zoom

Day ArchiveKopër me mjaltë kundër kollës dhe bronkitit, si ta përgatisni në pak minuta

Kopra dhe farat e koprës janë të pasur me flavonoidë të cilët luftojnë inflamacionin dhe përmirësojnë reagimet e sistemit imunitar kundër tij.

Kjo bimë është shumë efikase kundër disa sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes siç është e ftohura, virozat, bronkiti dhe kolla.

E gjithë bima është shumë e pasur me fibër dhe folat.

Kopra dhe farat e koprës janë të pasura me vitaminat A, C dhe B si dhe mineralet: kalçium, hekur, magnez, fosfor, kalium, mangan, zink dhe bakër.

Sasitë e larta të vitaminës C dhe antioksidantëve i bëjnë farat e koprës efikase kundër të ftohurës, kollës, gripit dhe infeksioneve.

Farat mund t’i konsumoni në mënyra të ndryshme.

Ato mund t’i përtypni veçmas, t’i tresni në ujë, t’i bëni çaj ose t’i tresni në mjaltë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të tresni farat e koprës në mjaltë dhe ta përdorni këtë kurë kundër të ftohurës, bronkitit dhe kollës.

Farat e koprës me mjaltë kundër kollës dhe bronkitit

Farat e koprës i gjeni në pikat e shitjes së erëzave.

Merrni një kavanoz (250 ml) qelqi dhe gjysmën e tij mbusheni me farat e shtypura të koprës.

Më pas mbusheni kavanozin me mjaltë dhe sigurohuni që të gjitha farat janë të mbuluara plotësisht.

Përziejini së bashku me një lugë druri dhe mbylleni kapakun.

Lëreni kavanozin në një vend të freskët dhe të errët dhe hapeni çdo ditë për t’i përzier përbërësit me një lugë druri.

Farat e koprës dhe mjalti duhen lejuar të qëndrojnë së bashku për 2 deri në 4 javë.

Më pas, vendosni një tenxhere me pak ujë në zjarr dhe kur të nxehet futeni kavanozin e mbyllur në të.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni kavanozin deri sa mjalti të hollohet.

Më pas kullojeni me një napë të pastër ose kullesë të hollë.

Këtë tretësirë të ëmbël mund ta përdorni jo vetëm në çaj por edhe për të zbutur kollën dhe përmirësuar rrugët e frymëmarrjes.

Atë mund ta konsumoni tre herë në ditë deri sa të bëheni më mirë./Revista Class 

Elvana Gjata feston sot ditëlindjen, ja sa vjeç mbush këngëtarja

Elvana është padyshim një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare dhe jo më kot është vlerësuar si diva e muzikës shqiptare.

Këngëtarja feston 35-vjetorin e lindjes.

Elvana sapo ka sjellë duetin me reperin Mozzik. ”S’ka” u prit shumë mirë nga publiku, dhe është pjesë e albumit të reperit me titullin Lamboziki. ajo ka paralajmëruar një tjetër këngë që pritet të vijë me 11 Shkurt.

Shqipëria, e parafundit në Europë për shërbimet më të dobëta shëndetësore në botë

Shqipëria u vlerësua me vetëm 50.5 pikë për cilësinë e shërbimeve dhe 87.9 pikë për shpenzimet me të cilat përballen qytetarët.

Kualiteti i shërbimeve në shëndetësi vlerësohet me një sistemin vlerësimi ku niveli i ulët tregon rezultatet të dobëta dhe vlerat e të larta cilësi më të mirë të shërbimeve shëndetësore.

Në rajon Shqipëria u rendit e fundit si për indeksin e shërbimeve dhe atë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën, Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin të përfshira në këtë indeks.

Në botë, Tajvani, Koreja e Jugut, Japonia, Franca, Danimarka u renditën në krye të listës për vlera të larta të cilësisë së shërbimeve dhe shpenzimeve për shëndetësinë, ndërsa renditjen më të dobët e kishin, Venezuela, Bangladeshi (në fund të listës) dhe më tej Iraku, Azerbajxhani, Malta, Bjellorusia, Maroku, Egjipti, Nigeria, Kamboxhi.

“Numbeo” sqaroi se Indeksi i Kujdesit Shëndetësor është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të sistemit të kujdesit shëndetësor, profesionistëve të kujdesit shëndetësor, pajisjeve, stafit, mjekëve, kostos, etj.

Nga të dhëna më të detajuara të indeksit në Shqipëri rezultoi se vlerësimin më të e lartë e kanë marrë afërsia gjeografike e shërbimeve shëndetësore me 66 pikë dhe aftësitë e doktorëve me 54,3 pikë, ndërkohë që pikët më të ulëta kanë marrë cilësia e dobët e pajisjeve mjekësore, koha e pritjes dhe kosto e shërbimeve.

Raporte dhe indekse të tjera të profilizuara gjithashtu kanë dhënë vlerësime të dobëta për sistemin shëndetësor shqiptar. Për të kuptuar gatishmërinë e sistemeve shëndetësore në Europë dhe në rajon gjatë pandemisë Covid-19, Banka Botërore bëri një vlerësim për të qartësuar kapacitetet për të përballuar situatën.

Banka Botërore vërejti se shpenzimet kombëtare për frymë për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor; në mbarë rajonin janë shumë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian (BE). Në rajon, mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore shpesh e vuajnë familjet, shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të të cilave janë të larta. Për shembull, për rajonin në tërësi kjo shkon nga 37 për qind në Serbi dhe në Malin e Zi, deri në 50 për qind në Shqipëri, në krahasim me 14,9 për qind në BE .

Shqipëria është një nga vendet që ka pasur rritjen më të lartë të jetëve të humbura si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Të dhënat krahasuese të Eurostat dhe statistikave kombëtare rajonale tregojnë Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT bëjnë të ditur se në vend. që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019./Monitor

Kryemadhi: Po përgatis dosjen për Lulzim Bashën dhe shpurën e vet

E ftuar në emisionin ‘Të Pa Ekspozuarit’ kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se po përgatit një dosje për Lulzim Bashën dhe të gjithë ekipin e tij për përfitimet në kurriz të kauzave të opozitës. Kryemadhi tha se Lulzim Basha po përfiton nga koncesioni në Portin e Durrësit por dhe nga koncesione të tjera të qeverisë Rama.

‘Ky edhe sloganin e kishtë ‘Shqipëria Fiton’ dhe ai strategjisti vet thonte se ne nga Shqipëria Fiton duhet të themi basha fiton. Dhe nga të gjithë kjo histori Basha fitoi. Basha fitoi Portin e Durrësit, Basha ka fituar dhe shumë koncesione të tjera. Atë Portin e Durrësit, me Moveo SRL, Moveo Al, Moveo Teknologji. Që do të shiten apartamente me pamje nga deti apo pamje nga mali. Cfarë do të bëjë ai? Me atë duhet të merret drejtësia shqiptare’.

Ylli Rakipi: A keni prova që ky është i korruptuar thellësisht?

Me prit Ylli Rakipi se unë po nuk pata prova nuk filloj të flas. Më lër ta formatoj të gjithë dosjen. Se nuk e fal. Unë ja kam thënë dhe Lulzim Bashës. Ja kam thënë dhe para zgjedhjeve. Zotëri po më tradhtove unë nuk jam si Ilir Meta që ka hallin e integrimit europian. Mua po më tradhëtove nuk të ndahem. Po më tradhëtove për allishverishe nuk ta fal. Cdo gjë do t’i shkoj deri në fund Lulzim Bashës me gjithë shpurën e vet që nga cështja Babale meqë e keni zotërinë mbrapa këtu. Që më kërkonte Edi Rama të sulmoja Fatmir Xhafën. Dhe i kam thënë unë nuk kam punë me Fatmir Xhafën.

Mbyllja e mediave në Hong Kong, një prirje shqetësuese

Një numër mediash janë mbyllur dhe një numër gazetarësh janë ndaluar pas hyrjes në fuqi të këtij ligjit, një prirje që po shqetëson banorët e Hong Kongut dhe grupet e mbrotjes së gazetarëve.

Apple Daily” dhe themeluesi i saj, Jimmy Lai u bënë viktimat e para të ligjit të sigurisë kombëtare në qershor të vitit 2021. Gazeta që mbështeti lëvizjen pro-demokratike të Hong Kongut në vitin 2019, urrehej nga udhëheqja e Pekinit.

Pas ngritjes së akuzave bazuar në ligjin e sigurisë kombëtare, llogaritë e gazetës u ngrinë. Gazetari Lai, një kritik i hapur i partisë komuniste kineze, tani është në burg.

Për shumë banorë të Hong Kongut, rënia e gazetës ishte një mesazh i frikshëm.

“Është si vdekja, sepse Hong Kongu supozohej të kishte lirinë e shtypit dhe fjalës. Nëse organizata e fundit që flet në mbështetje të Hong Kongut zhduket, unë nuk do të doja të jetoja më këtu”, thotë Steven Liu, banor i Hong Kongut.

“Apple Daily” nuk ishte media e fundit që u mbyll. Në fund të dhjetorit, policia e sigurisë kombëtare bastisi portalin pro-demokracisë “Stand News”. Pasuritë e saj u ngrinë dhe kompjuterët, telefonat dhe materialet gazetareske, u morën nga selia me karroca.

Turmat u shfaqën në mbështetje të dy redaktorëve, që ishin akuzuar për nxitje të kryengritjes. Arrestimet e tyre erdhën edhe pasi gazeta kishte njoftuar se do t’i ndërpriste operacionet.

Rreziku i padive po ndryshon mënyrën se si mendojnë mediat, thotë Ronson Chan, ish-gazetar i portalit “Stand News” që udhëheq Shoqatën e Gazetarëve të Hong Kongut. Policia shpenzoi pesë orë duke kontrolluar banesën e tij të vogël. Zoti Chan foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Askush nuk mund të shpëtojë nga ligji i sigurisë kombëtare, kështu që ju mund të jeni në rrezik shumë të lartë, nëse bëni diçka shumë të ndjeshme. Ndihem shumë i trishtuar për të ardhmen e gazetarisë në Hong Kong”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Një javë më vonë, “Citizen News” njoftoi mbylljen.

“Nuk jam e sigurt nëse një histori, një lajm apo një fjali do të shkelë një ligj të ri në mjedisin në ndryshim të medias. Nëse nuk mund t’i lë gazetarët e mi të vazhdojnë punën si më parë, atëherë duhet të ndalem. Si udhëheqëse e tyre, në fund të fundit jam përgjegjëse për gazetarët”, thotë ish-redaktorja e rrjetit “Citizen News”.

Ajo shtoi se gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre.

Udhëheqësja e Hong-ut, Carrie Lam thotë se qeveritë perëndimore, kritike ndaj mbylljes së mediave, nuk e kuptojnë ligjin e Hong Kongut. Gazetarët po respektohen, por ata duhet ta ushtrojnë siç duhet profesionin e tyre, thotë ajo.

“Nëse ju shkelni ligjin, por e paraqisni veten si praktikues të shtypit, atëherë ne duhet ta shohim këtë, të jemi në gjendje të tregojmë se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe departamenti i zbatimit të ligjit duhet të marrë masa”, thotë ajo.

Aktivistët e Mbrojtjes së lirisë së shtypit thonë se është një kohë e pasigurtë për gazetarët në Hong Kong.

“Unë mendoj se këtu në Hong Kong për momentin gazetarët janë të shqetësuar, të frikësuar dhe të dëshpëruar. Megjithatë, ata po përpiqen të vazhdojnë punën e tyre me mundësitë që kanë. Është një kohë e vështirë, duke patur parasysh se dikur Hong Kongu ishte rajoni më i lirë për shtypin në Azi, në këtë pjesë të botës”, thotë Keith Richburg, drejtor i Qendrës së Gazetarisë dhe Studimit të Medias në Universitetin e Hong Kongut.

Tani, me mbylljen e mediave pro-demokratike dhe me ligjet që i bëjnë gazetarët të kujdesshëm ndaj mbulimit të zhvillimeve politike, kjo liri është e kufizuar./VOA

Bota ndjek me vëmendje qëndrimet e presidentit Putin në lidhje me Ukrainën

Ekspertët thonë se Presidenti Putin mund ta ketë vënë veten në një pozicion të vështirë në përpjekje për ta forcuar ndikimin e Rusisë në botë.

Pas disa javë heshtjeje, Presidenti rus Vladimir Putin bëri komentet e tij të para për Ukrainën, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për tensionet në rritje.

“Objektivi i tyre (Shteteve të Bashkuara) më i rëndësishëm është që të frenojnë Rusinë. Në këtë kuptim, Ukraina është vetëm një mjet për të arritur këtë qëllim. Kjo mund të bëhet në mënyra të ndryshme, përfshirë duke na tërhequr në një konflikt të armatosur”, tha Presidenti Putin.

Por ekspertët vënë në dukje se është zoti Putin ai që dislokoi mbi 100,000 trupa ruse në kufi me Ukrainën, në Krime dhe Bjellorusi, për t’i bërë trysni NATO-s të tërheqë disa nga forcat e saj nga Evropa Lindore dhe të premtojë se nuk do ta anëtarësojë kurrë Ukrainën.

Ish-analisti ushtarak i CIA-s, Jeffrey Edmonds thotë se me këtë grumbullim ushtarak, zoti Putin e ka vënë veten në një pozitë të vështirë.

“Kërkesat e tij janë maksimaliste dhe ai e di që Perëndimi nuk mund t’i plotësojë. Ne nuk do ta kthejmë infrastrukturën e NATO-s në nivelet e 1997-ës, siç është një nga kërkesat e tyre. Kështu që mendoj se ai është në pritje të kushteve të duhura që trupat në kufirin e Ukrainës të ndërmarrin veprime ushtarake”, thotë ai.

Presidenti Joe Biden thotë se ai dhe zoti Putin “e kuptojnë njëri-tjetrin”. Por zoti Biden ka thënë gjithashtu se beson se presidenti rus po planifikon të pushtojë Ukrainën. Disa ekspertë thonë se zoti Putin kërkon të sigurohet që Rusia të shihet si faktor kryesor në skenën botërore.

Angela Stent është autore e librit, “Bota e Putinit”.

“Dhe ai beson se pjesa tjetër e botës duhet ta trajtojë Rusinë sikur të ishte Bashkimi Sovjetik. Ai nuk dëshiron të rikthejë Bashkimin Sovjetik, por dëshiron që Rusia të trajtohet si një fuqi e madhe, pikëpamjet e së cilës respektohen dhe së cilës njerëzit ia kanë frikën dhe të pranojnë se është e drejta e Rusisë të ketë sferën e saj të ndikimit mes fqinjëve të saj”, thotë ajo.

Disa ekspertë thonë se ka të ngjarë, që zoti Putin e sheh Ukrainën lindore, të përfshirë në konflikt që pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, si pjesë të Rusisë.

“Unë mendoj se zoti Putin mund ta pranojë që Ukraina perëndimore është vërtet ukrainase dhe ndoshta i përket botës kulturore dhe politike evropiane. Por në sytë e tij, Ukraina lindore është si një lloj vazhdimi i Rusisë”, thotë Michael Kimmage i Fondit Gjerman Marshall.

Por ajo që e frikëson më shumë zotin Putin, janë pakënaqësitë brenda Rusisë, thotë Bill Browder, – themelues i Fushatës Globale Magnitsky për Drejtësi.

“Gjendja e qytetarëve të zakonshëm rusë është shumë më e keqe sesa kur ai u bë president për herë të parë dhe përgjegjësia është e gjitha e tij. Kështu që ai po përdor një strategji të zakonshme për diktatorët: kur njerëzit zemërohen me ty, drejtoje zemërimin e tyre diku tjetër. Fillo një luftë”, thotë ai.

Gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri drejtuar kombit, zoti Putin nuk i përmendi goditjet e gjera ndaj kritikëve të tij. Kundërshtari i tij më i njohur, Alexey Navalny, u burgos një vit më parë, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ta helmuar./VOA

Meta: Kuvendi që do të më shkarkonte mua është shkarkuar. Nuk më heq njeri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur mbi mbledhjen e Kuvendit për shkarkimin e tij, i ftuar në “News 24″ dhe se nuk mund t’a shkarkojë njeri.

Sipas Presidentit, nga Kuvendi që vendosi të shkarkojë Presidentin, momentalisht në Parlament ka vetëm 40 deputetë nga 140 dhe nuk është i njëjti me atë që ka kërkuar shkarkimin e tij, kur shumica është ndërruar.

” Kuvendi i shkarkuar me 25 prill vendosi të shkarkojë Presidentin. Parlamenti aktual, nga 140 deputetë ka vetëm 40 deputetë nga Parlamenti i shkruar. Ky Parlament a iu qëndron akuzave të bera nga Parlamenti i shkarkuar?”

Më tej Presidenti Meta tha se atë nuk mund ta shkarkojë njeri nga detyra.

“72 pyetjet që ka bërë gjykata, në respekt të popullit shqiptar dhe të atyre që duan të dëgjojnë, unë do i lexoj pyetjet dhe përgjigjet që do i dorëzohen dhe gjykatës. Të 72 pyetjet do marrim përgjigje para popullit, uroj mos të ketë reklama”,- u shpreh kreu i shtetit.

Ukraina sfidon BE-në: Bëni publik planin për Rusinë!

Është koha që Bashkimi Europian të tregojë publikisht se çfarë sanksionesh planifikon të vendosë ndaj Rusisë në rastin e pushtimit të Ukrainës, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, një lëvizje kjo që dëshmon qartë se Kievit po i humbet durimi me lëvizjet e Brukselit.

“Tregojuani sanksionet rusëve, bëjini të ditura për të gjithë, në mënyrë që rusët ta mësojnë se cfarë i pret në rast agresioni”, u shpreh ai. Kemi degjuar gjithë kohën sesa të ashpra do të jenë këto sanksione. Tani është momenti për detaje, sepse në të kundërt, Moska do të mendojë se po luani me bllofin”, shtoi Kuleba.

Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do të vendosë ligje të reja për të zgjeruar gamën e sanksioneve që mund të vendosë ndaj Rusisë dhe individëve të lidhur me Kremlinin në një përpjekje për të bindur Moskën te mos e tentojë sulmin ndaj Ukrainës. Liderët e BE-së ranë dakord në dhjetor për të vendosur më shumë sanksione ekonomike ndaj Moskës në rast pushtimi.

Vërejtjet e zv shefit të diplomacisë ukrainase vijnë në kohën kur Rusia vazhdon të mbajë të grumbulluara 100 mijë dhe pajisje ushtarake në kufirin me Ukrainën. Megjithëse Moska e ka mohuar synimin e saj për të pushtuar vendin fqinjin, administrata e Bidenit ka punuar gjatë disa javëve të fundit për të përforcuar masat e parandaluese kundër një mësymjeje të mundshme.

“Enigma”, diamanti i zi më i madh në botë del në ankand

Diamanti i zi 555,55 karat i emërtuar “Enigma”, do të jetë në ankand online në datat 3-9 shkurt.

Mendohet të jetë formuar kur një asteroid u përplas me tokën 2,6 deri në 3,8 miliardë vjet më parë dhe përfshin osbornitin, mineral i gjendur në meteorite.

“Enigma”, me vlerë 800 karat në formë të papërpunuar kur u ble nga pronari aktual në vitet 1990, mori formën e saj përfundimtare pas tre vitesh përpunimi.

E prerë në formë palme sipas frymëzimit nga Lindja e Mesme, “Enigma” pritet të gjejë blerës për rreth 3-5 milionë sterlina.

 

Sometimes a diamond comes along that stands out. A black diamond weighing 555.55 carats, the existence of ‘The Enigma’ is a feat of craftsmanship, fate, vision & probably a fair bit of luck too. But how did it all come together?#SothebysJewelshttps://t.co/7BdotBJMYl

— Sotheby’s (@Sothebys) January 31, 2022

 

 

Facebook u përball me humbjen më të madhe që nga krijimi i vet, -200 mld dollarë për pak orë

Aksionet e Meta (Facebook) ranë 25% sot në  Wall Street , pas rezultateve zhgënjyese financiare, duke shkaktuar ndoshta humbje prej gati 200 miliardë dollarësh nga kapitalizimi i grupit të Mark Zuckerberg. Rënia më e madhe e kompanisë.

Në orën 16:35 , aksioni i Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook, ra ndjeshëm me 25.81% në 239.56 dollarë, duke bërë që indeksi Nasdaq të bjerë (-2.29%).

Gjigandi i mediave sociale, i cili humbi përdoruesit në Amerikën e Veriut për herë të parë në historinë e tij, njoftoi dje, të mërkurën, pas mbylljes së transaksioneve, ulje të fitimeve në tremujorin e katërt dhe një perspektivë rritjeje më të ngadaltë në tremujorin e parë të vitit.

Rënia e madhe e çmimit të aksioneve të Facebook erdhi në një kohë kur kompania po bën një ndryshim të madh drejt realitetit virtual , siç kishte paralajmëruar Mark Zuckerberg kohë më parë.

Kjo është rënia më e madhe e aksioneve të Metës në historinë e saj. Rënia e mëparshme e madhe u regjistrua më 26 korrik 2018, kur u “humbën” 120 miliardë dollarë.

Bloomberg/Zoom.al