zoom

Rajoni

Zgjedhjet për president në Maqedoni, kandidati Pendarovski: S’kemi nevojë për Kushtetutë të re

Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, kërkoi mbrëmë mbështetje nga banorët e komunës së Butelit në mitingun elektoral që pati.

Ai theksoi se garanton një shtet evropian, në të kundërtën na presim 15 vite qëndrim në vend dhe kthim mbrapa, raporton INA.

Për ofertën e kundërshtares Siljanovska dhe partisë që e ka përkrahur, Pendarovski ka thënë se nëse vijnë në pushtet do ta anulojnë marrëveshjen e Prespës dhe do të humbasim edhe 10 apo 15 vjet për negociata të reja.

Ai tha se, Maqedonia ka një Kushtetutë të mirë, në të cilën janë të përfaqësuara të gjitha bashkësitë etnike.

“Maqedonia ka një Kushtetutë të mirë në të cilën janë të përfaqësuara të gjitha bashkësitë etnike, do ti përfshijmë edhe ata që nuk janë, por ata që nuk janë kanë të drejta të barabarta me ato të shkruara në preambulë.

Ne nuk kemi nevojë të bëjmë një Kushtetutë të re, nuk kemi nevojë të negociojmë marrëveshje të reja me Greqinë dhe Bullgarinë, nuk kemi nevojë të rinegociojmë marrëveshjet me Bashkimin Evropian. Ne duhet t’i përmbushim ato detyrime dhe për katër deri në pesë vjet të bëhemi anëtar i plotë i BE-së, ku e meritonim të ishim shumë kohë më parë”, tha ai. /ZOOM.AL/