Aplikacion
Ushtria izraelite bëri të ditur sot, se të martën kishte goditur nga ajri rreth 250 objektiva të Hamasit në rajon.
Kombet e Bashkuara njoftuan për një intensifikim të konsiderueshëm të bombardimeve izraelite në Gazë prej së hënës pasdite, si dhe një rritje të numrit të raketave që militantët palestinezë, kishin lëshuar në drejtim të Izraelit.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se forcat e tyre kishin rrethuar Khan Younis-in, qyteti i dytë më i madh në jug të Gazës.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se rreth 1.9 milionë vetë janë të zhvendosur brenda Gazës, ose rreth 85% e popullsisë, ndërsa një milion prej tyre, janë vendosur në strehimoret e OKB-së në Gazën jugore.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha të martën në mbrëmje se për të tretën ditë radhazi, zona e Rafahut në Gazën jugore ishte i vetmi vend, ku mund të bëhet shpërndarja e ndihmave, për shkak të luftimeve diku tjetër.
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk tha në një konferencë të mërkurën se palestinezët në Gazë “po jetojnë mes situatash të tmerrshme që po thellohen” dhe se civilët po privohen nga ushqimi, uji dhe furnizimet mjekësore.
“Operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet nga forcat izraelite, vazhdojnë në veri, në pjesën qendrore dhe në jug të Gazës, duke prekur njerëzit që tashmë janë zhvendosur disa herë, të detyruar të largohen në kërkim të sigurisë. Megjithatë në Gazë nuk ka asnjë vend të sigurt”, tha ai.
Izraeli ka akuzuar Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur një organizatë terroriste, se ka përdorur spitalet si dhe zona të tjera civile si pika për të kryer operacionet e veta. Po kështu sipas autoriteteve izraelite, grupi militant ka inkurajuar popullatën civile të shpërfillë paralajmërimet për evakuim përpara sulmeve ajrore, duke i përdorur ata si mburoja njerëzore. Hamasi e ka hedhur poshtë një akuzë të tillë.
Izraeli synon që me fushatën e tij ushtarake t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gazë. Luftimet nisën pas sulmit të grupit militant ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit Hamasi vrau 1,200 persona, ndërsa rreth 240 të tjerë u morën peng.
Deri tani rreth grupi militant ka kthyer 100 pengje dhe në shkëmbim Izraeli ka liruar qindra të burgosur palestinezë. Prej fillimit të konfliktit rreth 16,240 persona janë vrarë në Gazë, 70% e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.