesh) Kur vinte babai kuptoja që mëma i thoshte greqisht ca zullume të miat. Unë e ndjeja këtë gjë. Ai më thoshte mbas pak “Ke bërë këtë, ke bërë atë”.
Mira Kazhani: E mësove vetë greqishten më vonë?
Robert Ndrenika: Në pleqëri diçka. Se m`u desh që të vija herë pas here në Greqi. Mësova sa për të blerë speca, sa për të blerë domate, gjëra të zakonshme.
Mira Kazhani: Origjina juaj është nga Vunoi?
Robert Ndrenika: Origjina është Vunoi. Por të ikur nga Vunoi, të vajtur në kurbet edhe mamaja, edhe babai. Vonë, vonë nga kurbeti u kthyen, erdhën në Tiranë kur këtu u bë monarkia e Zogut. Bënë edhe një shtëpi këtu në të cilën unë kam lindur sot e 81 vjet më parë. Edhe në maternitet nuk kam qenë. Këtu në këtë shtëpi edhe kam lindur, banjo edhe sot e kësaj dite.
Mira Kazhani: Në atë kohë nuk ka qenë nocioni ‘adoleshent’ siç themi sot, po si keni qenë ju gjimnazist?
Robert Ndrenika: Gjithmonë kam qenë njëçik më i vogël se të tjerët. Duke qenë arsimtare mëma, më kishte futur jo 7 vjeç, por më pak se 6 vjeç. Të mesmen e kam mbaruar në moshën 16-vjeçare. Gjithmonë me dëshirën që të bëhesha aktor. E kisha këtë dëshirë që i vogël. Shihja nxënës shkolle që luanin teatër dhe desha t`i imitoja. Rashë si të thuash në dashuri me këtë profesion. Shkoja nëpër Shtëpi Pioneri, nëpër Pallate Kulture paralelisht edhe me gjimnazin. Në gjimnaz kam qenë nxënës jo shumë i mirë, po jo dhe shumë i keq. I kam kaluar të gjitha vitet. Nuk kam mbetur ndonjëherë provim për vjeshtë. Kur mbarova gjimnazin babai nuk e kishte qejf këtë profesion që mora unë. Donte gjëra praktike.
Mira Kazhani: Inxhinier…
Robert Ndrenika: Inxhinierinë donte shumë. Bëri ç`bëri, dhe në fillim e drejta e studimit më doli për Inxhinieri Mekanike. Vajta ca kohë atje. Bëra ca gafa – që mund t`i them ndonjëherë tjetër – edhe ika. Ika dhe prisja që të hapej shkolla e aktorëve. U hap shkolla e aktorëve. Vajta dhashë konkurs aty, por nuk fitova radhën e parë.
Mira Kazhani: Nuk fituat! Robert Ndrenika nuk e ka fituar konkursin për herë të parë.
Robert Ndrenika: Nuk fitova. Edhe një Shpëtim Shëmilli i Elbasanit, edhe një Pëllumb Kulla që është dramaturg, regjisor, edhe ai nuk ka fituar.
Mira Kazhani: Por nuk hoqët dorë nga ëndrra?
Robert Ndrenika: Jo nuk hoqëm dorë. Vitin tjetër që u bë konkursi u futëm të tre madje, pa u njohur me njëri-tjetrin. Vitin tjetër fituam dhe fati ishte që ishim në një kurs katër vjet, për aktor.
Mira Kazhani: Ju pëlqenin se ishit i pashëm apo se kishte tek ju shumë talent në aktrim? Si ka ndikuar paraqitja juaj?
Robert Ndrenika: Radhën e parë më skarcuan sepse isha pak a shumë minoren në trup edhe në bukuri. Isha i paformuar. Gjatë shkollës pedagogët më zbuluan këtë anën profesionale, anën e talentit.
Mira Kazhani: Cila ishte pika juaj e fortë sipas pedagogëve të kohës?
Robert Ndrenika: Profesorë kam pasur Luarasin dhe Spahivoglin, ose Spahivoglin dhe Luarasin. Njëri kishte studiuar në Rusi, tjetri në Hungari. Pedagogë shumë të mirë. I ndrittë shpirti atje ku janë.
Mira Kazhani: Kur e takove Poliksenin, dashurinë tënde të jetës? Gjatë kohës kur ishe student?
Mira Kazhani: Ku u takuat për herë të parë?
Robert Ndrenika: Këtu në Tiranë. Edhe ajo kishte bërë Liceun Artistik. Mirëpo unë nga eksperienca e familjes time, edhe nga ajo që shihja aktorë burrë e grua në një punë, që në fillim mbase ishin, po pastaj kishte edhe sherre dhe konflikte dhe nga eksperienca që mëmën e kisha arsimtare, ishte më e lehtë puna dhe ndërroi degën Polikseni, u bë arsimtare për Gjuhë-Letërsi.
Mira Kazhani: E bëri për ju këtë sakrificë? Ia kërkuat ju apo e bëri vetë se e ndjeu, për dashurinë tuaj?
Robert Ndrenika: Po të dyja mund të thuash. Edhe njëra, edhe tjetra. Po nuk i doli keq edhe si arsimtare, për arsyen se bëri dy vajza. U bë një familjare e mirë, kurse teatri ka qenë i vështirë, jo vetëm për atë, po ka qenë i vështirë për turnera, për familjarët ka qenë i vështirë.
Mira Kazhani: Edhe për burrat po thoni, sepse duhet të ikje nga shtëpia.
Robert Ndrenika: Një shembull është i ndjeri Sandër Prosi. Nuk na dilte dieta, edhe thoshte: Ore s`dua dietë. Mbajeni juve dietën. Mua më jepni vetëm për të ngrënë. Më jepni dy paketa Partizani (cigare), dy kafe, edhe s`dua dietë. Se puna ishte të mos merrnim nga rroga. Rroga duhej për në shtëpi, për familjen.
Mira Kazhani: Keni shkuar shumë mirë me Poliksenin.
Robert Ndrenika: Relativisht mirë.
Mira Kazhani: Pse thua ‘relativisht mirë’?
Robert Ndrenika: Po se s`ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç`bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s`mund të thuhen këtu.
Mira Kazhani: Jo nuk do t`i themi, por më pëlqen sinqeriteti juaj.
Robert Ndrenika: E dinë gratë e aktorëve se ç`kanë hequr (qesh).
Mira Kazhani: E di dhe Polikseni.
Robert Ndrenika: Po edhe ajo e di atje ku është, në Shën Spiridhon.
Mira Kazhani: Ka qenë xheloze Polikseni? I linit vend vetes ju për xhelozi?
Robert Ndrenika: Edhe mund të ketë qenë.
Mira Kazhani: Je rrethuar me vëmendje grash Robert Ndrenika? Si reagoje? Ta përkëdhelte sedrën kjo?
Robert Ndrenika: Më duket se tani në pleqëri, ja kam vënë re që ti ke filluar të më… (qesh)
Mira Kazhani: Po, unë po flirtoj pak (qesh).
Ju jeni baba i dy vajzave. Jeni i rrethuar me gra në shtëpinë tuaj. Elena jeton në Gjermani, ndërsa Diana në Tiranë. Kanë emra të bukur që të dyja. Udhëtoni shpesh për tek Elena në Gjermani?
Robert Ndrenika: Jo. Kam 2-3 vjet që nuk udhëtoj. Nuk iki nga Tirana më. As në Korfuz nuk vete.
Mira Kazhani: Korfuzi ka qenë destinacion i bukur për ty? Ke kujtime të mira?
Robert Ndrenika: Po, se kemi një copë shtëpi, një copë banesë aty.
Mira Kazhani: Kur shkoje në Gjermani si të dukej jeta atje?
Robert Ndrenika: Ditët e para mirë, por pastaj mërzitesha. Më kujtohej vetëm Heine që kishte Gjermania “Përrallë dimri”. Nuk ishte ndonjë përrallë kushedi se çfarë në dimër.
Mira Kazhani: Kur u takuam bashkë, më the një shprehje në greqisht, që krahasoje Shqipërinë me Gjermaninë. Kur të pyeta nëse të pëlqente atje, më the diçka që ishte e nënës. Nuk e di nëse mund të ma risjellësh se më ka pëlqyer shumë.
Robert Ndrenika: “Spiti spitaqi palo kalivaqi”, domethënë “Shtëpi, shtëpiza ime sado e vogël, po qoftë edhe kasolle e keqe, është shtëpia ime”.
Mira Kazhani: Është Shqipëria.
Mira Kazhani: Çfarë raporti ke me Tiranën?
Robert Ndrenika: Raportin më të mirë, sidomos me këtë vendin këtu që ka lulëzuar dhe bliri tani.
Mira Kazhani: Edhe në intervistën tonë kushti yt ishte që ta bëjmë në kafen tënde të preferuar, që është një kafe normale në fakt.
Robert Ndrenika: E mira do ishte ta kishim bërë atje përjashta.
Mira Kazhani: Tek bliri do doja dhe unë.
Mira Kazhani: Ka shumë zhurmë atje.
Robert Ndrenika: Edhe njerëz.
Mira Kazhani: E mira është që ne po flasim dhe po bëjmë bashkë një bisedë.
I dashur Ndrenikë, për këtë intervistë ka bashkëpunuar shumë me mua mbesa juaj, Ana Maria. Ishte e rëndësishme për të që ju të jepnit një rrëfim. Madje më tha sa më modern. Siç është gjyshi në të vërtetë. Autoironik, modern dhe i jashtëzakonshëm. Ajo më tha se ju do më shumë edhe se vetë prindërit e saj. Pse mendon që ke këtë raport kaq të veçantë me mbesën?
Robert Ndrenika: Ajo është paksa e përkëdhelur, por mua ma ka bërë qejfin sepse është si ajo që nuk e prisja të më dilje kaq i mirë (qesh).
Mira Kazhani: Është doktoreshë e mirë.
Robert Ndrenika: Doktoreshë e mirë. Ka sukses në profesion. Ana në shkollën fillore filloi me Anglisht. Nga italishtja nuk dinte fare. Dinte vetëm filmat e animuar dhe arriti në shkojë në shkollë për Mjekësi në italisht, tek Zoja e Këshillit të Mirë. Mbaroi studimet për mjeke në gjuhën italiane.
Mira Kazhani: Jeni krenar për Ana Marian.
Robert Ndrenika: S`më ka lënë mundësi tjetër. Duhet ta vlerësoj për këtë.
Mira Kazhani: Çfarë i këshillon Ana Marias? Të punojë shumë apo ta jetojë jetën shumë?
Robert Ndrenika: Të dyja. Jo jetë që ta jetojë qëllim në vetvete, prandaj të dyja paralel.
Mira Kazhani: Çfarë uron për të?
Robert Ndrenika: Shëndet në radhë të parë. Se me çështje shëndeti kemi ca telashe.
Mira Kazhani: I kemi të gjithë në çdo shtëpi.
Robert Ndrenika: Shëndet në radhë të parë. Them që shëndeti është pasuri.
Mira Kazhani: Në 81 vjet eksperiencë me jetën çfarë ke mësuar? Përveçse shëndeti është shumë i rëndësishëm… Çfarë të bën të jesh një njeri në harmoni me veten tënde? Të bën suksesi? Të bën familja e lumtur? Të bën një mendje e fortë, e shëndetshme…?
Robert Ndrenika: Nuk di si të përgjigjem, por di që jam nga ata që e falënderoj Zotin dhe jetën për kaq sa kam arritur.
Mira Kazhani: E ndjeni veten me fat?
Robert Ndrenika: Deri diku e ndjej veten me fat.
Mira Kazhani: Ke një dëshirë apo një peng që s`është plotësuar?
Robert Ndrenika: Ç`të të them? Të isha milioner? Edhe po të isha milioner do falja majtas-djathtas. Ç`i desha të gjitha? Më kritikon njëra nga këto vajzat. Je minimalist më thotë. Nuk kam qenë shumë…
Mira Kazhani: I etur pas parasë…
Robert Ndrenika: Po. Edhe pas pasurisë. Më pëlqente një frazë që thoshte një burrë i vjetër që para as kam, as më mbarohen.
Robert Ndrenika: Po kështu jam edhe unë.
Mira Kazhani: Do flasim pak për filmat tuaj. Të gjitha rolet janë të jashtëzakonshme. Unë si gjithë shqiptarët jam rritur me rolet tuaja dhe nuk e bëj dallimin shumë nga Robert Ndrenika, me rolet. Keni ju një rol të preferuar që thoni që ju ngjan, ose e keni gjetur veten në mënyrë specifike?
Robert Ndrenika: E para njëherë më vjen keq shumë për teatrin. Se puna ime më e madhe ka qenë në teatër, e cila ka humbur e gjitha. Filmin unë e kam 1/5 e punës që kam bërë në teatër. Po filmi paska pasur këtë të mirë që mbetet edhe më njeh Mira, më njeh tjetri, më njeh mbesa. Kurse puna ime e madhe ka qenë në teatër. E atë s`ma di kërkush. Vetëm ndonjë shfaqje që është filmuar në televizion, po edhe ajo ose është filmuar keq… Kurse shumë shfaqje të tjera teatrore, mua edhe kolegëve të mi ju kanë humbur.
Mira Kazhani: E shikon sa mirë kam bërë që kam insistuar për këtë intervistë jete bashkë. Se rolet janë aty, ndodh si me teatrin. Është shumë bukur kur lë diçka të filmuar dhe brezat të shohin. Kjo ishte dhe një dëshirë e Ana Marias, që brezat e rinj ta shohin gjyshin e saj edhe pas 30 vitesh, edhe pas 50 vitesh. Janë të rëndësishme gjërat që i lëmë në film, të regjistruara.
Në karrierën tuaj kinematografike ka një moment që jo shumë e dinë, ndoshta njerëz të kohës tuaj, të vështirë në jetën tuaj. Në filmin “Fijet që priten” në fund të filmit për shkak të vëllait tuaj që është arratisur, ju jeni përjashtuar nga filmi me urdhër. Si e kujton këtë moment të jetës tënde?
Robert Ndrenika: Ai ka qenë një budallallëk sot e kësaj dite i administratës a kush ishte ajo. Gjatë xhirimit të filmit ishin edhe dy nëpunës të Ministrisë së Brendshme. Se skenari ishte për Ministrinë e Brendshme. Vjen një hierark i Ministrisë së Brendshme kur mbaron filmi dhe thotë ky të hiqet. Një arbitraritet që… Për më tepër kur u mor ky veprim u thashë atyre që asistonin gjatë xhirimit të filmit: More ju e dinit që unë e kisha këtë vëllain të arratisur? Po e dinim. Po pse më morrët në film? Po ishe aktor i teatrit. Edhe me të drejtë me morën në film.
Mira Kazhani: Kanë bërë shumë mirë që të kanë marrë në film. Kanë bërë keq që të kanë larguar.
Robert Ndrenika: Më thanë ata: Po mirë, bëj një letër. I bëra një letër të madhit të Ministrisë së Brendshme. Më thirri njëri. Se pas heqjes së këtij rolit nga filmi, pata edhe telashe me këta të teatrit, me shokët e organizatës bazë të partisë. Që ishin lëre mos e nga se ç`ishin, qoftë për neve, qoftë edhe për njëri-tjetrin. E mora vesh që u bënë gati të më hiqnin nga Tirana prapë. Të më çonin diku.
Robert Ndrenika: Jo internim, po të çonin në ndonjë vatër kulture në Gramsh a në Librazhd. Të mënjanonin si me thënë. Ai i madhi i Ministrisë së Brendshme kishte dhënë urdhër që i thoni atij të vazhdojë punën. I thashë, po ku e dinë këta të teatrit. “Ne do t`i njoftojmë atje ku duhet”. Mesa duket kanë njoftuar në Komitetin e Partisë dhe që atë ditë nuk më nganë më.
Mira Kazhani: Pas këtij momenti Enver Hoxha ju ka dekoruar.
Robert Ndrenika: Kjo është pak më vonë. Se me këtë “Fijet që priten” nuk u plagosa vetëm unë. Po erdhi si direktivë që këta aktorë që kanë një të ashtuquajtur njollë në biografi, të mos u jepen role pozitive. T`u jepen vetëm role negative. Edhe këto ishin budallallëqe. Se filluan aktorët të vrapojnë të marrin vetëm role pozitive. Rolet pozitive ishin sekretarët e partisë. Shpeshherë negativet ishin më simpatike. Në këtë kuptim më kanë bërë dhe nder pa dashjen e tyre. Ajo që më the për shokun Enver, ka qenë tek filmi “Koncert në vitin `36”. Ai siç duket e pa atë film, i cili edhe sot e kësaj dite, më falni për mungesën e modestisë, ju them që është nga filmat më të mirë shqiptarë. Enver Hoxha e pëlqeu filmin dhe veçanërisht rolin. Se pse, kam bërë shumë pyetje me veten time dhe kam arritur në përfundime të tilla që konportimi im në film, pamja i ngjante dhe jetës së tij. E kam vënë re në fotografira në kohën e Zogut, ashtu ishte. I krehur ashtu. Mbante edhe bastun siç mbajmë ne tek filmi “Koncert në vitin 1936”. Të mbaje bastun, i ri, në ato kohëra, ishte e modës. Siç është sot blu xhinsi, bastuni ka qenë i modës. Ose miqësia që ka pasur në jetë me Tefta Tashko Koçon dhe filmi i kushtohet edhe Tefta Tashkos. Ndoshta kjo gjë… Edhe pyeti siç duket, po i thanë që ky ka një vëlla të arratosur.
Mira Kazhani: Arratosur (qesh).
Robert Ndrenika: Po pra, se kështu thoshte njëra, arratosur, nuk thoshte arratiur. Edhe tha atë shprehjen atje që nuk e bëjnë Artist të Merituar se paska një vëlla të arratosur. Po nga u prish gjiza neve nga vëllai i tij – tha – ai është familje e mirë etj, etj. Familje e mirë! Familje e qetë isha. Siç të thashë, nuk kisha as partizan, as dëshmor.
Mira Kazhani: Po mendoja tani që në çdo diktaturë, ekzistojnë shtigje të gjelbërta. Nëse dikush të simpatizon apo gjen diçka, ti mund t`ia hedhësh. Edhe falë talentit në këtë rast. Ju ka shpëtuar talenti juaj, mendoj.
Robert Ndrenika: Edhe rastësi, edhe fat.
Mira Kazhani: Meqë jemi tek fati. Fatin e bën njeriu vetë apo disa gjëra nuk varen nga njeriu vetë?
Robert Ndrenika: Jo, nuk varen nga njeriu. Sado mundohet njeriu të luftojë me fatin, ndonjëherë nuk varet nga njeriu.
Mira Kazhani: Dua shumë ta kuptoj ç`patët ju që u përfshitë në politikë në vitet `90 dhe u bëtë deputet.
Robert Ndrenika: Po me ta thënë moj Mira Kazhani që erdhën më lutën të bëhem deputet?
Robert Ndrenika: Në fillim thashë… pastaj jo ky, jo ai, jo gruaja, jo shoku, bëhu, bëhu.
Mira Kazhani: Edhe Polikseni tha bëhu?
Mira Kazhani: Pse mendonte që duhet të bëheshe deputet?
Robert Ndrenika: As e dinim në atë kohë… Unë dija që deputetët e shokut Enver nuk kishin ndonjë…
Mira Kazhani: Jetë më të mirë…
Robert Ndrenika: Pak a shumë. Kishim aktorë që ishin deputetë.
Mira Kazhani: Në atë kohë në fakt ka pasur njerëz të jashtëzakonshëm në Parlament.
Robert Ndrenika: Më bënin përshtypje ca gjëra, po nuk isha anëtar i Partisë Demokratike.
Mira Kazhani: Nuk u bëtë asnjëherë.
Robert Ndrenika: Asnjë ditë. Asnjë orë. Madje më thoshin: Pse nuk bëhesh anëtar? Kam alergji nga fjala parti, u thosha. Këtë përgjigje jepja. Përveç Ligjit të Kinemasë, nuk u mora fare. Deputeti në radhë të parë është ligjvënës. Nuk u mora shumë se kishte shumë, shumë ligjvënësa më të mirë se unë rreth e rrotull. Sidomos për çështjet ekonomike që kishin rëndësi për momentin. Por dhashë një kontribut shumë të madh në zonën time elektorale.
Robert Ndrenika: Në fshatrat e Elbasanit. Elbasani më kërkoi, se më njihte meqë kisha punuar dikur atje. Dhashë një kontribut që edhe sot e kësaj dite kujtohem për mirë. Ngaqë kisha njohje në Tiranë, edhe vinin, jo spitali, jo ambulanca, dhashë një kontribut…
Mira Kazhani: Pse hoqët dorë? Çfarë patë tek politika që nuk patë të ardhmen tuaj aty?
Robert Ndrenika: Do të ta them ç`qe?
Robert Ndrenika: Po ja po ta them. Mbaroi 4-vjeçari i parë i deputetit. Më vjen Aleksandër Meksi, ishte kryeministër, e më thotë: Zona të kërkon të vazhdosh dhe do jesh prapë deputet. Ishte e vërtetë kjo dhe unë si me thënë u vura në pozitë që do jem prapë deputet. Marr vesh në momentin e fundit, më kishin hequr. Në fakt u bëra keq, jo se kisha ndonjë… Shyqyr që nuk u bëra. Se ai parlament vetëm një vit. Ndodhën ato katrahurat që ndodhën. Vetëm një vit jetoi ai parlament. Lavdi Zotit që nuk u bëra. Po marr vesh nga ata të Elbasanit, nga njerëz seriozë, që një i madh i PD-së këtu kishte thënë: “Atë do bëni prapë deputet që s`ka ardhur të kërkojë falje tek Partia Demokratike, që ka luajtur Qazim Mulletin”. Domethënë unë duhet të vija t`i thosha Partisë Demokratike: Më falni që kam lozur Qazim Mulletin! Në një kohë që unë Qazim Mulletin e kisha intepretuar për mbijetesë. Se nuk më pranonin në Tiranë. Unë kam hyrë gjatë provave i kam kërkuar ndjesë pastë, Piro Manit, më jep një provë, i thashë, edhe u futa në prova e mbeta. Kështu e kam marrë Qazim Mulletin, prefektin e famshëm. Dhe unë u dashka t`i kërkoja falje PD-së që kisha luajtur… në një kohë që atje në PD kishte nga ata që kishin edhe sekretarë partie dhe qenësor, etj, etj. Se në PD kishte lloj lloj njerëzish. Kishte edhe nga ata që kishin bërë 25 vjet burg, edhe të Partisë së Punës kishte atje. Në atë kohë jam bërë keq, me thënë të vërtetën.
Mira Kazhani: Keni komunikuar – mesa di unë nga informacionet që kam lexuar – me familjen e Qazim Mulletit.
Robert Ndrenika: Më pyetën në një intervistë siç po bëni dhe ju sot. Më thanë si është kjo punë pak a shumë. Edhe thashë, po të jetë për të kërkuar falje, unë i kërkoj falje familjes, kurse me personin prefekt apo Qazim Mullet, as kam të bëj, as e njoh…
Mira Kazhani: Megjithatë ai ka qenë një rol. Ajo që më bëri përshtypje dhe më ngeli mendja është se thatë ‘E kam bërë në një moment për mbijetesë’. Të gjithë bëjmë një kompromis për të arritur diku. Na duhet të sakrifikojmë në jetë nga vetja për të arritur diku.
Robert Ndrenika: Po se futa këmbët në Tiranë.
Mira Kazhani: Si e kalon ditën sot Robert Ndrenika? Çohet në mëngjes në çfarë ore dhe vjen tek kjo kafja ku jemi sot për podcastin.
Robert Ndrenika: Nuk e kam shumë aktive. Duhet ta kem më aktive. Sidomos në lëvizjet fizike. Deri diku jam i dembelosur, që nuk është mirë. Mundohem të mos ha shumë. Me keqardhje, por ka filluar të më pëlqejë krevati. Është gjë e keqe shumë.
Mira Kazhani: Mua m`u duk nga kafja që të pëlqente shumë dhe telefoni. Më duket sikur kalon kohë në telefon, lexon portalet.
Mira Kazhani: Po televizor sheh?
Mira Kazhani: Çfarë programesh të bëjnë përshtypje?
Robert Ndrenika: Politikë, më tepër lajme. Shoh dhe filma. Dokumentarët i dua shumë. Qoftë dokumentar shkencor, sidomos këta shkencorët më kanë bërë që të mos besoj në prift e në hoxhë, në kishë e në xhami, po në perëndi të besoj. Se ngaqë i shoh këto shkencorët them që është një gjë…
Mira Kazhani: Që s`e shpjegojmë dot.
Robert Ndrenika: Njëherë jam konfliktuar me një profesor të Marksizmit në fakultet kur isha. Se na bënte marksizmin e Marksit dhe Engelsit, na bënte dhe Filozofinë Idealiste Reaksionare. Një filozof nga këta reaksionarët e ashtuquajtur Kanti a kush, kishte thënë që njeriu në këtë botë është njësoj si një qen në bibliotekë. Unë i thashë: Po ka të drejtë. Si mor ka të drejtë? Marksizmi thotë që kështu e kështu…
Mira Kazhani: Si në rol m`u duke tani.
Robert Ndrenika: Unë edhe sot e kësaj dite them që njeriu në këtë jetë është i barasvlershëm me një qen në bibliotekë. Nuk mundet njeriu t`i kuptojë të gjitha, këtë gjithësi që është pafund. E të thotë që ky fenomen është miliona vjet dritë, në një kohë që drita ka 300 mijë km në sekondë. Pra është e pamundur të mos ketë një rregullator. Po priftin, hoxhën si dhe sekretarin e partisë, nuk i besoj.
Mira Kazhani: Po Facebook-un e beson? Je aktiv herë pas here.
Robert Ndrenika: Të vërtetën e besoj.
Robert Ndrenika: Mundohem ta dalloj, por them që e dalloj.
Mira Kazhani: Komentet negative diskutohen shumë. Edhe juve si Robert Ndrenika që ju duan të gjithë shqiptarët…
Robert Ndrenika: Po padashje kam hyrë dhe në Facebook (qesh). Në fillim nuk e kuptoja fare.
Robert Ndrenika: Ja tek kjo çështja e Teatrit. A të bëhet atje ku ishte? A të mos bëhet atje? Që u bë me keqardhje PD, PS edhe Teatri. E mori djalli.
Mira Kazhani: Çfarë ju bëri të ndryshonit mendje?
Robert Ndrenika: Nuk kam ndryshuar mendje. Këtu desha të dal. Dole ti më përpara. Nuk kam ndryshuar mendje. Ua kam thënë që në fillimet e tyre në Institut të Arteve, Teatrin duhet ta bëjë shteti me paratë e veta. As PPP-ja, as X, as Y. Teatri është i të njëjtit soj me një spital, me një shkollë dhe territori i Teatrit nuk duhet të preket asnjë centimetër përveç Teatrit. Për këtë kam qenë. E ka për detyrë një shtet të bëjë Teatrin e vet.
Mira Kazhani: A jeni mërzitur me komentet, sulmet, shkrimet ndaj jush?
Robert Ndrenika: Jam mërzitur, edhe s`ua kam varur shumë me thënë të drejtën.
Mira Kazhani: Ju kam parë që Ana Maria ju nxjerr shpesh në TikTok. Ju e dini çfarë është TikTok-u?
Robert Ndrenika: Kohët e fundit kam mësuar. Se edhe në TikTok nganjëherë shoh ca gjëra me vlerë.
Mira Kazhani: E ke në celular TikTok-un?
Robert Ndrenika: Besoj që e kam.
Mira Kazhani: E ke me emrin tënd?
Robert Ndrenika: Jo, jo. Nuk e di të kem vënë emrin tim në TikTok. Po që më dërgojnë TikTok-e sa të duash, më dërgojnë.
Mira Kazhani: Të pëlqen interneti? Kjo koha e internetit si të duket?
Robert Ndrenika: Po, se kaloj një pjesë të mirë të kohës time me këtë. Kështu që nuk mund të them që nuk më pëlqen.
Mira Kazhani: Është mik! Po të kishit qenë i ri në kohën e internetit, si mendon se do të kishte qenë jeta e Robert Ndrenikës?
Robert Ndrenika: Unë mendoj tani si ia kemi bërë pa telefona.
Mira Kazhani: Si ia keni bërë?
Robert Ndrenika: E di ti që shkonim në postë, vinte lajmthirrja nga Gjirokastra që të fliste ime shoqe me familjen edhe rrinim në postë prisnim radhën. Do prisnim kur të thoshte: Polikseni me Gjirokastrën, kabina 7. Edhe do shkonim tek kabina: Alooo, Alooo, nuk dëgjohet. Si jeni more? Mirë jemi. Kurse tani është një çudi kjo. Falë atyre satelitëve. Falë gjithmoë imperializmit amerikan, xhandarit ndërkombëtar që për mua shumë mirë që ekziston ky xhandari ndërkombëtar.
Mira Kazhani: Ju e doni Amerikën shumë.
Robert Ndrenika: Po xhandarin ndërkombëtar e dua se pa atë… anarshinë e urrej. Anarshia është e tmerrshme.
Mira Kazhani: Disa pyetje shkurt… Cili është tipari që Robert Ndrenika vlerëson më shumë tek një njeri?
Robert Ndrenika: Mirënjohja dhe mosmirënjohja. Kur ekziston mirënjohja më pëlqen shumë. Mosmirënjohja them është gjëja më e keqe.
Mira Kazhani: Ushqimi juaj i preferuar.
Robert Ndrenika: Këto kohët e fundit është sallata jeshile, me limon, pak kripë dhe me njëçik vaj ulliri. Mish kam kohë që nuk kam vënë në gojë. Ndonjëçik gjoks pule edhe mundet. Peshk njëherë në javë.
Mira Kazhani: Gatuani vetë? Keni dikë që kujdeset për ju?
Robert Ndrenika: Jo. Këtu rrotull ka disa gjellëtore, mensa…
Mira Kazhani: Restorante…
Robert Ndrenika: Jo restorante. Po janë shumë të mira, që bëjnë gjellë shtëpie. Nuk e ha atje. E marr në shtëpi. E hap. E ha atje ku është. E mbaroj. E palos. E hedh në plehra. Dhe pjata nuk bëj pis.
Mira Kazhani: Mësuat vonë, pa Poliksenin ta bënit këtë?
Robert Ndrenika: Po, po. Gjatë kohës që ishte sëmurë ajo edhe gatuaja me thënë të drejtën. Se në atë kohë s`kishte nga këto.
Mira Kazhani: I keni shërbyer asaj shumë?
Robert Ndrenika: Po deri diku. Nuk mund të ankohet atje ku është.
Mira Kazhani: Sa bukur që e thatë! Kënga e preferuar.
Mira Kazhani: Si të duash.
Robert Ndrenika: Këto italianet më pëlqenin shumë në fillim, sidomos Sanremot e para. Modugno sidomos. “Burri me frak”, È giunta mezzanotte… nëqoftëse e di. Se ishte këngë edhe dramatike. Çelentano më ka pas pëlqyer dhe më pëlqen. Po jo kur e tepron. Më pëlqen ajo “Djaloshi dhe via Gluck”, ka një evokim të…
Mira Kazhani: Të fëmijërisë së vet.
Robert Ndrenika: Të tilla gjëra më pëlqejnë. Zakonisht edhe ballkaniket. Greket më pëlqejnë.
Mira Kazhani: E dëgjon në shtëpi muzikën?
Robert Ndrenika: Po, e dëgjoj. E dëgjoj me këtë.
Mira Kazhani: Kur çohesh në mëngjes vendos muzikë?
Mira Kazhani: Çfarë këshille do t`u jepte Robert Ndrenika të rinjve shqiptarë?
Robert Ndrenika: Të luftojnë me jetën. Të përpiqen gjithmonë. Mos të bien në disfatizëm. Sidomos nuk më pëlqejnë këto të ashtuquajturat sëmundje të sotme. Si quhen këto të… (tregon me dorë në kokë)?
Mira Kazhani: Çrregullime të ankthit të depresionit.
Robert Ndrenika: Atë ta luftojnë. T`i japin forca vetes. Se po bëhet sëmundje. Dikur thoshin që është e suedezëve, norvegjezëve. Po do ti që na ka ardhur këtu tani. Gjithmonë njësia e masës ka rëndësi në çdo vend. Mos e tepro gjithmonë! Qoftë për mirë e qoftë për keq.
Mira Kazhani: Çfarë iu uron shqiptarëve?
Robert Ndrenika: Po ç`të them o Mira tani! Fjalë patriotike nuk di shumë. Ai Faik Konica ka qenë qerrata i madh, që thotë “E keqja e shqiptarëve vjen nga vetë shqiptarët”. Më duket se ka pasur të drejtë.

VIDEO | Tirana merr një tjetër yll nga Vllaznia, ndërkombëtari shqiptar vishet bardheblu

Nuk ka më dilema, Liridon Latifi është zyrtarisht lojtari më i ri i Tiranës.

Pas një eksperience dyvjeçare në Shkodër me Vllazninë, sulmuesi anësor zbarkon për një aventurë në kryeqytet me fanellën e bardhebluve.

Nëpëmjet një videoje Tirana zyrtarizoi firmën me 29-vjeçarin, i cili do të vendoset nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi për sezonin e ardhshëm.

Latifi vjen si një goditje “big” edhe për ndeshjet europoiane aty ku Tirana pret të mësojë kundërshtarin në turin e parë kualifikues të Conference League.

Pas sulmuesit brazilian Kaina, Latifi bëhet afrimi i dytë i ardhur nga Vllaznia, ndërsa Tirana ka nënshkruar edhe me portierit Gentian Selmani nga Laçi.

Ndërkohë nga Vllaznia ka zyrtarizuar largimin edhe mesfushori Herald Marku, i cili tashmë është lojtar i lirë. /zoom.al/