Aplikacion
Në sheshin “Skënderbej” është vendosur sot një memorial në nder të kujtimit të viktimës, teksa babai i tij ka folur për mediat.
Në fjalën e tij, Qazim Rasha ka kërkuar që shteti të zbardhë ngjarjen dhe të gjejë se cili ka qenë personi që ka vendosur armën në skenën e krimit pranë trupit të viktimës.
“Dua t’i shpreh mirënjohje gjithësecilit që ka shprehur shqetësimin për familjen time. Nuk dua të mendoj që në vitin 2021 ka njerëz që luajnë dhe mendojnë që mund të shesë apo blejë gjakun e fëmijës së vetë. Unë ju kam deklaruar që ditën e parë, kam prit dhe kam përcjell numër të madh njerëzish si qytetar dhe zyrtarë të lartë. Shteti e ka për detyrë të bëjë atë që ende nuk e ka bërë deri tani. Zbardhjen e inkriminimit që persona apo segmente të caktuara fëmijën e përbaltën aq sa u munduan të vendosnin edhe armën aty. Sot është momenti që përbaltjen e djalit, vendosjen e armës aty të zbardhet dhe kërkoj sa unë ende nuk kam vendosur ta zbardh vetë këtë gjë”, tha Qazim Rasha.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor 2020, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, ku një patrullë policie përpiqet të ndalojë një të ri 25-vjeçar, pasi po kryente veprime të dyshimta si dhe kishte shkelur Aktin Normativ për ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00 për shkak të pandemisë së COVID-19.
I riu, Klodian Rasha nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me vrap. Polcia u vu në ndjekje të tij dhe më pas në një moment oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital.
Sipas oficerit të policisë, Klodiani i drejtoi policisë një send të fortë, në dukje armë dhe në mungesë të ndriçimit të mjaftueshëm, ai e qëlloi. Disa orë më vonë, rreth 100 m larg vendit të ngjarjes, policia gjeti një armë, për të cilën dyshoi se i përkiste viktimës, por nga hetimet doli që nuk i përkiste Rashës.