zoom

Day ArchiveParashikimi i motit për nesër, shmangni lëvizjet e kota për shkak të temperaturave të larta. Ja sa priten të jenë

Vendi ynë do të vijojë të jetë “i mbërthyer” nga masa ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga Afrika e Veriut.

Në këtë mënyrë si për ditën e nesërme (e Enjte) ashtu dhe për ditën e Premte moti do të vijojë të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit përjashtuar vranësirat kalimtare në relievet malore në lindje.

Për ditën e nesërme në relievet malore vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara; ndryshe nga dita e Premte ku këto vranësira parashikohen të shoqërohen edhe me shtrëngata afatshkurtër.

Gjithashtu siç shihet tek materiali bashkëlidhur temperaturat do të vijojnë të mbeten të larta. Në disa zona, në orët e matjeve të temperaturave maksimale ato mund të arrijnë deri në vlera nga 41 deri në 42 grad celcius!!! Të larta do të mbeten gjithashtu temperaturat e natës (minimale) ku në disa zona zhiva e termometri mund të mos zbresin nga vlerat 25 apo dhe 27 grad celcius!!!

 

 

Ronaldo vijon të shkruajë historinë, Gjermania kualifikim mes vuajtjesh

Tre penallti, katër gola dhe shumë spektakël në sfidën mes Portugalisë dhe Francës në “Ferenc Puskas Arena”, me të dy skuadrat që u ndanë në barazim 2-2 dhe në fund festuan të dyja, pasi siguruan kalimin për në fazën e 1/8-ave.

Ndonëse jo në lartësinë e pritshmërive, Kampionët në fuqi të botës e mbyllën grupin në krye me 5 pikë dhe tani mbeten në pritje për të mësuar kundërshtarin me të cilin do të përballen, ashtu si portugezët e Cristiano Ronaldos, që synojnë të mbrojnë kurorën e Europës.

Në “Ferenc Puskas” u zhvillua një 90-minutësh nga më spektakolarët deri në këtë pikë të Euro 2020-ës, me Portugalinë që fitoi një 11-metërsh në minutën e 31-të pas një faulli të Lloris në zonë dhe nga pika e bardhë ishte kapiteni Critiano Ronaldo që gjuajti saktë, duke dërguar topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë Semedo ndali vrullin e Mbappe brenda zonës dhe arbitri spanjoll Lahoz nuk u kursye të vërshëllejë një tjetër penallti, të cilën këtë herë e shndërroi në gol Karim Benzema, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim 1-1.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për Francën, që gjeti menjëherë golin e avantazhit, teksa protagonist ishte sërish sulmuesi I Realit të Madridit, Karim Benzema, që mori një pasim nga Pogba dhe mposhti për herë të dytë Rui Patricion.

Por kur kishin mbetur edhe 30 minuta lojë, luzitanët u shpërblyen me një tjetër penallti, të cilën e gjuajti sërish Ronaldo dhe e dërgoi saktësisht në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën, teksa rezultati mbeti I pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Shkruan historinë ylli portugez, që shkoi në kuotën e 109 golave me Portugalinë dhe u bë futbollisti me më shumë gola në nivel përfaqësueseje, duke parakaluar iranianin Ali Daei.

Zhgënjen sërish Gjermania, që pas polemikave të shumta para ndeshjes me Hungarinë, në lidhje me pretendimet për të ngjyrosur me flamurin e LGTBQi-së impiantin “Allianz Arena”, nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 dhe e mbylli grupin në vendin e dytë, duke peshkuar Anglinë në fazën e 1/8-ave.

Hungarezët kaluan dy herë në avantazh, fillimisht me Szalai e më pas me Schaffer, ndërsa gjermanët u kundërpërgjigjën me anë të Kai Havertz në fillim të pjesës së dytë dhe Leon Goretzkën në minutën e 84-t, me bavarezin që shmangu humbjen dhe turpërimin për skuadrën e Joakim Loew, që rrezikoi seriozisht eliminimin./ Supersport

 

Vrau gruan në prani të foshnjës/ Mediat greke: Nuk është penduar aspak për krimin

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçares në Greqi në sy të foshnjës së saj.

Sipas mediave greke, 32-vjeçari nuk duket aspak i penduar për krimin, madje ditën kur shkoi në gjykatë u zgjua gjithë “qejf” duke thënë “hajdeni të mbarojmë punë të futem në burg e të kujdesem për vogëlushen dhe edukimin e saj tani e tutje.”

Raportohet se ata që e njohin pilotin nuk habiten nga gjakftohtësia e tij, pasi planifikoi në detaje grabitjen e pretenduar dhe vrau Caroline, ndërsa për 37 ditë “luante teatër”.

 

Aksident në aksin Elbasan-Librazhd, përplasen dy makina

Një aksident ka ndodhur në aksin Elbasan-Librazhd pak minuta më parë. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën . Nga kjo përplasje mjetet janë dëmtuar, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Një nga automjetet drejtohej nga një femër dhe sipas të dhënave të para shkak për këtë aksident është bërë parakalimi i gabuar.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka kryer testin e alkoolit.

Sa do të zgjasë i nxehti afrikan, ja qytetet që do të shënojnë temperatura ekstreme

Metorologia Lajda Porja thotë, se temperaturat më ekstreme pritet të jene në veri,  në qytetet, Koplik, Shkodër dhe Lezhë.

Gjithashtu ajo thotë se Elbasani, Cerriku, Belshi, Gjirokastra, Ura Vajgurore dhe Berati janë qytetet, ku pritet të shënohen temperaturta deri 42°C.

“Vala e të  nxehtit Afrikan prej ditësh ka përfshirë Mesdheun , konkretisht ditët e fundit ka përfshirë gadishullin ballkanik, me epiqendër Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Temperturat kanë pësuar  rritje të ndjeshme në 24 orët  e fundit, duke bërë që vlerat minimale të jenë 29 gradë celcius, ndërkohë maksimlja 39 deri në 40°C.

Temperaturat më ekstreme pritet që të jenë në veri, Kopliku, Shkodra, Lezha, ku do tejkalohet vlera 40 gradë celcius. Elbasani, Cerriku, Belshi, Gjirokastra, Ura Vajgurore dhe Berati janë qytetet, ku pritet të shënohen temperaturta deri 42°C.

Masat ajrore kanë sjellë një re pluhuri, nga Saharaja. Nuk është pluhur që ndot ajrin, është pluhur i përkohshëm.

Sipas meteorologes, qershori mbyllet me temperatura të larta, me mot të qendrueshëm dhe se tre ditët më problematike të nxehtit,  janë e mërkura, e enjtja dhe e premtja.

Pritet që moti të freskohet të dielën me ulje temperaturash deri në 4 gradë celcius.

Tre ditët më problematikë janë e mërkura, e enjtja dhe e premtja, pritet që moti t freskohet të dielën me ulje temperaturash deri në 4°C.”

Këshillohen që të evitohen daljet e panevojshme në fashën orare 10:00  deri 15:00 nga të moshuarit dhe fëmijët.

 

Skandali, si blihet online punimi i diplomës: Pagesa bëhet në bankë…

Temat e diplomave për cikle të caktuara studimesh Bachelor ose Master, vazhdojnë të jepen dhe të merren në mënyrë abuzive dhe të paligjshme.

Sot nëpër rrjetet sociale lulëzojnë faqe që ofrojnë punime diplome, ku një i ri porosit një temë diplome duke paguar shuma të ndryshme që variojnë nga 10 mijë lekë deri në 350 euro. Më tej pajisesh me punimin e kërkuar për dy-tre javë.

Gazetari i “Stop” e konkretizoi vetë se si shkohet, pa asnjë shqetësim, për të porositur një temë diplome.

Ai hyri në një faqe në Instagram dhe bëri një porosi për temë diplome. Mjaftoi vetëm një kërkim i thjeshtë “punim diplome” dhe menjëherë vërshuan një pafundësi faqesh me emërtime si tema diplome, detyra kursi dhe me radhë.

Gazetari përzgjodhi një faqe ku promovohej puna dhe shërbimi i kësaj faqeje në Instagram. Aty kishte punime të përfunduara edhe për Universitetin e Tiranës.

Po të shohësh edhe faqet e tjera që ofrojnë këtë shërbim kanë pak a shumë të njëjtën metodologji dhe procedurë pune.

Pasi i hodhi një sy të përgjithshëm, gazetari i “Stop” komunikoi me një faqe të caktuar. Personi që u përgjigj mori përsipër temën “Motivet e folklorit shqiptar” për në Universitetin e Vlorës.

Punuesja e temës: Përshëndetje! Si jeni?

Bashkëpunëtori i Stop-it: Folëm bashkë në Instagram për një temë diplome.

Punuesja e temës: Po!

Bashkëpunëtori i Stop-it: Unë e kam tek Universiteti i Vlorës. E kam për letërsi shqipe.

Punuesja e temës: Çfarë teme keni zgjedhur?

Bashkëpunëtori i Stop-it: “Motivet e folklorit shqiptar”.

Punuesja e temës: Ok!

Bashkëpunëtori i Stop-it: Të të pyes një herë, se nuk e kam idenë. Si janë kushtet? Sa lekë duhet të paguaj? Si funksionon? Si mund të lidhemi?

Punuesja e temës: Çdo kapitull do ju dërgohet me e-mail. Çdo gjë bëhet “online”. Pagesa bëhet në bankë. Tema ju dërgohet me e-mail. Ju dërgohet nga kapitulli i parë, deri te kapitulli i katërt. Katër kapituj ka gjithsej, tema. Temat Bachelor, deri në 35 faqe punohen. Për plagjiaturën kontrollojmë me program.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Kjo është pjesa më ashtu…, e plagjiaturës, se nuk i dihet, se çfarë pozicioni marrim.

Punuesja e temës: Ka dy vjet, që ka dalë programi. Po të njëjtin program, që përdor zysha, të njëjtin përdorim edhe ne. Vetëm të jemi qorra, që të përdorim plagjiaturë. Kontrollohet, perifrazohet çdo pjesë.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Do ma dërgosh me e-mail?

Punuesja e temës: Po, me e-mail. Në fund fare të ngelet, që ta printosh në kancelari, dy mijë lekë, tre mijë lekë.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Për sa mund të ma bësh?

Punuesja e temës: Minimumi tre javë do, që të dalë punim i mirë. Se unë ta bëj edhe dy javë, por nuk të del maksimalja. Në fund fare bën edhe një përmbledhje, që ta mësosh edhe më kollaj. Normalisht, se nuk e ke bërë vetë dhe nuk e ke aq të thjeshtë, sesa kur e ke bërë vetë, që ta mësosh. Kam bërë të Tiranës, të Elbasanit, të Gjirokastrës, të Korçës, nga “Fan Noli”, plot.

“30 Qershori” në “Venecia”, Ademi: E bindur, Kushtetuesja do të kthejë pluralizmin politik

Ka përfunduar, seanca maratonë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor të 2019-ës.

Gjykata Kushtetuese vendosi që t’i drejtohet Komisioni të Venecias për marrjen e një opinioni.Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Voltana Ademi e konsideroi seancën një proces me rëndësi madhore për themelet e demokracisë, duke shtuar se shpreson që gjykata të kontribuojë përmes shqyrtimit të kërkesës së ngritur nga Ademi.

Ademi shprehet besimplotë, se Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist.
“Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, shprehet Ademi.

Reagimi i plotë:

Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019.

Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.

Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.

Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.

Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese pezullon gjykimin për zgjedhjet e 30 qershorit, do i drejtohet Komisionit të Venecias

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin për padinë e Voltana Ademit për zgjedhjet e 30 qershorit. Ajo do i drejtohet Komisionit të Venecias për marrje vendimi.

Ditën e sotme nisi gjykimi për këtë çështje dhe fillimisht Kushtetuesja rrëzoi pezullimin e gjykimit apo dhe pushimin e çështjes.

Tashmë do të pritet verdikti i Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Takimi me Macron, Kurti: Një situatë e re politike po krijohet, ju ftoj të vizitoni Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në konferencën e përbashkët për shtyp në Paris me Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Kurti beson se një situatë e re politike po krijohet teksa ka theksuar se nuk ka asnjë fushë nga e cila Kosova nuk mund të përfitojë nga Franca.

Ai deklaroi se Kosova e ka mision të organizojë ndërtimin e vet institucional, shtetin e së drejtës, lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi si dhe Franca e cila është një prej modeleve më të mira.

“Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, me pjesëmarrje më drejtpeshuar dhe me besim më të lartë. Ndihem i nderuar që kam mundësinë të flasë me ju për zhvillimet tona. Shetti ynë i vogël ka për mision shtetin e së drejtës, me të njëjtin cilësi si shtetet e mëdha demokratike, ku bën pjesë edhe Franca. Nuk ka asnjë fushë ku Kosova nuk mund të përfitojë nga Franca dhe unë ju ftojë ta vizitoni Kosovën.
Jam i privilegjuar të jem këtu me ju, presidentin e një shteti të fuqishëm dhe me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë. Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministri i shtetit më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial të Francës për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike. Duhet t’iu shpreh edhe një herë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendosët në kuadrin e aleancës euroatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët. Ndihem i nderuar që do të kem mundësinë të flasë me ju për zhvillimet e Kosovës dhe mbi angazhimet tona qeveritare. Sado i vogël shteti jonë ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha historikë mes të cilëve një prej modeleve më të mira është Franca.”- tha Kurti.

Gjendjet i pajetë në rrugë një 45-vjeçar, çfarë thotë policia e Tiranës

Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gramoz Pashko” tek Ish-Studenti, pranë rrugës së Elbasanit.

Policia e Tiranës raporton se nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se humbja e jetës ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak.

Grupi hetimor punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po ashtu po hetohet në lidhje me zbardhjen e identitetit të viktimës.