zoom

Politikë

Zgjedhjet në 6 bashki, KQZ rrëzon kërkesën e PD: Fushata nis më 19 shkurt

Fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit që do të mbahen më 6 mars do të nisë më 19 shkurt.

Përfaqësuesi i PD në KQZ Indrit Sefa ka kërkuar që fushata të nisë më herët duke propozuar datën 7 shkurt, por kërkesa e tij është rrëzuar nga Komisioni Rregullator, i cili ka miratuar propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

“Koha e lënë prej dy javësh, pra 13 duke konsideruar heshtjen zgjedhore, mendoj se është shumë e pakët për faktin e vetëm se ne kemi të gjithë mundësinë objektive për të realizuar një kohë më të gjatë të fushatës zgjedhore. Ne propozojmë datën 7 shkurt për të filluar fushatën. Një fushatë kaq e shkurtër zgjedhore s’do i vinte në ndihmë procesit. Data 7 shkurt do ishte më se e mjaftueshme për nisjen e fushatës zgjedhore dhe nuk shoh ndonjë pengesë në këtë pikë”, tha Indrit Sefa.

Ivi Kaso, i cili në zgjedhjet e fundit të 25 prillit ka përfaqësuar PD në KQZ zgjodhi të ishte në mbledhjen e sotme të KQZ edhe pse zyrtarisht PD dhe kryetari i saj Lulzim Basha kishin referuar dy përfaqësues të tjerë, Marash Logun dhe Indrit Sefën. Celibashi, nuk e fshehu keqardhjen për situatën por tha se KQZ marrëdhëniet institucionale i ka me PD. Nga ana tjetër Kaso u shpreh se Basha sipas tij prej Kuvendit të 11 dhjetorit nuk është më kryetar i PD dhe po ashtu sigla dhe vula nuk janë më ato që janë paraqitur në KQZ.

Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ndonëse në shumicën e tyre, këto bashki ishin prej shumë kohësh, pa një kryetar të zgjedhur, presidenti Meta priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për të dekretuar votimet e reja.

Në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita nuk mori pjesë, duke i bojkotuar ato. Ripërsëritja e tyre mund të jetë një mundësi e mirë që dhe ajo të ketë përfaqësuesit e saj në pushtetin vendor, të paktën në këto 6 bashki ku Shkodra, Durrësi por dhe Lushnja janë ndër më të mëdhatë e vendit.