zoom

Aktualitet

Zhurmat s’e linin të flinte, 83-vjeçari merr çiften dhe qëllon 3 të rinjtë! Shpëtojnë mrekullisht

Një ngjarje e rëndë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi në Shkodër, ku tre të rinj i kanë shpëtuan mrekullisht plumbave pak pas mesnatës së 9 janarit.

Ngjarja ndodhi në lagjen Rus, ku tre të rinjtë kishin ndaluar në rrugë për të biseduar, por një i moshuar, 83 vjeçari Fasli Hyka, i shqetësuar nga zhurmat ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të tyre nga ballkoni i katit të 5-të i banesës së tij.

Por fatmirësisht plumbat nuk plagosën asnjërin prej tre të rinjve, ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar.

Mësohet se i moshuari kishte njoftuar policinë për të kërkuar ndihmë për shkak të zhurmës së shkaktuar nga të rinjtë, por pas disa minutash ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

Efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohej por 83 vjeçari nuk pranoi. Në momentet kur policia i bëri thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence.

Në këto ndërhyri FNSH të cilët nisën negociatat, por sërish Fasli Hyka nuk pranoi të dorëzohej, edhe me ndërhyrjen e djalit të tij Fatmir Hyka.

Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe arrestuan të moshuarin pas një operacioni rreth 3 orë e gjysëm.

83 vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë. Ndërkohë mësohet se Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.