zoom

Day ArchiveKorrenti i merr jetën 40-vjeçarit në Krujë! Po bënte instalimet

Një ngjarje fatale ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Krujë.

Një person ka humbur jetën, pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.

Njoftimi i policisë:

Më datë 03.10.2021, rreth orës 19:45, dyshohet se shtetasi I. C., rreth 40 vjeç, duke kryer punime elektrike në banesën e shtetasit F. K., ka rënë në kontakt me rrymën elektrike e për pasojë ka ndërruar jetë.

 

Aspak e zakontë! Mjeku përdor iPhone 13 për ekzaminimin e syve

Okulisti Tommy Korn shpjegon se kamera e iPhone 13 Pro mund të përdoret për ekzaminimin e syve. Në një postim në LinkedIn, ai tha ishte duke përdorur një iPhone 13 Pro Max për të marrë imazhe makro të syve të një pacienti. Mjeku theksoi është i impresionuar me performancën e kamerës.

Në fakt, një element që vëren ky mjek është se telefonat inteligjentë të nivelit të lartë modern mund të bëhen mjete të besueshme dhe efektive për shërbimet e telemjekësisë. Apple, ndryshe nga shumë prodhues Android nuk vendosi një lente të re makro në iPhone 13 Pro Max.

Në vend të kësaj, kompania përdori një aparat ultra të gjerë, i cili është i aftë të kapë fotografi të objekteve deri në dy centimetra larg thjerrëzës.

Që pas vdekjes së tij! Mbretëresha Elizabeth flet për herë të parë publikisht për Princin Philip

Për herë të parë qëkur Princi Philip u largua nga kjo jetë, Mbretëresha Elizabeth ka folur publikisht për bashkëshortin e saj.
Ajo ka kujtuar dashurinë që bashkëshorti i saj i ndjerë kishte për Skocinë në fjalimin e saj në ceremoninë e hapjes për seancën e gjashtë të Parlamentit skocez.

“Unë kam folur më parë për dashurinë time të thellë dhe të qëndrueshme për këtë vend të mrekullueshëm, dhe për kujtimet e shumta të lumtura që Princi Filip dhe unë kemi ruajtur gjithmonë për kohën tonë këtu. Shpesh thuhet se janë njerëzit që bëjnë një vend dhe kjo është mëse e vërtetë si në Skoci, siç kemi parë kohët e fundit”, u shpreh Mbretëresha.

Kujtomë se njëra prej Gjykatave të Larta Britanike ka vendosur më herët që vullneti i Dukës së Edinburgut, i shprehur në testamentin e tij do të mbetet sekret për të paktën 90 vjet dhe arsyeja e kësaj lidhet me Mbretëreshën.

Ky vendim vjen për të mbrojtur “dinjitetin dhe pozitën” e Mbretëreshës Elizabeth.
Sipas BBC, ka qenë konventa për më shumë se një shekull që pas vdekjes së një anëtari të lartë të Familjes Mbretërore, gjykatave u kërkohet të vulosin testamentet e tyre.

Do të thotë që, ndryshe nga shumica e testamenteve të dhëna me kusht, ai nuk do të jetë i hapur për inspektim publik. Do të ketë një proces privat pas 90 vjetësh për të vendosur nëse mund të mos vuloset.

Sa shpesh duhet t’i lani peshqirët?

Nuk ka asgjë si mbështjellja me një peshqir pas një dushi të nxehtë. Pas tharjes, megjithatë, peshqiri gjithashtu laget. Tani është shtëpia perfekte për mikrobet. Shpresojmë që ta varni deri në tharje, por kjo nuk e mban peshqirin tuaj domosdoshmërisht të pastër.

Kjo është arsyeja pse CNN iu drejtua një eksperti për të mësuar se sa shpesh duhet të lahen peshqirët për të parandaluar bakteret dhe ndotjen.

Lani peshqirët tuaj të paktën një herë në javë. Ky është rregulli i përgjithshëm që rekomandoi Manal Mohammed, pedagoge e lartë e mikrobiologjisë mjekësore në Universitetin e Westminster në Mbretërinë e Bashkuar.

A mund ta përdor një peshqir pas një përdorimi?

Ripërdorimi i peshqirëve disa herë është më i mirë për mjedisin dhe ka të ngjarë të mos jetë shkak për alarm. Por sapo vëreni ndonjë erë të keqe, është padyshim koha për larje, pasi ky është një tregues i rritjes së kërpudhave dhe baktereve.

Dhe gjatë pandemisë, kushdo që infektohet nga Covid-19 në shtëpinë tuaj duhet të përdorë peshqirë të veçantë. Nuk dihet se sa kohë koronavirusi mund të mbijetojë në peshqir, por është shumë e rëndësishme të mos i ndani peshqirët me njerëzit e infektuar ose njerëzit e izoluar në shtëpi.

Si përfundojnë mikrobet në peshqir?

Sa herë që përdorni ose prekni një peshqir, ju transferoni çdo mikrobe në trupin tuaj në atë peshqir. Kjo është arsyeja pse rekomandohet – edhe para pandemisë – të lani duart me sapun dhe ujë për 20 sekonda. Nëse nuk i lani duart siç duhet, për të paktën 20 sekonda, veçanërisht pasi përdorni tualetin, pasi është i mbushur me mikrobe, ato lehtë mund të transferohen në peshqirin tuaj.

Këshilohet që peshqirët të mos lahen bashkë me veshje të tjera si të brendshme të ndotura apo rroba që janë bërë pis me të vjella ose lëngje të tjera.

Pas larjes, po aq e rëndësishme është edhe tharja. Peshqirët e patharë plotësisht mund të krijojnë një mjedis të shkëlqyeshëm për rritjen e baktereve.

Larja e peshqirëve të kuzhinës të ndarë nga peshqirët e banjës gjithashtu zvogëlon rrezikun e përhapjes së baktereve.

Një studim i vitit 2014 i peshqirëve të kuzhinës zbuloi se 89% ishin shtëpi për bakteret koliforme dhe 25% kishin E. coli.

(FOTO) Ky është i riu shqiptar që vrau arkitektin në Itali

30-vjeçari shqiptar, Emirjon Margjini ka pranuar vrasjen e arkitektit italian, Roberto Mottura disa orë pas kryerjes së aktit, duke iu rrëfyer një miku të tij.

“Ishte rrëmujë dhe ne ishim tre veta. Njëri prej nesh qëlloi. Po vidhnim, por erdhi shefi (arkitekti) dhe bëra një gabim dhe e vrava”, citohet t’i ketë thënë ai një të afërmi të vet.

Rrëfimi del nga dosja hetimore e policisë italiane e zbardhur nga gazeta “La Stampa”.

Emirjon Margjini u arrestua së bashku me shokët e tij, Mërgim Lazri dhe Floger Syla, 24 e 26 vjeç.

Në profilet e krijuara në rrjetet sociale, vrasësi shfaqet me foto me armë dhe tatuazhe në faqen e tij në Facebook. Margjini, i quajtur “Mari”, ka postuar foto me pistoleta dhe pushkë, si dhe tatuazhe, mes tyre një shqiponjë dykrenare.

Të tre shqiptarët e arrestuar në lidhje me këtë ngjarje rezultojë pa dokumentacion të rregullt ndërsa njërit prej tyre i ishte plotësuar edhe dekreti i dëbimit.

Emocion dhe gola! Teuta fiton ndeshjen me Kukësin

Ndeshje spektakolare në “Elbasan Arena” mes dy skuadrave rivale. Teuta fiton 3-2 përballë Kukësit, në një sfidë që pati gjithçka. Gola, penallti, kartonë të verdhë e të kuq, plot emocione deri në fund.

Sfida u zhbllokua në minutën e shtatë. Albano Aleksi kalon në avantazh kampionët. Pas një topi të larguar nga Bytyçi, futbollisti i skuadrës durrsake gjuan me të majtën brenda zonës, duke tundur rrjetën.

Zgjat vetëm 5 minuta festa e Teutës, verilindorët barazojnë rezultatin me sulmuesin brazilian Korreira, i cili devijon drejt rrjetës një top të gjuajtur nga Edi Basha, pas një aksioni spektakolar.

Verilindorët përmbysin rezultatin 2-1 në minutën . Kapiteni Gjelbërim Taipi tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Vërtet një ndeshje spektakolare në “Elbasan Arena”, e denjë mes dy rivalëve për titull.

Spektakli vijon edhe më pas. Në të 32’ Sebino Plaku barazon shifrat për durrsakët. Sulmuesi kryeqytetas shkëputet bukur dhe mposht portierin Tafa. Vendosen sërish ekuilibrat.

Por nuk do të përfundonte këtu pjesa e parë. Durrsakët sërish në avantazh me anë të futbollistit Koubemba në limitin e pjesës së parë, që nuk fal me portën e boshatisur. Karton i verdhë për portierin Tafa. Plot 5 gola në pjesën e parë.

Pjesa e dytë ishte e luftuar, por nuk pati më gola. Në minutën e dytë shtesë, Gjelbërim Taipi dhe Asion Daja ndëshkohen me karton të kuq nga gjyqtari Juxhin Xhaja. Skuadrat e mbyllin ndeshjen me 10 lojtarë.

“Kampe për emigrantë të paligjshëm”/ Shqipëria i kërkon “The Sun” që të përgënjeshtrojë lajmin

Ministria e Jashtme ka udhëzuar ambasadën në Londër që t’i kërkojë gazetës britanike, “The Sun” të tërheqë e përgënjeshtrojë artikullin ku thotë se “në Shqipëri do të ngrihen kampe për të strehuar emigrantët e paligjshëm që Anglia kap në La Mansh”.

“I turpshëm lajmi i rremë që po përhapet në mediat britanike, për një strehë në Ballkan, fiks në Shqipëri për emigrantët që kalojnë kanalin e La Manshit. Kemi udhëzuar Ambasadën tonë në Britaninë e Madhe që të kërkojë përgënjeshtrimin e këtij lajmi të rremë”, deklaroi ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Xhaçka thotë se Shqipëria ka pranuar me krenari të strehojë 4 mijë refugjatë afganë, por nuk do të shndërrohet kurrë në një vendgrumbullim të politikave antiemigracion të vendeve më të mëdha dhe më të pasura.

“Rama po përgatit rritjen e çmimit të energjisë” / Basha propozon: 7 pika për të përballuar krizën

Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama po përgatit terrenin për rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë elektrike.

“Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha cmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë”, tha Basha.

Kreu i opozitës thotë se rritja e çmimeve në Shqipëri pak ka lidhje me tregjet ndërkombëtare.

“Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo”, shtoi ai.

Sipas Bashës, Qeveria nuk ka prioritet qytetarët, të cilët thotë se i ka braktisur edhe në dy momente të tjera të vështira.

“Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës, dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë , por për të marrë në këmbim votën e tyre. Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi”, vijoi Basha.

Kreu i PD-së bëri publik një plan me shtatë pika të opozitës për daljen nga kriza energjitike.

“Ndaj prioritetet në këtë moment të parë janë të qarta dhe të domosdoshme: Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti; ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë; Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve; Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët; Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve. Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime. Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve”, deklaroi Basha.

“Dua ta shpërfytyroj”! Dënohet shqiptari në Francë që dogji ish-bashkëshorten me acid

Një shqiptar që jetonte në Francë, Nexhmedin Dardha është dënuar me 20 vite burg nga gjykata në qytetin Assize dhe dëbim në Shqipëri në përfundim të dënimit.

Dardha akuzohet se ka djegur me acid ish-bashkëshorten e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2006.

Mediat franceze shkruajnë se ngjarja e rëndë ndodhi në sy të dy vajzave të çifti, ku Nexhmedin i lëshoi një sasi acidi në fytyrë duke i shkaktuar djegie të shkallës së dytë në fytyrë dhe trup.

Ndërkohë prokurori francez është shprehur se Dardha pas ndarjes shfaqi xhelozi për ish bashkëshorten. Pas këtij krimi, Dardha arriti të arratisje me ndihmën e dy shqiptarëve të tjerë.

Njëri prej tyre u dënua me 10 vite burg ndërsa tjetri 5, ndërsa vetë Nexhmedin Dardha ishte arratisur drejt Shqipërisë.

Arratia do të merrte fund në vitin 2019 kur ai udhëtoi drejt Italisë nga ku u zbulua se ishte në kërkim nga Interpoli dhe më pas u ekstradua drejt Francës.

Një prej bashkëpunëtorëve të Nexhmedinit u shpreh se ai donte ta shpërfytyronte ish-gruan, në mënyrë që asnjë burrë mos t’i afrohej.

Kërkohej në Angli, kapet në Lushnje i riu shqiptar/ Vrau një 23-vjeçar

Policia ka arrestuar 20-vjeçarin Gledis Mehalla, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vrasjeje në Mbretërinë e Bashkuar.

20-vjeçari Mehalla kërkohej nga autoritetet britanike për vrasjen e Tomasz Waga më 28 janar. Për kapjen e shqiptarit Gledis Mehalla autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kishin vënë në dispozicion 5 mijë euro. Ka dyshime se vrasja e 23-vjeçarit Tomas Waga ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes shqiptarëve dhe tij.

Arrestimi provizor i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar.