zoom

Aktualitet

E PLOTË/ Zhdukja e Ervis Martinajt, ç’ka ndodhur me biznesmenin që u kthye në kryefjalën e krimit?

Teksa policia nuk ka dalë ende me një version zyrtar në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt, detaje të reja zbulohen në lidhje me ditët e fundit kur ai është parë në Tiranë. Martinaj është spikatur mes datave 5-7 gusht dhe më pas ka humbur gjurmët!

Për herë të fundit, Ervis Martinaj u vu re në një makinë tip Audi A8 ngjyrë e zezë. Policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore. Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë (duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë), se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar. Ndërkohë, versioni tjetër konsiston në një skenar, në zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia, e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej rrezikut të kundërshtarëve, nisur nga vrasjet e fundit në rrethin e tij shoqëror.

Pak më shumë se një muaj më parë, një atentat ndodhi në Fushë-Krujë të Shqipërisë. Ajo që dihej qysh në fillim se ishte një luftë bandash, e ku pa dyshim qëndronte i përfshirë i shumëkërkuari Ervis Martinaj. Në atentatin ku humbën jetën tre persona, shënjestër ishte pikërisht ai. Megjithatë, fati deshi që Martinaj të mos ishte në veturën, ku një grup tjetër kishte shtënë me qindra herë.

Në këtë atentat u vra Brilant Martinaj, familjar i Ervisit, dhe i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela në Lezhë. Veç tij, në këtë atentat u vranë edhe Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Beteja e bandave në Shqipëri duket se vazhdoi. Para pak ditësh, familja e Ervis Martinajn, kryefjalës së krimit në Shqipëri, e raportoi në polici si të zhdukur.

Familjarët njoftuan se i kanë humbur të gjitha kontaktet me Ervisin. Menjëherë nisën dilemat nëse ishte rrëmbyer apo jo nga bandat rivale.

“Albanian Post”, nisur nga burime brenda Policisë së Shqipërisë do të njoftonte se Ervis Martinaj ishte vrarë dhe trupi i tij ishte prerë në gjashtë copë.

Por kush është Ervis Martinaj?

36-vjeçari Ervis Martinaj është një emër i njohur i botës së krimit në Tiranë. Emri i tij ishte lakuar shpesh pas vitit 2013. Ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas denoncimit u shpall në kërkim.

Kanosja ndodhi pasi Martinajt në vitin 2013 i ishin konfiskuar 400 makineri të lojërave të fatit. Në atë kohë, mediat shkruanin se Martinaj i kishte blerë makineritë nga rivali i tij, Ervis Doçi. Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit duke i shitur makineritë e lojërave të fatit tek Ervis Martinaj. Po në atë ditë, Ervis Doçi ishte vrarë në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”

Një tjetër ekzekutim i bujshëm ku del sërish emri i Ervis Martinajt ishte vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje e ndodhur po në zonën e ish-bllokut dhe në mes të ditës në qershor të 2014. Emri i Martinajt u përmend kur gjatë një operacioni të policisë në magazinat e bizneseve të tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy pjesë motori të ngjashme me ato të dy autorëve që ekzekutuan bankierin Santo.

Një vit më vonë, Ervis Martinaj do të rikthehej sërish në qendër të kronikës së zezë, por këtë herë jo më si i dyshuar, por i përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në parkingun e një lokali në zonën e Linzës, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë. Sipas asaj që u zbardh më vonë në procesin gjyqësor, mes viktimës dhe Ervis Doçit ka pasur një debat. Martinaj, thuhet në dosjen hetimore, gjatë qëndrimit në lokal ka dëgjuar Enton Nikën të flasë nën zë dhe ka kujtuar se e ka ofenduar.

Ervis Martinaj kishte mbetur i plagosur gjithashtu në një incident që kishte ndodhur në zonën Blloku të Tiranës, ku ishte përfshirë edhe truproja i këngëtares, Elvana Gjata.

Miqtë e Ervis Martinajt ishin eleminuar një nga një, duke kulmuar me rastin e fundit në Fushë-Krujë. Kush u vra?

Santiago Malko, 26-vjeçari ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt. Edhe Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit të 2018-s, kur ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës.

Ai u ekzekutua ne 2019, me 10 plumba në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Në maj të vitit 2020 në aksin rrugor Laç-Mamurras u vra Bujar Lika, edhe ky mik i ngushtë me Ervis Martinajn. Pranë tij u gjet një armë zjarri. I vrarë mbeti gjithashtu edhe Paulin Gjergji. Por policia dyshonte se “shënjestër” e atentatit ishte Bujar Lika, pikërisht për shkak të miqesise dhe lidhjeve me Ervis Martinajn.

Vazhdon misteri

Mediat në Shqipëri vazhdojnë të hedhin pikëpyetje në lidhje me situatën e Ervis Martinajt. Është vrarë? Është zhdukur? Apo vetëm një inskenim për ta zhvendosur vëmendjen.

Inskenim për të çorientuar kundërshtarët: Duke qenë se shokët dhe të afërmit e Ervis Martinajt u eliminuan njëri pas tjetrit nga bandat rivale, atij nuk i ka mbetur tjetër vetëm se të çorientojë kundërshtarët për të fituar kohë. Ky është një shpjegim për denoncimin e nënës dhe xhaxhait të tij në polici, që thanë se kanë humbur kontaktet, megjithëse ai ishte shpallur prej muajsh në kërkim.

Largimi nga Shqipëria: Një teori tjetër që përflitet, është se ai është larguar përfundimisht nga Shqipëria drejt Dubait. Duke qenë se paratë nuk i mungojnë, Martinaj mund të jetë zhvendosur drejt strehës më të sigurtë për shqiptarët e shpallur në kërkim, për të nisur një jetë të re.

Ekzekutimi: Pista tjetër është që ai të jetë vrarë dhe që shqetësimi i familjes të jetë real. Martinajt i kanë mbetur shumë pak të besuar dhe nuk është çudi që kandili i tij të jetë fikur tashmë. Martinaj mund të jetë tradhtuar nga njerëzit që e strehonin, të cilët kanë kuptuar se armiqtë e tij ishin shumë më të fortë.

Por deri tani asgjë nuk është e sigurtë. Lajmet për Ervis Martinajn vazhdojnë të mbushin faqet e portaleve dhe shkrimet për të janë një trend i pandalshëm, për shkak të historisë së komplikuar që e ndjek pas.

Tërmeti në botën e mafias

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.

Ridimensionimi i krimit të organizuar nisi në vitin 2018, fill pas masakrës së ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë njëri prej njerëzve të Martinajt, ndërsa ky i fundit u plagos në qafë, raporton abcnews.al.

Kush po “mbretëron” tani?

Përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit. Grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.

Ky grup është një “përbindësh” që u krijuar për të hequr qafe Martinajn, ndërkohë që tashmë do të kthehen në një rrezik të madh, pasi kanë gjithçka që iu duhet për të qenë të paprekshëm, qoftë edhe mbështetjen politike.

KUSH E DONTE TË VDEKUR ERVIS MARTINAJN?

Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013. Bëhet fjalë për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rëndësishëm në vend.

Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas.

Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare.

Dorëzimi të kundërshtarët

Grupi që kishte përballë dukej tepër i fortë dhe me një skuadër “killerash” të pamëshirshëm, Ervis Martinaj nisi kërkimin e aleancave të reja. Fillimisht ai shkoi në Vlorë duke kontaktuar me një personazh të njohur të botës së krimit atje, ndërsa për herë të fundit është parë në një zonë pranë Fushë Krujës, ku është futur në një banesë me qëllim lidhjen e një aleance me një grup kriminal që operon në këtë territor. Eshtë pikërisht ky momenti ku dyshohet se ky grup e ka “shitur” Martinajn te kundërshtarët e tij, ku ata që e kanë marrë kanë ndërhyrë si një skuadër policie, e veshur me uniformë të Forcave Speciale.

Pikërisht ky momenti kur familjarëve të Martinajt i shkon një mesazh ku shkruhej se “policia do të bëjë kontrolle”. Fillimisht njerëzit e Martinajt kanë menduar se atë e mori policia, por rezultoi se ishin kundërshtarët e tij.

Megjithatë, pavarësisht videos që qarkullon, e cila është e turbullt dhe nuk identifikohet mirë, policia nuk ka dhënë ende asnjë version mbi një prej zhdukjeve më të mistershme të dekadës së fundit.

Arrestimi i Nuredin Dumanit në 29 mars të këtij viti duket se prishi gjithë ekuilibrin mes grupeve kriminale në Shqipëri.

Nuredin Dumani, i cili u arrestua në një apartament në Fier, disa orë pasi mbeti i plagosur në një atentat që iu bë në Papër të Elbasanit.

Atë mbrëmje, përveç Dumanit u arrestua edhe Henrik Hoxhaj, i cili është bashkëpunëtor i tij në disa krime.

Çfarë tha Nuredin Dumani në SPAK?

Pas arrestimit Nuredin Dumani pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë, duke nxjerrë nga “errësira” të gjitha “misteret” që rrethonin botën e krimit në atë periudhë.

Në një nga rrëfimet e tij Dumani tregonte se Ervis Martinaj e kishte paguar atë 100 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen, ndërsa i kishte premtuar se do t’i jepte dhe 400 mijë euro të tjera pasi të kryente punën.

Por atentati ndaj Dokles nuk u realizua, pasi siç thotë vetë Dumani, ai ishte mjaft i mbrojtur dhe lëvizte gjithmonë me makinë të blinduar.

Pas këtij rrëfimi të Dumanit Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga ana e policisë, por që të gjitha aksionet për arrestimin e tij dështuan.

Eleminimi i “ushtarëve” të Ervis Martinajt

Pas rrëfimit të Dumanit se Ervis Martinaj i kishte kërkuar eliminimin e Indrit Dokles, filluan sulmet ndaj grupit të Martinajt.

Në 17 korrik të këtij viti në një pritë në afërsi të Fushë-Krujës ekzekutohen me armë zjarri  në mes të ditës, Brilant Martinaj (kushëriri i Ervisit), Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Ndërkohë që do të ngushtohej “rrethi” edhe për vetë Ervis Martinajn, i cili përveç policisë tashmë do të duhej të ruhej edhe nga grupet rivale./ Zoom.al

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.