zoom

In Zoom

Zgjohet Bordi i Transparencës, rrit çmimin e naftës: Grosistëve po u pakësohen fitimet

Bordi i Transparencës u zgjua nga gjumi 3 javor dhe vendosi të rrisë sërish çmimin e naftës. Për 3 javë me radhë kur çmimi i naftës në bursë ra deri në 70 USD për fuçi, bordi nuk u mblodh asnjëherë për ta pasqyruar uljen edhe në Shqipëri.

Kështu, teksa në Maqedoninë e Veriut qytetarët e blenë naftën me 1.3 euro, në Kosovë me 1.4 deri në 1.5, në Shqipëri, nafta vazhdoi të shitej me 199 lekë ose me 1.7 dhe 1.8 euro, në vartësi të kursit të këmbimit.

Por ajo që thotë bordi sot është në kufijtë e skandalit. Bordi sqaron se vendosi ta rrisë çmimin e naftës nga 199 lekë në 208 lekë për litër për shkak se “kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë”. Pra, meqë euro këmbehet me 116 lekë, grosistët po shpenzojnë më shumë para për ta blerë naftën në bursë.

Nëse bordi do të kishte përdorur këtë standard, shqiptarët do të duhet ta blinin naftën shumë më lirë deri sot, kur një euro është këmbyer deri me 113 lekë.

Por kur kursi ishte i ulët, Bordi u zhduk, duke u vënë edhe njëherë në mbrojtje të interesave të një grushti njerëzish që merren me biznesin e hidrokarbureve.

Bordi është akuzuar vazhdimisht se mbron interesat e kompanive të importit të naftës, pasi edhe në përbërje të tij ka përfaqësues të këtyre kompanive.

Më poshtë vendimi i Bordit:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 17 Janar 2023  kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 16.1.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 842, +116 nga data 19.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 937, +82 nga data 19.12.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 99 (-0.27 nga data 19.12.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.