zoom

Politikë

Zgjedhjet vendore si referendum për Bashën dhe Berishën

Shqipëria do të mbajë të dielën e 6 marsit zgjedhjet e pjesshme vendore, ku do të zgjidhen kryetarët e 6 bashkive, që për arsye të ndryshme kanë mbetur pa drejtues.

Bëhet fjalë për bashkitë: Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë e Rrogozhinë.

Por ndërsa socialistët janë të qartë për garën që i pret, ku synimi është t’i fitojnë të gjitha këto bashki, vëmendja është përqendruar të opozita, e cila paraqitet në këto zgjedhje në situaten më të vështirë ndoshta që nga zgjedhjet e 1997.

Kjo, jo vetëm për shkak të fragmentëzimit të forcave të spektrit opozitar, por edhe të situatës në të cilën gjendet forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike.

Të dyja grupimet brenda Partisë Demokratike, më shumë se për të fituar zgjedhjet përballë socialistëve, duket se janë të interesuara të mundin njera-tjetrën.

Kështu, për palën që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha zgjedhjet e 6 marsit janë të një rëndësie të veçantë dhe një test politik.

“6 marsi është test politik siç janë çdo palë zgjedhje dhe duhet të ishte test politik për Bashën që në 2019 që i iku atij testi politik”, deklaroi një ditë më parë Oerd Bylykbashi në një intervistë për Klan, por pa specifikuar në raport se me kë ato janë një test.

Por duket se testi nuk është në raport me Partinë Socialiste, por në raport me grupimin brenda PD-së që drejtohet nga Basha. Për grupimin që drejtohet nga Berisha do të mjaftonte që kandidatët e saj të marrin më shumë vota se kandidatët që do të paraqiten zyrtarisht nga Partia Demokratike për të akuzuar Bashën se është pikërisht ai problem në opozitë dhe shkaktari i humbjeve të njëpasnjëshme.

Një skemë kjo që është kuptuar nga pala tjetër, e cila është përpjekur që ulë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Madje përfaqësues të këtij grupimi nuk kanë ngruruar ti cilësojnë këto zgjedhje edhe si një kurth për Partinë Demokratike, pikërisht për shkak të situatës në të cilën ajo ndohet.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Kreshnik Çollaku duket folur gjatë një interviste në Ora Neës deklaroi se pala tjetër do të përpiqet që të shfrytëzojë pikërisht këtë moment, për të treguar se Basha nuk di të fitojë dhe se po e ccon opozitën nga njëra humbje në tjetër.

Ndaj ai tha se këto zgjedhje kanë rëndësi vetëm për qeverisjen lokale të qytetarëve në bashkitë ku ato do të mbahen, por kurrësesi ato nuk mund të kenë një rëndësi politike që të përcaktojnë fatin e betejës brenda Partisë Demokratike.