zoom

Slider

10 poezi nga Ismail Kadare në 88-vjetorin e tij

Ismail Kadare (28 janar 1936), feston sot ditëlindjen e tij. Në të gjithë karrierën e tij si shkrimtar, ai e ka prezantuar denjësisht Shqipërinë kudo në botë, duke u nominuar disa herë për çmimin Nobel.

Ky 28 janar na rikujton disa nga poezitë më të bukura të tij, të cilat mund t’i lexoni dhe t’i dedikoni.

Ti dhe Hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.
Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.
Edhe kur kujtesa
Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

Pa ty

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjësh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ka ca mullarë yë gjysmuar
Duken që larg si Don Kishote.
Ç’të bëj, po them me vehten time
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime
Të lashta sa Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në gryke e di që do të më ngelet
I ftohti medalion i hënës.

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën, kur i lodhur truri
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.
Pastaj si në rrugica parqesh
Shëtit me cirkovolucionesh
Hyn nëpër ëndrra i shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti
Dhe heshturazi del perjashta
Nga shtegu që veç ti e di.
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta
Dhe ne të dy, si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare.

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.

Një vajzë

Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrases tinëz shkoi.
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjith’ shokve emrin tënd ju tha.
Pran’ gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata..
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbenë sytë e tu në net bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…
Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
-e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul koken, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa me shpejt
të përsërisësh fjalët standart
Ah njëlloj jane te gjithe djemt’.
Te dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigar’,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të cojë në një rrug’ tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.
Atje ne sfond fabrikash njerzit
nga këmbet s’do t’u vënë re.
Atje tek ecesh në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do t’i bjer shokut,
-e sheh filanen? ishim miq…

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
Si të harroj un’dalngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Ti qave

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin,
Te desha, pa e ditur se të desha.
Një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Ahere e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re.
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
secila m’e bukur se tjetra qe.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.
Vjeshtë tiranase

Pa formë është qielli, si tru idioti
mërzitshem trotuaret shiu i qull
një kalimtar, një ombrellë, gjëmon moti
një biçikletë kthesën merr me vrull.
Pa forme është qielli, si një mendim idioti…

Kohë e pamjaftueshme

S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

Në parkun që mbuluan fletët

Në parkun q’ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.
Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.
Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.
Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.
Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti…