zoom

Aktualitet

Zjarri në Lushnjë, pse Prokuroria e ka regjistruar për veprën penale “shkatërrim prone”?

Prokuroria e Fierit njoftoi se e ka regjistruar sot procedimin penal për veprën “shkatërrimi pronës me zjarr”, lidhur me zjarrin në qendrën tregtare ‘Metropol Center’ në Lushnjë, duke asfiksuar 42 banorë dhe staf të zjarrfikësve, pas 10 orësh beteje me flakët.

Edhe pse dyshohet se shkak i vatrës që shkaktoi miliona lekë dëme është bërë një kondicioner, mungesa e ekspertizës zyrtare që pritet nga specialistët piroteknikë, bën që pista dhe vepra e parë që hetohet të jetë shkatërrimi i pronës me zjarr, duke zhvendosur hetimin te dyqani i këpucëve në qendrën tregtare.

Mësohet se prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore, ndërsa po ashtu është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores.

Sakaq, raportohet se hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregëtare “Metropol Center”, lagjia “Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores. Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.

Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare. Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve”, mbyllet njoftimi, teksa shkaku mbetet ende i panjohur. /ZOOM.AL/