Aplikacion
I dashur Babagjysh,
Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë, mendova të të dërgoj një listë dëshirash për qeverinë tonë fort të dashur. Nuk janë shumë. Një për çdo muaj.
1. Një tufë premtimesh të reja që të duken të sinqerta, sepse tani që jemi afër zgjedhjeve dhe premtimet e vjetra janë konsumuar aq shumë sa po na duken të gjitha copy-paste nga vitet e shkuara.
2. Një buxhet transparent! Jo shumë transparent, por aq sa të mos duket si magji zhdukja e parave.
3. Një app për korrupsionin! Një të thjeshte, praktik dhe që të na kursejë pyetjen e bezdisshme: ku shkojnë paratë?
4. Një ferman që ndalon ndërtimet e (kullave) për një vit. Po aq sa TikTOK thjesht për të kuptuar nëse qeveria di të bëj ndonjë gjë tjetër përveç betonizimit.
5. Një ligj për ndalimin e gënjeshtrave në fushate. Meqë jemi në kohë ndalimesh, ndoshta ndalojmë dhe gënjeshtrat.
6. Një fushatë zgjedhore pa këngë tallava dhe sidomos të lutem na e kurse këngën “Po ku ka si ti moj Shqipëria ime”. Është këngë që e pëlqejnë të gjithë, por ndryshe përjetohet nga ministrat e ndryshe nga populli.
7. Më shumë hapësira të gjelbra, ose të paktën, Babagjysh, më shumë piktura murale me pemë mbi beton.
8. Një manual për ndershmërinë në qeveri e administratë, me ilustrime, se ndoshta vetëm fjalët nuk i kuptojnë.
9. Një manual për lirinë e fjalës: Për t’i mësuar të gjithë se si të reagojnë ndaj kritikave pa fshirë komentet në Facebook, pa bllokuar dhe pa raportuar zërat kritike dhe pa mbyllur platformat e rrjeteve sociale.
10. Një makinë kohe për opozitën: Që të kthehen në një epokë kur kishin një ide të qartë se çfarë donin të bënin.
11. Një orë me zile për qeverinë që të zgjohet kur populli proteston. Se duket sikur është gjithmonë në gjumë.
12. Një robot të përgjegjshëm në mënyrë që kur diçka shkon keq, të mos dëgjojmë më “fajin e ka TikTok-u, opozita, ose qytetarët.” Roboti të ngrejë dorën dhe të thotë pa u dridhur nga bateritë: “E kam unë fajin”.
12 dëshira mund të duken shumë, por ti ke qenë gjithmonë zemërgjerë (ose të paktën kështu thonë fëmijët). Po të mos i plotësosh të gjitha dëshirat, të paktën sigurohu që të na mbash me gajret. Eshtë e vetmja gjë që nuk mund të na marrin.
Shumë faleminderit.
Nga një qytetar që nuk ka llogari për të dhënë dhe as llogari në TikTok
Kërkimi 25 vjeçar i Kosovës për drejtësi, fati i mijëra të zhdukurve ende nuk dihet