zoom

Day ArchiveCovid-19, Kanadaja miraton vaksinën AstraZeneca

Rregullatori shëndetësor i Kanadasë miratoi sot vaksinën antiCovid-19 të zhvilluar nga ndërmarrja britanike-suedeze “AstraZeneca” dhe Universiteti i Oxford-it, duke e bërë atë vaksinën e tretë që autorizohet në vend.

“Këtë mëngjes, Health Canada autorizoi vaksinën “AstraZeneca-Oxford”, tha kryeministri Justin Trudeau në një konferencë për shtyp, duke e quajtur atë një lajm shumë inkurajues në luftën e vendit kundër Covid-19.

Health Canada tregoi se vaksina e “AstraZeneca”-s tregoi një efikasitet prej rreth 62 % në parandalimin e rasteve simptomatike Covid-19 dy javë pas dozës së dytë.

Rregullatori miratoi përdorimin e saj për personat 18 dhe më të moshuar.

Belgjikë, shkon mbi 22 mijë numri i viktimave nga Covid-19

Numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në Belgjikë ka shkuar mbi 22 mijë.

Në këtë vend, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 22.006 personave. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Belgjikë që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë regjistruar 763.885 raste, ndërkohë numri mesatar i rasteve të reja ditore ka qenë 2.293.

Në vend vala e dytë filloi në muajin tetor, ndërsa në fillim të muajit nëntor shifrat e rasteve ditore të reja arritën në mbi 15 mijë. Shifrat shënuan ulje me masat e zbatuara që nga tetori. Numri i rasteve prej rreth 3 muajsh varion të jetë në rreth 2 mijë.

Ndërkohë, në fushatën e vaksinimit që filloi në fillim të vitit, deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës 461 mijë persona, ndërsa 296 mijë të tjerë dozën e dytë. Në këtë mënyrë 5 për qind e popullsisë së moshës së rritur në vend ka marrë dozën e parë të vaksinës.

Aksident në Rrugën e Kombit! Traileri përplas BMW-në, humb jetën një person

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Rrugën e Kombit, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Bëhet me dije se në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën duke u bërë copash.

Konkretisht ngjarja ka ndodhur në afërsi të një karburantit, ku mjeti me drejtues E.H.,është përplasur me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A.Gj.,i cili për pasojë ka humbur jetën. Mësohet se trupi i viktimës ka qëndruar për rreth 30 minuta brenda në mjet.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e aksidentit, ndërkohë që policia dhe ambulanca janë nisur në vendin e ngjarjes, ku po merren me hetimin e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Në aksin rrugor Milot-Rreshen, në afërsi të një karburanti mjeti me drejtues shtetasin E.H.,është përplasur me mjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin A.Gj.,i cili për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.’

Njohja e Kosovës nga Serbia/ Vuçiç: Ta harrojnë, ne jemi të duruar!

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se sinjalet nga Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni tregojnë se ata duan vetëm që Serbia ta njohë Kosovën, por përgjigja jonë ndaj gjithë kësaj do të jetë “durimi dhe toleranca”, tha ai.

Këtë deklaratë kreu i shtetit serb e bëri në Kurshumli, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike të serbëve të Kosovës. Vuçiç iu përgjigj me këtë koment pyetjes nëse është e mundur që statusi i Kosovës të zgjidhet në relacionin Prishtinë-Bruksel- Uashington, pa Beogradin.

“Do të shohim se çfarë do të thonë për Marrëveshjen e Uashingtonit. Po e shoh që nuk po u pëlqen. E vetmja gjë që do të dëshironin është që Serbia ta pranojë Kosovën. Në rast se ata mendojnë që kjo realisht është e mundur, atëherë, lum si ata. Ne nuk mendojmë ashtu”, tha Vuçic.

“Më mirë t’i lëmë ata që ta tregojnë nervozizmin, ndërkaq që ne, do të vazhdojmë të merremi me fuqizimin e ekonomisë tonë”, theksoi presidenti serb.

Përpara se të bënte këto deklarata, ai kishte biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë në 14 shkurt në rajonet me shumicë serbe, fitoi numrin maksimal prej 10 vende për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. “Pavarësisht se disa investuan shumë para që t’i përçajnë serbët, nuk patën sukses”, tha Vuçiç.

Varianti i tmerrshëm kalifornian, ekspertët: 11 herë më vdekjeprurës

Ekspertët amerikanë besojnë se varianti kalifornian i koronavirusit është jo vetëm më infektues se të gjitha mutacionet e tjera deri tani, por sipas tyre ai gjithashtu mund të jetë deri në 11 herë më vdekjeprurës.

Varianti “djallëzor”, ashtu si e kanë quajtur mjekët atje, mund të dobësojë edhe efikasitetin e vaksinave. Duket se ky mutacion, i pagëzuar si B.1.427/B.1.429 është diktuar në Kaliforni për herë të parë këtë dimër. Deri tani, nuk është zbuluar ndonjë rast i tij në Mbretërinë e Bashkuar, por është gjetur sakaq në Danimarkë, Australi, Meksikë dhe Tajvan.

Ekipi zbuloi se “B.1.427 / B.1.429” është shndërruar në variantin mbizotërues në këtë shtet pas testimit të mostrave të virusit të mbledhura nga i gjithë shteti mes shtatorit të vitit të kaluar dhe muajit janar. Ekipi i ekspertëve thotë se njerëzit e infektuar me variantin “B.1.427 / B.1.429” prodhuan një ngarkesë virale dy herë më të madhe se ajo e varianteve të tjera, gjë që mund ta bëjë virusin që ata mbartin më ngjitës për të tjerët.

Varianti i ri ka më shumë të ngjarë të shkaktojë një formë të rëndë të sëmundjes “përfshirë një rritje të rrezikut për marrjen e sasive të mëdha të oksigjenit prej personave të prekur”. Ai është pjesërisht rezistent ndaj antitrupave që mund ta luftojnë dhe neutralizojnë virusin.

Goditja e radhës për rusët/ SHBA e BE: Krimea nuk është e juaja , por e Ukrainës

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rikonfirmuar pozicionet e tyre se Krimea i përket Ukrainës.

Në një deklaratë të Presidentit të SHBA-së Joe Biden, të lëshuara në prag të shtatë vjetorit të pushtimit të Krimesë nga Rusia, thuhet se me lëvizjen e saj shtatë vjet më parë, Moska shkeli ligjin ndërkombëtar e normat mbi të cilat vendet moderne angazhohen me njëra-tjetrën si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjit të saj.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe aleatëve e partnerëve të saj sot, siç ka bërë që nga fillimi i këtij konflikti. Në këtë përvjetor të zymtë, ne ripohojmë një të vërtetë të thjeshtë: Krimea është Ukrainë”, tha presidenti amerikan.

“SHBA-ja nuk do ta njohë kurrë aneksimin e gadishullit nga Rusia dhe ne do të qëndrojmë me Ukrainën kundër akteve agresive të Rusisë. Do të vazhdojmë të punojmë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për abuzimet dhe agresionin e saj në Ukrainë”, shtoi Biden.

Në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, edhe Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas përsëriti qëndrimin e BE-së që dënon aneksimin e Krimesë nga Rusia. BE e sheh këtë veprim si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Këshilli riafirmon “mbështetjen e tij të qartë e të patundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi Maas.

Familjarët e pacientëve me Covid-19 ankohen për mungesë informacioni në Spitalin Infektiv: Po bëhemi vatra infektimi!

Me ditë të tëra qëndrojnë para Spitalit Infektiv për të marrë thjesht dhe vetëm një informacion zyrtar për gjendjen e të afërmit të shtruar me Covid-19, informacion.

Dhe kur informacioni mungon me ditë të tëra indinjatën e shkarkojnë tek punonjësit e policisë që kanë si detyrë vetëm të ruajnë perimetrin e karantinës që askush i paautorizuar të mos shkelë brenda rrethimit.

Vetë spitali ka vendosur në hyrje të rrethimit një rregullore shërbimi që vlen për familjarët si dhe ka caktuar një koordinator që si rregull duhet të vendosë ura komunikimi mes familjarëve dhe personelit mjekësor. Porse ky i fundit më të shumtën e kohës qëndron brenda spitalit dhe shfaqet para familjarëve një orë gjatë paradites dhe një orë pasdite që është i vetmi orar për të futur brenda spitalit sende personale ose ndonjë ushqim a veshmbathje për të sëmurin.

Në mesin e familjarëve që ankohen ka edhe prej tyre që kanë ardhur nga larg dhe që nuk arrijnë dot që brenda ditës të njihen me gjendjen e të sëmurit apo të komunikojnë me mjekun kurues dhe kështu do tu duhet të rikthehen sërish të nesërmen.

Ky nuk është rasti i parë kur familjarët e personave të shtruar në spitalin Covid 1 fajësojnë administratën e spitalit dhe shërbimin mjekësor për mosdhënien e informacionit në kohë, sa dhe si duhet, ç’ka sipas tyre bëhet shkak për grumbullime jo normale para spitalit që përkthehen në vatra rreziku të përhapjes së virusit.

Komisioni Rregullator i KQZ-së miraton specifikimet teknike/ Si do jetë fleta e votimit në zgjedhjet e 25 prillit

Miratohen elementet teknike të detyrueshme të fletës së votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.

Zgjedhësi do të votojë me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore dhe sasia e fletëve të votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2 përqind.

Letra që do të përdoret për prodhimin e fletës së votimit, përmban disa elemente sigurie. Përveç elementeve të sigurisë së letrës, fleta e votimit do të përmbajë dhe disa elemente teknik në formën e kodeve që identifikojnë numrin serial, zonën zgjedhore dhe qendrën e votimit që nuk lexohen me sy të lirë (barkod). Fletët e votimit prodhohen në blloqe pa kundërfletë.

Kujtojmë që fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja.

Operacion antidrogë në Spanjë! Goditet organizata italo-shqiptare, mes tetë të arrestuarve dhe një femër

Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një organizatë kriminale italo-shqiptare e dedikuar për blerjen dhe sigurimin e dërgesave të mëdha të marijuanës dhe hashashit nga Spanja në Itali.

Mediat spanjolle raportojnë se kjo organizatë kishte bazën e saj në Fuengirola. Kamioni që do të përdorej për të transportuar drogën u ndalua në qytetin Alcalá la Real (Jaén) disa çaste para se të ngarkohej me një sasi të konsiderueshme droge.

Hetimi filloi në fund të janarit kur agjentët nga stacioni lokal i Policisë Fuengirola, mësuan për ekzistencën e një organizate kriminale që i kushtohej trafikut të drogës.

Hetimi filloi në fund të janarit kur agjentët nga stacioni lokal i Policisë Fuengirola, mësuan për ekzistencën e një organizate kriminale që i kushtohej trafikut të drogës.

Hetimet bënë të mundur identifikimin e anëtarëve të këtij rrjeti, të cilët kishin marrë me qira disa prona si banesa, në qytetet Malaga të Mijas dhe Alhaurín de la Torre.

Më 12 shkurt, agjentët gjetën një depo industriale në qytetin Alcalá la Real (Jaén) ku anëtarët e organizatës ishin përfshirë në përgatitjen e një ngarkese droge.

Policia menjëherë hyri në ambientet dhe në një kamion transporti bagëtish që do të ngarkohej me 239 kilogram marijuanë – paketuar në vakum dhe shpërndarë në pako një kilogram – dhe 60 kilogramë hashash – gjithashtu paketuar në vakum.

Agjentët vazhduan me arrestimin e tetë anëtarëve të organizatës, përfshirë një femër, gjithashtu bënë katër kërkime dhe sekuestruan, ndër të tjera, një kamion, gjashtë makina të pasagjerëve të nivelit të lartë, 16 telefona celularë dhe 8,460 euro, përveç drogës së kapur.

Autoriteti gjyqësor tashmë ka urdhëruar burgosjen e pesë prej atyre që janë hetuar.

Pandemia në Maqedoninë e Veriut/ 554 raste të reja dhe 8 të vdekur në 24 orë

554 raste të reja me COVID janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve dhe kanë ndërruar jetë 8 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit janë kryer 3,477 testime dhe janë infektuar në Shkup – 258, Kavadar – 51, Prilep – 41, Kumanovë – 25, Negotinë – 22, Ohër – 18, Tetovë – 16, Strugë – 13, Gjevgjeli – 12, Manastir – 11, Veles, Strumicë dhe Kriva Pallankë nga 10, Shtip – 8, Kërçovë -7, Gostivari dhe Vallandovë nga 6, Krushev dhe Bogdanci nga 5, Probishtip dhe Demir Hisar nga 4, Koçan – 3, Dellçev nga 2, Sveti Nikollë, Dibër, Berovë, Vinicë, Kratovë, Demir Kapi dhe Pehçev nga 1.

Sot janë shëruar 210 pacientë nga koronavirusi. Pacientët që kanë ndërruar jetë janë dy nga Shkupi (77, 70) dhe nga një pacient në Prilep (72), Kavadar (73), Ohër (71), Resnjë (68), Vallandov (66) dhe Dojran (64). Numri i përgjithshëm i personave të prekur me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 101.762, numri i pacientëve të shëruar është 90.895, numri i të vdekurve është 3.119, ndërsa numri i rasteve aktive është 7.748 persona.